Në tranzicionin e stërgjatur të shoqërisë shqiptare në rajon e posaçërisht në Mal të Zi, mediat u bënë magnet për aktorët politikë, të cilët pushtetin e tyre donin ta praktikonin në kuadër të pushtetit absolut mbi media. Kështu, ata mediat i perceptonin si një trampolinë për ngritjen në karrierë dhe politikë, dhe me një arrogancë agresive kërkonin që çdo minutë dhe çdo rresht t’u kushtohet vetëm atyre.
Në emër të ndryshimeve politike dhe tranzicionit, ata fillimisht instaluan gazetarët e vet, shumica prej të cilëve ishin ose anëtarë të partisë ose simpatizues dhe militantë të tyre. Në radiot lokale dhe në emisionet shqip në RTV e Malit të Zi, forcat politike shqiptare përveç drejtorëve dhe redaktorëve, instaluan një numër të dukshëm gazetarësh të rinj, të cilët në forma të ndryshme pranuan në heshtje misionin, duke u bërë në shumë raste zëdhënës partiakë.
Në këtë piramidë, roli i gazetarit më së shumti ishte i predestinuar të përfaqësojë komunikata, informata ose qëndrime partiake, duke i shndërruar mediat në buletine të partive politike që aktualisht ishin në pushtetin lokal apo në atë qendror. Këto media, sipas mostrës komuniste, pa asnjë distancë profesionale kyçeshin në fushatën partiake dhe në mënyrën më të vrazhdë mbështetnin atë opcion politik që kishte më së shumti ndikim në mediat përkatëse.
Në anën tjetër, disa media elektronike private (TV “Teuta”, TV “Boin”), për shkak të situatës së rënduar financiare, gradualisht marrin anën e bezneseve, ku këto të fundit përpiqeshin të marrin në dorë timonin e gazetarisë duke krijuar lajme dhe duke e orientuar kështu profesionin e gazetarisë drejt një modeli të ri. Në këtë kuadër, TV “Teuta” anohet nga biznesi në Ulqin, i cili ishte i gërshetuar edhe me politikë dhe në fund ky medium bëhet edhe pronë e tij, ndërkaq TV “Boin”-in e marrin lobet afariste shqiptaro-amerikane nga Detroiti, Çikagoja dhe Nju Jorku. Ky refleksion ishte pasojë e gjendjes së vështirë të mediave private, të cilat kishin një treg tejet të kufizuar dhe gati asnjëherë nuk gjetën mbështetjen e dikastereve qeveritare për informim. Kësisoji, ato ishin të detyruara të ndërtonin marrëdhënie të mira dhe bashkëpunuese me aktorët afaristë dhe politikë për hir të mbijetesës në tregun e vogël shqiptar në Mal të Zi.
Në realitetin e ri komunikues, ku qarkullimi i mesazheve dhe kodi i tyre i strukturimit ka një dinamikë të fuqishme, censura tani ka fituar një mutacion të përçudshëm. Derisa në socializmin real censura ishte e kamufluar brenda institucioneve shtetërore, në kapitalizmin real mediat audiovizive dhe të shkruara editohen nga redaksitë e instaluara pranë selive partiake ose në zyrat e bizneseve, duke i frenuar gazetarët në përmbushjen e misionit të tyre dhe duke ndikuar në humbjen e besueshmërisë nga audienca. Në rrethanat e reja, censura gjen shprehje komplekse dhe ushtrimi i saj bëhet i gjithanshëm.
Përveç partive politike që konceptin “censurë” e kanë si objektiv të tyre, edhe privatizimi i mjeteve të informimit në kushtet dhe praktikat tona personalizohen në mënyrë të theksuar. Ky proces mbart, përçon e zhvillon në tërë qenien mediatike elementet e ekonomisë së tregut të hapur, i njohur në qarqet gazetareske si “faktori treg”. Formacionet e moderuara për kontrollin e mediave janë të lidhura me forcën e ekonomisë për të cilat Xherald Xh. Eduard shpjegon se përmes trusteve, korporateve apo kompanive ekonomike e financiare, ndikohet në orientimin politik të shtypit.
Në mediat në gjuhën shqipe në Mal të Zi, gati në të gjitha kohët është ndier “dora” e censurës, e injektuar nga kontrolli i partisë –shtet, por edhe nga liderët partiakë dhe pushtetmbajtësit lokalë, të cilët donin për ta komanduar shtypin dhe për ta orientuar atë për interesa partiake apo edhe vetjake.
Gazeta e vetme në gjuhën shqipe në Mal të Zi “ Koha javore”, që nga themelimi përballej me format më të ndryshme të trysnive, që kishin për qëllim të ndikohej në orientimin e saj programor. Disa subjekte politike shqiptare debatuan në forumet dhe qarqet e tyre partiake, të pakënaqur me disa shkrime të botuara në këtë gazetë, por pa e marrë kurrë guximin që të reagojnë publikisht. Kjo situatë shkoi aq larg sa ndonjë lider shqiptar ndërhyn tek autoritetet e NP “Pobjeda”, që asokohe menaxhonin gazetën “Koha javore”, dhe tentuan që të vendosin diktat mbi këtë media të shkruar. Pas reagimit të redaksisë së kësaj gazete në janar të vitit 2010, pasuan reagime dhe debate të shumta si nga forcat politike, nga autorët e kësaj afere, nga shoqatat e ndryshme dhe nga mediat në Mal të Zi dhe rajon, duke përfshirë këtu edhe mediat e njohura opozitare në Mal të Zi (“Vijesti“ dhe “Monitor”) .
Fushatës kundër kësaj gazete iu bashkua edhe shkrimtari kontravers Kapllan Resuli (Burović), i cili shfaqte pakënaqësi me qëndrimin “nacionalist” të “Kohës javore” dhe për këtë njoftoi drejtorinë e “Pobjedës”, kurse disa prej këtyre artikujve i botoi në gazetat dhe portalet serbe dhe malazeze.
Këto ndërhyrje flagrante në politikën redaktuese të gazetës dhe shumë raste tjera që nuk i përmenda këtu, ndikuan pak a shumë në frenimin e gazetarëve në ushtrimin e lirshëm dhe pa frikë të profesionit të tyre të shenjtë. Pasi, siç do të thoshte drejtori i VOA-s , Sanford J. Ungar,
“nëse ndokush ndien se punën e tij unë ia kam paraqitur shtrembër, le të bëjë një padi civile kundër meje për dëmshpërblime, të paraqesë faktet që ka dhe le ta mbrojë çështjen e tij përpara gjyqit”. Trysnia e çdo forme, sipas tij, është një formë frikësimi dhe një rrezik për lirinë e shtypit.
Kjo situatë medoemos ndikoi edhe në nxitjen e vetëcensurës ose siç quhet ndryshe “agjenti hipotetik i brendshëm”, duke frenuar dhe parandaluar ide që janë të dobishme për publikun.
Probleme të ngjashme në njëfarë mënyre janë të pranishme në të gjitha mediat në gjuhën shqipe, por për shkaqe të ndryshme asnjëherë nuk u bënë publike.