Nga Gjekë Gjonaj

Çdo vit, më 19 nëntor, festohet Dita Ndërkombëtare e Burrave në mbarë botën, ashtu siç kremtohet  Dita  e Grave.    Edhe pse mund të mos njihet gjerësisht sa  8 Marsi  kjo ditë festohet nga më shumë se 80 vende të botës, në Indi, SHBA, Britani të Madhe, Australi, Kanada etj. dhe ajo   ka vendin e saj në kalendar.  Kjo ditë   shërben si një kujtesë për çështjet që kanë të bëjnë me burrat, shëndetin e tyre, rolin e tyre në shoqëri dhe rëndësinë e barazisë gjinore.

Qëllimi i kremtimit të kësaj dite

Kjo ditë kushtuar gjithë burrave në botë   synon të rrisë ndërgjegjësimin për çështjet specifike për meshkujt, duke festuar njëkohësisht kontributin e tyre pozitiv në shoqëri. Kjo ditë po ashtu  festohet  për të njohur punën, arritjet, angazhimet  dhe   kontributin  e djemve dhe burrave , veçanërisht në vendin e tyre, në shoqëri,  për të mirën e familjes  dhe komunitetit  në  përgjithësi. Përveç kësaj, 19 Nëntori është shpesh një mundësi për të folur për sfidat specifike me të cilat përballen meshkujt, duke përfshirë çështjet e shëndetit mendor, të cilat ndonjëherë mund të anashkalohen ose të mos hulumtohen. Kjo ditë ofron një mundësi për gratë që t’i kushtojnë vëmendje të dashurve të tyre, qofshin babait, vëllait apo bashkëshortit.  Dita Ndërkombëtare e Burrave është një mundësi për të gjithë njerëzit me vullnet të mirë për të vlerësuar burrat në jetën e tyre dhe kontributin që ata japin në shoqëri për të mirën më të madhe të të gjithëve”. Qëllimi është të sigurohet një gjendje e mirë emocionale, fizike dhe shpirtërore e meshkujve. Megjithatë, kjo ditë  nuk ka të bëjë vetëm me festimin e burrave, por edhe me përmirësimin e marrëdhënieve gjinore dhe promovimin e barazisë gjinore.

Historiku i Ditës Ndërkombëtare të Burrave

Historia e kësaj date shkon që nga viti 1960, por vetëm në vitin 1999 u ringjall  nga një pedagog i historisë Dr.Jerome Teelucksingh, i cili  punoi në Universitetin e Indisë, në Trinidad Tobago.  Dr. Jerome vuri theksin  në faktin se ideja e Ditës Botërore të Burrave nuk është të garosh me Ditën e Gruas, por të sjellësh ndërgjegjësim për çështje ose përvoja të burrave  nga e gjithë bota.

Një rol të rëndësishëm  në vendosjen e Ditës  Ndërkombëtare të Burrave  si një datë globale ka edhe   avokatja e të drejtave të burrave, Uma Chala, nënë e dy fëmijëve. Ajo ishte pioniere e festimit të Ditës Ndërkombëtare të Burrave në vitin 2007, duke mos ditur se nga erdhi data në të vërtetë, por duke besuar në  rëndësinë e festimit të ditës si një mënyrë për të ekspozuar abuzimin që ndonjëherë vuajnë burrat. Mesazhi i saj ishte që në përgjithësi, në planin personal gratë  të shënojnë Ditën Ndërkombëtare të Burrave  duke treguar  mirënjohje ndaj burrave në familjen dhe mjedisin e tyre të ngushtë  dhe këtë ta bëjnë me gjeste të thjeshta si dhurata të vogla ose urime.

Pse shqiptarët nuk e festojnë Ditën e Burrave ?

Megjithëse kanë kaluar 24 vite  që kjo ditë u kushtohet kauzave të burrave, ajo  nuk festohet  në dy  shtetet shqiptare, Shqipëri dhe Kosovë  , sikurse as në shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, përveç Bosnjës dhe Hercegovinës.  Për shqiptarët    Dita Ndërkombëtare e Burrave  kalon  shpesh pa e ditur fare se ajo  ekziston dhe pa asnjë harxhim (shpenzim), pasi  ata nuk e kanë kuptuar arsyen e kësaj dite.  Arsyeja  pse kjo festë nuk festohet  në Shqipëri,  Kosovë e shtete të tjera të  Ballkanit  ku jetojnë shqiptarët është se këto   shtete nuk e njohin këtë ditë, prandaj  dita e burrave është në planin e dytë.

Ekspertët e kësaj fushe  pohojnë se kultura patriarkale  është e pranishme  në shoqërinë shqiptare. Për këtë  kjo ditë ndërkombëtare  shpesh trajtohet me tallje, përgjithësisht qasja  dhe e drejta e burrave në familje, e drejta e tyre për emocione, paprekshmëria e tyre në çështjet familjare etj. Sipas  psikologëve do të ishte mirë që edhe shqiptarët ta  kremtojnë festën e burrave , meqë ka ardhur koha që   edhe në shoqërinë shqiptare të  zhvillojmë ndërgjegjen për barazinë gjinore. Ata  mendojnë se   me këtë shenjë simbolike  barazia gjinore  do të  ishte më e çekuilibruar  seç është tani,  por e pranojnë se  vitet e fundit  është punuar pak në pjesën edukative të roleve të meshkujve. Është  shumë e nevojshme  dhe e rëndësishme të veprojmë ne edukimin e shoqërisë  shqiptare  për ta kuptuar  se edhe burrat janë qenie njerëzore  dhe se  meshkujt dhe gratë janë partnerë të barabartë në shoqëri me të drejta dhe detyrime në përputhje  me karakteristikat  dhe vlerat njerëzore, e  jo t’i ndajmë ata në bazë të çfarë janë burrat dhe çfarë janë gratë. Roli  i burrave dhe grave duhet të ndryshojë në mënyrë që edhe shqiptarët  të kuptojnë dhe pranojnë vlerat humaniste të barazisë gjinore, që janë të nevojshme të ecim përpara.

By admini