Në Qendrën Kulturore të Kosovës në Stamboll u mbajt një mbrëmje artistike-letrare ku u bë përurimi i librit me poezi “Zhdukja e heshtur” të autorit nga Ulqini Hajredin Kovaçi. Nën moderimin e gazetares Ida Lila u bë hapja e kësaj mbrëmje: ‘’Sonte, në këtë mbrëmje artistike letrare do të flasë poezia e bukur shqipe, do të lëkundet në valët e Detit Marmara krijimtaria poetike e një poeti nga radhët e shqiptarëve në Malin e Zi, poetit nga Ulqini, autorit të katër përmbledhjeve me poezi, poetit të poezisë së reagimit, të etnosit e erosit, poetit të poezisë së burgut, z. Hajredin Kovaçi’’.
Për krijimtarinë letrare dhe librin në fjalë të z. Kovaçi bëri një vlerësim kritik studentja Olta Murataj. Bukurinë e kësaj mbrëmje e shtuan tingujt e bukur të kitarës dhe violinës, si dhe këngë të bukura shqipe nën interpretimin e Ebru Jılta dhe Rina Demjaha. Poezi të përzgjedhura nga përmbledhja poetike i recitoi studentja Borana Alcani.
Në fjalën e tij poeti Kovaçi falenderoi Unionin Studentor Shqiptar – Turqi, Qendrën Kulturore të Kosovës, si dhe të gjithë të tjerët që kontribuan në realizimin e kësaj mbrëje letrare: ‘’Uroj që takime të tilla letrare të organizoni edhe në të ardhmen! Është mirë dhe e nevojshme për Ju që studioni këtu sepse gjuha shqipe duhet të ruhet, duhet të kultivohet, letërsia poashtu, prandaj jeni Ju të rinjt, studentët, ata që duhet ta bëni këtë. Kudo që të jeni, punoni, mësoni, por gjithësesi, vendin e vet dhe gjuhën e bukur shqipe, mos ta harroni!’’
Në emër të Unionit Studentor Shqiptar – Turqi, Blerim Halili uroi autorin Kovaçi për librin e ri dhe falënderoi të gjithë kontribuesit e kësaj mbrëmjeje letrare, duke shtuar se ky shënon aktivitetin e katërt të Unionit për këtë semester.
Në fund autori dhuroi dhe nënshkroi për të gjithë të pranishmit librin poetik ‘’Zhdukja e heshtur’’. Me këtë rast u shtrua një koktej modest ku u zhvillua një bisedë e lire në mes studentëve dhe autorit. Në këtë mbrëmje letrare përveç studentëve ishte i pranishëm edhe drejtori i Qendrës Kulturore të Kosovës z. Qamil Bytyçi.
Këshilli drejtues i USSHT