Foto: Selver Vukoviq

Në prani të anëtarëve, bashkëpunëtorëve dhe miqve të saj, Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” shënoi të enjten (më 28 dhjetor 2023) në Librarinë “Ulqini” 33-vjetorin e themelimit të saj.

Kryetari i SHAI “Art Club”, Ismet Kallaba, paraqiti një përmbledhje të projekteve dhe aktiviteteve kryesore të realizuara nga kjo shoqatë gjatë vitit 2023, ku ndër të tjera janë botuar dhjetë libra, është mbajtur edicioni i 31-të i manifestimit letrar “Kalimera Poetike – Basri Çapriqi”, është realizuar filmi dokumentar “Në teh të erës” kushtuar poetit, studiuesit dhe profesorit të ndjerë Basri Çapriqi, janë organizuar disa përurime të librave dhe takime me autorë të ndryshëm, botimet e “Art Club”-it janë prezantuar në disa panaire të librit etj.

Në takim u theksua se kultura në komunën e Ulqinit dhe në përgjithësi te shqiptarët në Malin e Zi zhvillohet në mënyrë stihike, ku mungon një politikë kulturore me prioritete të përcaktuara qartë. Po ashtu u tha se kultura e shqiptarëve në Malin e Zi zhvillohet faktikisht nga disa shoqata kulturore dhe njerëz pasionantë, të cilët këtë e shohin si pjesë të obligimit të tyre kombëtar, qytetar e shoqëror. Duke pasur parasysh faktin se kultura është shpirti i një qyteti dhe i një populli, u potencua nevoja e ngritjes së kulturës shqiptare në një nivel më të lartë – duke krijuar institucione artistike, kulturore e shkencore shqiptare në Malin e Zi.

Në fund të këtij aktiviteti, për pjesëmarrësit është ndarë libri “Gjurmë” i autorit Ali Gjeçbritaj, i cili ka dalë këto ditë nga shtypi.

Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” është themeluar më 28 dhjetor 1990. Me veprimtarinë e vet të gjithanshme, “Art Club”-i konsiderohet njëri ndër subjektet kryesore në fushën e kulturës nëse kemi parasysh ndihmesat që ka dhënë për artin, kulturën dhe shkencën shqiptare në Malin e Zi.

By admini