Nga Hajrullah Hajdari

Liqeni i Shkodrës është ekosistemi ujor me i madh në Ballkan me vlera te medha natyrore, historike dhe ekonomike. Në liqen, kryesisht në pjesën që i takon Malit të Zi, ekzistojnë rreth  53 ujdhesa të vogla apo të mëdhe. Në disa prej tyre, që në mesjetë, janë ndërtuar objekte të ndryshme sakrale dhe përbëjnë një pjesë të historisë dhe kulturës tonë, ndonëse sot ato janë zaptuar nga Kisha Ortodokse Serbe, Sipas historiografisë malazeze, ndërtimet në goricat e liqenin e Shkodrës kanë filluar në shek.XIV dhe XV dhe lidhen me dinastitë e Vlaisavleviqeve, Balshajve (Balshiqeve) dhe Crnojeviqve, pra me Duklen, Zeten dhe Malin e Zi. Por jeta dhe veprimtaritë e ndryshme në këtë liqen janë shumë më të vjetra, që në kohën e ilirëve. Fisi ilir Labeatet, që jetonin në zonar përrrreth këtij liqeni, e quanin „Lebeatide palude“. Sllavët e quanin „Bllato“ (Baltë) dhe për herë të parë me këtë emër përmendet nga pop Duklanini. Në librin e Presbyter Diocleas-it quhet Balta, siç quheshin liqenet e vegjël moçalorë në bregun e detit pranë Ulqinit, Durrësit e Vlorës. Serbët në mesjetë e quanin “Liqeni i Dioklesë” që pa dyshim lidhet me fisin ilir Dokleatët.

Liqeni i Shkodrës, bregu dhe goricat e tij në brendësin e tyre ruajnë shekuj me radhë, të paprekura, gjurmët e e lashtësisë, historisë, jetës dhe veprimtarisë të banorëve që aty jetuan që në antikë e deri në ditët e sotme.

Kush është ndërtues i objektëve sakrale dhe për vitet e sakta të ndërtimit të tyre nuk ka të dhëna të sakta të besueshme, çdo gjë është bazuar në sypozime apo hamendësime dhe pretendime për përvetësimin e tyre. Megjithatë, shumica e studiuesve pajtohen se ndërtues janë anëtarët e familjes fisnike shqiptare Balshaj, të cilët historiografia serbe i quan Balshiq.

Qëllimi i këtij punimi nuk është zbardhja e prejardhjes së ndërtuesëve dhe vitet e ndërtimit, por studimi i dokumenteve relevante arkivore, administrative dhe gjyqësore, të cilat bëjnë fjalë për bazën juridike për të drejtën e trashëgimisë fetare dhe kulturore nga Kisha Ortodokse Serbe dhe për ndërtimet apo ndërhyrjet e paligjshme dhe pa mbikqyrje profesionale  në objektet fetare në gorica të cilësuara si trashëgimi kulturore malazeze, nga njëra anë, dhe bazën juridike për shfuqizimin e të drejtës së shfrytëzimit ose të pronësisë të popullit të fshatrave të Krajës  si dhe studimi i dokumenteve  që kanë të bëjnë me një valë devastimesh e degradimesh si rrezultat  i mosveprimit të shtetit.

Në bazë të fakteve historike dhe dokumentave zyrtare që ruhen në Arkivin e Shtetit në Cetinë, në arkivin e Entit dhe Drejtorisë për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore, Drejtorinë për Patundshmëri – shërbimi territorial në Tivar, Bashkësinë Islame të Malit të Zi dhe në arkivat e xhamiave në Krajë, në lidhje me pronësinë konstatëjë sa vijon:

  • Bashkësit fshatare-pronarë të vërtetë

Sipas rregullave juridike që kanë qenë në fuqi deri në shekullin XV, pronarë dhe shfrytëzues kanë qenë bashkësitë fshatare të fshatrave në afërsi të goricave (Muriqi, Boboshti, Martiqi, Skjeja dhe Ostrosi);

  • Vakfët sipas ligjeve pronarë të goricave

Vakfët e xhamiave të Krajës kanë qenë pronarë të vërtetë të goricave që nga koha e Perandorisë Osmene deri në vitin 1988, të cilat rregullisht kanë kryer obligimet tatimore ndaj shtetit;Në vitin 1954 themelohet kadastri në Mal të Zi. Më këtë rast goricat regjistrohen si pronësi e Vakfëve të xhamiave Muriq, Bobosht, Martiq, Ostros – Lista poseduese nr.97,112, 140,142;

  • Monumentet kulturore (s’ka rëndësi përkatësia fetare) u devastuan dhe u degraduan

Objektet sakrale të cilësuara si trashëgimi kulturore janë devastuar e degradur në masë sa që përveç pamjes fizike mund të kenë humbur shumë gjurmë të trashëgimisë kulturore-fetare të shqiptarëve. Janë bërë rindërtime, sanime dhe ndërtime të reja pa leje ndërtimi dhe pa pëlqimin e ERMMKMZ-së. Të gjithë ato objekte të ndërtuara ngjasojnë me një fshat turistik, ku qasje kanë vetëm strukturat rreth KOS-it.

  • Uzurpimi  i sipërfaqeve jashtë manastireve është faktik

Hapsirat jashtë manastirit janë uzurpuar nga monahët që jetojnë aty dhe janë krijuar plantazhe të llojllojshme të hardhiave ullinjve, fiqve, kumbullave etj, çka është në kundërshtim me planin hapsinor të Malit të Zi;

  • Regjistrimi i KOS-it si pronarë i objekteve pa bazë juridike

Nuk ka dokument zyrtar (akt juridic) që manastirët dhe kishat në goricat e liqenit të Shkodrës janë pronë e Kishës Ortodokse Serbe, përkundër kësaj janë regjistruar si pronarë; Po ashtu është i paligjshëm edhe regjistrimi i BVI “Liqeni i Shkodrës” si shfrytëzuese e goricave sepse paraprakisht nuk është bërë kompensimi i pronarëve në frymën e nenit 7 të Ligjit mbi liqenin e Shkodrës, çka do të thotë në kunëdrshtim me rendin juridic të shtetit;

  • Dështimi i mbrojtjes së monumenteve kulturore

Enti Republikan për Mbrojtjen e Munumenteve kulturore dhe Drejtoria për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore nuk kanë vepruar konform dispozitave ligjore për ndalimin e devastimeve të objektëve dhe ndalimin e ndërtimeve të reja. Janë bërë inspektime në vend, janë bërë procesverbale, janë shkruar vendime për ndalimin e punimëve dhe kthimin në gjendje të mëparshme. Bazuar në dokumentacionin e dy institucionëve shtetërore ndërtimet pa leje dhe ndërtimet dhe sanimet pa pëlqimin e Entit apo Drejtorisë nuk janë proceduar, nuk është ngritur asnji padi penale kundër kryesve të veprave penale edhe pse kur konstatohet ekzistimi i një vepri antiligjor, ekziston obligimi ligjor për marrjen e masave ligjore;

  • Keqpërdorimi i pozitës zyrtare

Autorët e veprimive juridke (inspektimi, procesverbali, vendimet etj), janë të detyruar të ndërmarrin veprimet ligjore të parapara me ligj si përshembull: nëse është konstatuar shkelje ligjore kundër shkelsit duhet të ngritet padia për shkelje ligjore. Nëse puntori i autorizuar nuk ndërmerr masat e duhura ligjore atëherë udhëheqësi i Institucionit public duhet të ndërmarrë masa ndaj tyre. Në rastin konkret, përkundër shumë shkeljeve ligjore të konstatuara në procesverbale të ndryshme, në vendime të sjella, në deklarata publike, nuk kemi asnjë procedim penal.Pothuajse nuk është zbatuar asnji vendim për ndalimin e punëve të paligjshme në objektet e trashëgimisë kulturore, devastimet vazhdojnë, nuk është ndaluar dhe nuk është prishur asnjë objekt i ri ndërtimi në gorica. Nuk është sjellë asnjë vendim për uzurpimin e hapsirave të gjelbërta në gorica. Pra kemi të bëjmë me keqpërdorimin e detyrës zyrtare. Moszbatimi i ligjit është vepër penale. Ata që i kanë lejuar të gjitha ato çka ka ndodhur dhe po ndodhë në goricat e liqenit të Shkodrës duhet të kenë në mend se për çdo veprim të paligjshëm ekziston përgjegjësia!  

  • Dështim i sundimit të ligjit – dështim i funksionimit të shtetit

Çdo akt juridik i procedurës administrative dhe gjyqësore duhet të zbatohet deri në fund. Nëse nuk sigurohet zbatimi i tyre deri në instancën e fundit do të thot që mbizotëron anarhija e jo ligji e kjo ndodhë kurdoherë që politka është mbi ligjin. Shteti me mosveprimin e ligjit ndihmoi KOS-in jo vetëm të përvetësojë trashëgiminë kulturore në goricat e liqenit të Shkodrës por i lejoi asaj devastimin, degradimin dhe humbjen e gjurmëve të vërteta historike si dhe uzurpimin e të gjithë sipërfaqeve të tyre. Shteti bëri sikur nuk ka parë e dëgjuar, kështu që këtë në mënyrë prefide e shfrytëzoi KOS-i sipas parimit “loja micave e mira minjve”.

Nga mosveprimi i shtetit dhe keqpërdorimit të pozitës zyrtare pronarët e vërtetë të goricave, fshatarët e Muriqit, Boboshtit, Martiqit dhe Ostrosit, në kundërshtim me ligjin humbën pronësinë, ndërsa përfituesi i vetëm KOS-i jo vetëm që u bë pronar i monumenteve kulturore, por edhe zaptues i goricave të përmendura dhe degradues kryesor i objekteve dhe kulturës tonë kombëtare, prandaj sa më parë duhet të sigurohet zbatimi i të gjithë vendimeve për ndalimin e punimëve të egra të ndërtuara pa pëlqimin e organeve përgjegjëse për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe sjellja e tyre në gjendjen e mëparshme. Veçanërishtë, sa më parë duhet të kërkohet prishja e objektit të ri çoroditës të ndërtuar pa leje ndërtimi në goricën Tophallë, sepse nuk ekziston asnjë document, as kishtarë, se aty, përveç kishës së vogël, ndonjëherë ka pasur object tjetër përcjellës. 

Banorët e fshatrave të përmendura kanë të drejtë morale dhe ligjore, që së paku të kërkojnë shpronësimin në bazë të normave ligjore në fuqi. Po ashtu banorët e fshatrave të përmendura në bashkëpunim me Bashkësinë Islame të Malit të Zi kanë të drejtë të plotë të nisin procedurën e vërtetimit të regjistrimit të pronësisë reale mbi objektet sakrale në gorica në favor të KOS-it. Nëse ka dëshmi juridike (por nuk ka) për regjistrimin e objekteve në favor të KOS-it atëherë duhet kërkuar që objektet kishtare të rrethohen me qëllim të mbrojtjes së tyre nga hyrja e bagëtive apo dëmtuesve të tjerë. Në të kundërtën, të kërkohet çregjistrimi i pronësisë të KOS-it dhe t’ju mundësohet fshatrave Muriq, Bobosht, Martiq dhe Ostros shfrytëzimi i goricave të tyre për kullota dhe nevoja tjera ekonomike si pronarë qindravjeçarë.

E gjitha kjo kërkon mbështetjen e gjërë të popullsisë e veçanërisht të partive politike shqiptare, deputetëve shqiptarë, intelektualëve e kujtdo tjetër që mund të ndihmojnë në këtë drejtim. Është obligim yni moral e ligjor të kujdesemi e të ruajm trashëgimin tonë kulturore qoftë ajo edhe fetare. Kishat të ndërtuara nga familja fisnike shqiptare Balshaj në goricat e liqenit të Shkodrës, vetëm disa vite pasi u konvertuan në fenë katolike, pa dyshim I përkasin trashëgimisë tone kulturoro-fetare, prandaj e meritojnë kujdesin dhe mbrojtjen tonë!

By admini