Nga Xheladin Zeneli

Pak ditë më parë mu dha rasti që të vizitoj objektin i cili tashmë është në rinovim e sipër dhe që së shpejti do të jetë Qendra  e Shoqatës “ Ana e Malit” në Staten Island.

Objekti është blerë rreth tre viteve më parë dhe që nga ajo kohë i është nënshtruar një transformimi të brendshëm rrënjësor, dhe pas shumë sfidave, tani është në fazën e përfundimtare i renovimit të tij. Pas përfundimit të punimeve ,ndërtesa do të shërbejnë si seli e Shoqatës “Ana e Malit” ku do të mbahen mbledhje dhe tubime të ndryshme të komunitetit, kuptohet mvarësisht nga kapaciteti i saj, por ajo çka është më e rëndësishme kjo ndërtesë do jetë qendër apo vatër e organizimit të aktiviteteve të ndryshme kulturore që kanë

për qëllim ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës shqipe, artit e kulturës së trashigimisë shqiptare dhe edukimin dhe përcjelljen e këtyre vlerave tona kombëtare  te brezat e rinj që kanë lindur dhe rritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Qendra edhe pse do jetë pronë e Shoqatës “ Ana e Malit”, ajo do të kenë dyert e hapura për të gjitha shoqatat dhe organizatat e tjera shqiptare të komunitetit shqiptar në Staten Island dhe më gjërë dhe do të jetë vend bashkimi i interesave tona kombëtare dhe atdhetare.

Gjatë kohës së vizitës time në këte ndërtesë, unë shkrepa disa fotografi që po i publikoj tani duke theksuar se në ato janë të paraqitur vetëm një pjesë e grupit të komunitetit që me punën dhe ekspertizën e tyre në fushën e ndërtimtarisë po kontribojnë në mënyrë vullnetare në renovimin e kësaj Qendreje të ardhshme dhe këtu mungojnë dhjetra pjësëtarë të tjerë të komunitetit tonë që gjithashtu kanë kontribuar dhe vazhdojnë të japin kontribut të vazhdueshëm në mënyra të ndryshme për realizimin e këtij projekti.

Realizimi i këtij projekti, që nga blerja e ndërtesës deri te renovimi i plotë i tij, do të kishte qenë i pamundur pa kontributun, donacionet, punën vullnetare të qindra pjesëtarëve të komunitetit anamalas, por jo vetëm të tyre.

Mirënjohje dhe falenderim për të gjithë ata që kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribojnë deri më tani, në mënyra të ndryshme, pra në mënyrë financiare, materiale dhe me punë vullnetare në realizimin e këtij projekti të rëndësishëm e cila ishte një ëndërr e kahershme e kësaj Shoqate dhe komunitetit të saj. Jam i bindur se lista e plotë e emrave të kontribuesve do të publikohet në të ardhmen nga Shoqata “ Ana e Malit”.

Megjithate, me këtë rast e shoh të nevojshme dhe nuk mund ti shmangen pa permendur emrat e disa të rinjëve të komunitetit tonë, pra të brezit tonë të ri që janë :Genti, Taulanti, Dardani,  Andi, Sami, Lirimi, Aldini, Edini,Liridoni Edoni, Albini, Adi , Remi, Jasmini, Besi, të cilët me punën e tyre vullnetare në renovimin e kësaj ndërtese po tregojnë një entuziazëm dhe përkushtim të veçantë.

Është kjo gjeneratë e cila do të përfitojnë më shumë nga posedimi i  “shtëpisë” së  tyre të ardhshme të përbashkët në Staten Island. Janë këto të rinjë që me shembullin e tyre n’a inkurajojnë dhe n’a frymëzojnë në angazhimet tona dhe n’a japin shpresë për një të ardhme të ndritur të komunitetit tonë.

Pasi që punimet nuk kanë përfunduar plotësisht, ende egziston nevoja për mjete financiare, shfrytëzoj rastin të bëj thirrjen e radhës që secili pjesëtarë i komunitetit, të kontribojnë sipas mundësive të veta.

Këtë mund ta bëni duke klikuar në  portalin e Shoqatës “Ana e Malit”: Help us Rebuild the Albanian Community Center | anaemalit.org

Maj 2024

By admini