Në zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen me 5 mars do të marrin pjesë 4 koalicione dhe 3 parti politike, të cilat garojnë për 32 këshilltarë në parlamentin lokal në Tuz, duke qenë zgjedhjet e dyta në komunën e pavarur, që për nga pesha që kanë nuk janë vetëm me rëndësi lokale, sepse përmes qeverisjës së suksesshme do të avancohet autonomia lokale  në favor të realizimit të te drejtave  qytetare e nacionale  si kudo në botën demokratike

Nail  Draga

Në votimin e të dielës me 5 mars 2023, qytetarët me të drejtë vote që sipas regjistrit janë 12.387, do të kenë mundësi të votojnë në shtatë lista zgjedhore, ku kryesoret janë dy: koalicioni “Forumi shqiptar”(ASH,LDMZ,UNSH,LDMZ) dhe “Rruga e drejtë”(DPS,UDSH,PB,SD), ndërsa dy koalicionet tjera (PD, Forca) dhe Lista për Tuzin dhe PSD, si dhe tre parti politike(SNP,SPP,DCG) do të përpiqen  për të kaluar pragun elektoral, për të qenë  pjesë e skenës politike lokale.

Qytetarët e Malësisë të cilët kanë të drejt vote, do të dijnë të bëjnë dallimin për katër vite sepse gjatë këtij mandati Forumi Shqiptar në qeverisje lokale ka dëshmuar angazhim maksimal në arritjen e objektivave, duke marrë parasysh se ka trashëguar një strukturë të papërshtashme në shumë drejtime. Nëse e krahasojmë me kohën e shkuar kur në pushtet ishte DPS-i dallimet janë të mëdha, sepse Malësia i ngjasonte vetëm bashkësive lokale, sepse pushteti qendror ndaj kësaj krahine kishte qasje  injoruese, që dëshmohet me mos investime në infrastrukturë e gjetiu, dekada me radhë. Dhe nuk ka si të ishte ndryshe, sepse pushtetit i interesonin votat nga Malësia, për të udhëhequr  në Podgoricë e jo investime për mirëqenien e popullsisë në këtë mjedis.

Të arriturat, nuk mund të mohohen

Të gjithë ata që dyshuan në pamundësinë e funksionimit të komunës së pavarur mbetën të zhgënjyer, sepse qeverisja lokale në Tuz i demantoi në çdo aspekt. E dhëna se  për katër vite buxheti i komunës është rritur për 512%, duke  ndryshuar infrastukrurën rrugore, hapja e fabirikave,  ndërsa mbeshtetja e bujqësisë është  rritur për 2.735%, në raport me vitin 2019, dëshmon arsyeshmërinë e komunës së pavarur.Po ashtu janë mbeshtetur veprimtaritë  arsimore, kulturore, turistike e sportive, ku duhet veçuar KF”Deçiqi” etj.

Nuk ka dilemë se gjatë veprimtarisë së pushtetit lokal janë treguar edhe dobësi të ndryshme, por ata nuk mund të eliminojnë të arriturat, që janë dëshmi dhe arsyeshmëri e ekzistimit të komunës së pavarur. Madje funksionimi i pushtetit lokal në këtë mandat ka befasuar edhe ata të cilët kanë dyshuar ne menaxhimin dhe funksionimin e komunës së pavarur. Sepse të tillët kanë qenë të mësuar të jenë në kuadër të Podgoricës, duke dëshmuar paftësi profesionale dhe servilizëm shoqëror, për të punuar për të tjerët e jo për vetën, përkatësisht Malësinë. Nuk ka dilemë se dallimet janë të dukshme dhe çdo qytetarë në Malësi e dinë se të mbeshtetja e DPS-it në të kaluarën  ishte  kohë e humbur, sepse  ata janë shkaktarët e moszhvillimit dekada me radhë dhe emigrimit të shqiptarëve në botën e jashtme, andaj askush nuk  dëshiron rikthim pas, si para vitit 2019.

Dështimi i Ulqinit, mësim për Malësinë

Zgjedhjet lokale  paraqesin rastin praktik për partitë politike  në organizimin dhe manaxhimin e fushatës para dhe paszgjedhore.Në këtë aspekt para zgjedhjeve me 3 mars 2019 në Malësi, subjektët politike patën mundësi të mësojnë nga Ulqini, përkatësisht nga zgjedhjet e mbajtura aty me 4 shkurt 2018.  Ndonëse shqiptarët në këtë komunë përmes tre  partive nacionale politike arriten të marrin shumicën parlamentare lokale me 18 këshilltarë(Forca 8, PD 7 dhe UDSH 3), ata zhgënjyen sepse nuk arriten kompromis pas zgjedhjeve  për formimin e pushtetit lokal,  por ia dhuruan pushtetin DPS-it, duke zgjedhur kryetarin e komunës së Ulqinit nga ana e tyre. Ky veprim disfatist, dëshmoi se  në rënd të parë ishin interesat personale e  klanëve të ndryshme  në lidhje me pushtetin qendror e jo parimet demokratike.

Por, një dështim i tillë i partive politike shqiptare në Ulqin, ishte mësim për të njëjtat në Malësi, duke dëshmuar se të urtit mësojnë nga gabimet e të tjerëve. Pikërisht me qasje racionale, partitë shqiptare në Malësi për zgjedhjet e 3 marsit 2019, arritën koalicion parazgjedhor me emërtimin “Forumi Shqiptar”, për të votuar për vehten, se mjaft kanë votuar për të tjerët, duke dëshmuar ndërgjegje politike e kombëtare.

Bashkimi siguroi fitorën

Dita e votimit me 3 mars 2019  ishte ditë historike për Malësinë, sepse për herë të parë pas 62 viteve votohej për komunë të pavarur, andaj nuk ishte befasi interesimi i madh i mediave nga hapësira shqiptare dhe më gjerë, duke qenë lajmi kryesor i ditës.

Këtij konstatimi duhet shtuar edhe ardhjen e diasporës shqiptare nga Malësia për të marrë pjesë në votim, të cilët i dhanë një peshë të veçantë kombëtare duke moblizuar votuesit për të dalë në zgjedhje, kryesisht mbeshtetësit e “Forumit Shqiptar”. Ishte kjo një sakrificë e tyre duke udhëtuar me mijëra kilometra, për të mbeshtetur  vendlindjen dhe identitetin kombëtar në këtë kohë të krizës morale.

Në regjistrin zgjedhor ishin 11904 votues, që kanë pasur mundësi të votojnë në 30 vendvotime për të zgjedhur 32 këshilltar, ndërsa në zgjedhje kanë marrë pjesë 6 lista zgjedhore, e nga to 5 parti politike(DPS,SD,SNP,BS,DCG) e 1 koalicion(Forumi Shqiptar). Sipas rezultatëve zyrtare  të shpallura nga KZK i Komunës së Tuzit del  së në votim kanë marrë pjesë 7824 qytetarë apo 65.7%, ndersa sipas subjekteve politike  “Forumi Shqiptar”(ASH-LDSH-UDSH) fitoi 3683 vota apo 16 mandate këshilltarësh, DPS 2490 vota 10 mandate, BS 961 vota 4 mandate,SD 361 vota 1 mandat dhe DCG 235 vota dhe 1 mandat, ndërsa SNP 86 vota pa mandat.

Ndonëse  “Forumi Shqiptar”  ishte fitues i zgjedhjeve,  për të marrë shumicën parlamentare i duhej vetëm 1 mandat të këshilltarit. Nga ana tjetër humbësi më i madh i këtyre zgjedhjeve ishte DPS, sepse humbi 4 këshilltar nga zgjedhjet e fundit në vitin 2017, duke kaluar në  opozitë në pushtetin e ri lokal në Tuz.

Një votë vendosi mandatin e këshilltarit

Në zgjedhjet politike jo rrallë ndodhin momente të veçanta e kjo ka të bëjë sidomos me rastin e numërimit të votave dhe ndarjës së mandatëve. Madje nga përvoja e deritashme dihet se ka pasur jo vetëm numërime, por edhe rinumërime e madje edhe përsëritje të vendvotimeve që kanë ndikuar  në rezultain definitiv të zgjedhjeve. Pikërisht, kësaj here në KZK në Tuz dy ditë pas zgjedhjeve ndodhi rinumërimi i votave, me të vetmin qellim për të vërtetuar votat për Demokratët e MZ(DCG), sepse ata ishin me mundësi reale  për të humbur mandatin e këshilltarit, sepse në pyetje ishte vetëm një votë. Por, edhe pse u bë rinumërimi nuk ndodhi një gjë e tillë, sepse 235 vota ishin në kufirin e 3% dhe mandati për Demokratët e MZ ishte i vulosur. Por, po të ndodhte diçka e tillë  atëhërë  DPS-i do të kishte një mandat me tepër, ku do të kishim një situatë aspak të përshtatshme, sepse “Forumi Shqiptar” në njëren anë do kishte 16 mandate e të gjithë të tjerët së bashku me DPS-in do kishin 16 mandate, që do të ishte moment i veçantë dhe i diskutueshëm për formimin e pushtetit lokal në Tuz.

Malësia të udhëheqet nga malësorët

Raste të tilla ndodhin por shumë rrallë, andaj në zgjedhjet e 5 marsit jemi të bindur se subjektët politike pjesëmarrëse  kanë një përvojë me shumë dhe do të bëjnë llogaritë elektorale. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe sepse përvoja e kaluar duhet të jetë mësim për të tashmën dhe të ardhmën. Malësia duhet të udhëhiqet nga malësorët, sepse janë në shtëpinë dhe në tokën e tyre, ndërsa mbeshtetja e diasporës  në këto zgjedhje është obligim  jo vetëm moral ndaj tyre.

Pas zgjedhjeve  me emrin Malësia

Dhe në fund uroj që parlamenti lokal i përbërjës së re, të inicojë propozimin dhe të marrë vendimin që komuna të quhet me emrin Malësia, qe është vlerë autentike kombëtare dhe e pranueshme për të gjithë qytetarët e saj. Do të ishte ky testi i parë  demokratik në nivel lokal dhe qendror, duke dëshmuar kapacitet demokratik sipas standardëve ndërkombëtare.

(Mars  2023)

By admini