Foto: Senad Maku-Xhamia e Klleznës
Nga Gjekë Gjonaj
Objektet e kultit të besimtarëve islamë në Anë të Malit përfaqësohen nga xhamitë, të cilat janë monumente të trashëgimisë kulturore të Komunës së Ulqinit. Për xhamitë më të vjetra në këtë trevë mungojnë dokumente të shkruara nga studiues shqiptarë. Studime të mirëfillta të publikuara për xhamitë në Anë të Malit nuk kemi, përveç librit të Bajro Agoviqit “Xhamitë në Mal të Zi”.
Të dhënat për këto xhami Agoviq i ka nga burimet arkivore të Bashkësisë Islame në Mal te Zi, nga gojëdhënat e banorëve të xhamive përkatëse dhe nga pllakat origjinale të cilat gjenden në disa prej xhamive. Arkivi i Bashkësisë Islame të Malit të Zi dhe i qyteteve përkatëse, nuk ka arritur të ruajë dokumentacion e përshtatshëm për shkak të rrethanave dhe luftrave të kohës. Mungon një studim i mirëfilltë shkencor referuar arkivave të periudhës osmane. Bazuar në trashëgiminë gojore dhe të dhënave të drejtuesve të Bashkësisë Islame të Ulqinit dhe të imamëve anamalas arritëm të evidentojmë 16 xhami aktive, si vijon:
1.Xhamia e Klleznës
Kjo xhami është ndërtuar në vitin 1917 me kontributin e besimtarëve vendas. Por, supozohet se xhamia për herë të parë është ndërtuar rreth vitit 1696, gjegjësisht në kohën e ndërtimit të Urës së Klleznës. Xhamia është riparuar para vitit 1966, ndërsa në vitin 1984 u ndërtua plotësisht xhami e re, në themelet e xhamisë së rrënuar nga tërmeti i vitit 1979. Në vitin 2013 Xhamia e Klleznës u rindërtua përsëri.
Në këtë xhami shërbyen shumë imamë, si vijon:Ramadan (Dan) Kllezna,Osman Spahiq,Said Bisha,Sadik Llolla,Selim Shaptafa,Rifat Tula dhe ,Senad Maku.
2. Xhamia e Krythës
Kjo xhami mendohet të jetë ndërtuar në vitin 1725. Në oborrin e saj gjendet kroi i ujit, kurse te mejtepi ndodhet pusi. Në muret e kroit është identifikuar një pllakë origjinale me shkrim arabo-osman. Në këtë pllakë, siç pohon Mr. Ali Bardhi kryeimam i Bashkësisë Islame të Ulqinit, shkruan se kroin e ndërtoi bamirësja Fatime, e bija e Beqirit ( viti 1063 hixhri – viti miladi 1652). Sipas gojëdhënës kjo xhamia është djegur nga shkjau i parë në vitin 1878, kurse është ndërtuar në kohën kur fshati Krythë ka pasur 7 shtëpi të besimit islam, ndërsa të tjerët kanë qenë katolikë. Xhamia ka pasur mejtepin dhe shtëpinë e hoxhës. Pas tërmetit të vitit 1979 krythjanët kanë ndërtuar xhaminë e re në vitin 1987 në një vend tjetër për shkak se xhaminë e parë e ka shkatërruar tërmeti i fuqishëm. Aktualisht edhe Xhamia e Vjetër është rindërtuar. Imamët e kësaj xhamie janë:Hafiz Izet Tirana,Hasan Kunja,Osman Pelinku,Osman Duriqi,Fasli Çobi ,Bajram Hajdari dhe Amir Tula.
3.Xhamia e Shasit
Nuk njihet viti i ndërtimit të saj. Në bazë të pllakës origjinale të Xhamisë së Selitës me vit ndërtimi 1851, e cila deri në këtë vit ka qenë pjesë e Xhamisë së Shasit, na çon në mendimin që kjo xhami mund të jetë ndërtuar shumë më përpara. Disa nga Imamët e fundit janë: Hafiz Sait Shasi,Ismail Muça,Rifat Doda dheSali Bajri.
4.Xhamia e Selitës
Referuar pllakës së saj origjinale, ajo është ndërtuar në vitin 1851. Këtë xhami e ndërtoi zonja Hatixhe pasi më përpara banorët e këtij fshati obligimet fetare i kryenin në Xhaminë e Shasit. Edhe katërkollasit u bënë pjesëtarë të Xhamisë së Selitës. Imamët që kanë shërbyer në këtë xhami janë :Shefqet Luca,Ram Luca,Izet Hoxha,Mustafë Hollaj dhe Edin Veliqi.
5. Xhamia e Katërkollës
Sipas rrëfimit të disa imamëve , kjo xhami është ndërtuar në vitin 1969 , kurse nga burime të tjera mësojmë se është ndërtuar në vitin 1971. Deri në ndërtimin e kësaj xhamie banorët e fshati ritet fetare i kryenin në Xhaminë e Selitës. Më sa dimë këtu kanë shërbyer këta imamë:Eshref Hollaj,Sylejman,Hajdari dhe Isa Aloshi.
6.Xhamia e Shtodrit
Kjo xhamithuhet se është ndërtuar në vitin 1835. Imamët qëkanë shërbyer në këtë xhami janë: Imer Kraja,Adem Shaptafa,Jakup Luca dhe Xhevdet Demiri
7. Xhamia e Lamijve në Kravar të Poshtëm
Mendohet të jetë ndërtuar disa vite para Xhamisë së Kravarit Nalt. Sipas gojëdhënës pas prishjes së kësaj xhamie nga tërmeti i vitit 1968 pllakën origjinale dhe disa gurë të xhamisë i ka marrë një fshatar dhe aty ka ndërtuar pusin. Për shkak të terrenit të papërshtatshëm xhamia e re u ndërtua disa metra më tutje. Imamët që kanë shërbyer shërbyer në këtë xhami janë : Isa Haxhimani,Rexhep Gjeloshi,Dul Bardhi dhe Rrustem Zaga.
8.Xhamia e Kravarit të Epërm
Duke iu referuar pllakës së saj origjinale ajo është ndërtuar në vitin 1762. Pas tërmetit xhamia e re u ndërtua disa metra më larg. Ajo është rindërtuar në vitin 2014 Imamët e kësaj xhamie janë: Sait Bisha,Jakup Luca,Qazim Ceni,Sait Shasi,Omer Demiri ,Isa Aloshi dhe Daut Kallaba.
9.Xhamnia e Sukubinës
Mendohet të jetë ndërtuar në vitin 1820 . Deri në këtë vit banorët e këtij fshati dhe ata të Shtufit ritet fetare i kryenin në Xhaminë e Lamijve-Kravar Poshtë. Pas tërmetit u ndërtua xhamia e re pranë varrezave të reja të fshatit. Imamët e saj janë: Ramë Luca,Isak Hoxha,Rexhep Veliqi dhe,Isak Hoxha.
10.Xhamia e Millës
Mendohet të jetë ndërtuar në vitin 1792. Për shkak të rrëshqitjes së fshatit, xhamia zhduket. U ndërtua nga banorët e fshatarëve Kaliman, Bojk, Kosiq dhe Millë në vitin 1916. Në tërmetin e vitit 1968 u rrënua dhe në themelet e saj u ngrit xhamia e re. Në tërmetin e vitit 1979, xhamia u shkatërrua plotësisht. U rindërtua në vitin 1981. Nëkëtë xhami i kryen shërbimet fetare këta imamë:
Osman Spuzha,Musa Podgorica,Hasan Kunja- Spahiqi,Ramadan ( Dan) Kllezna,Hasan Milla -Islami ,Jakup Luca,Osman Pelinku,Ali Mehani dheRexhep Veliqi.
11.Xhamia e Bojkut
Është ndërtuar në vitin 1998 dhe rindërtuar në vitin 2001. Banorët e këtij fshati më përpara ritet fetare i kryenin në Xhaminë e Millës, kurse tani nga imami Vaid Nikaj.
12.Xhamia e Brajshës
Mendohet të jetë ndërtuar në vitin 1785. Imamët e saj janë:Osman Pelinku ,Brahim Bajramoviq,Selim Shaptafa,Isuf Bouli,Ramadan Gjoni dhe Jetmir Sella.
13.Xhamia në Draginë
Thuhet të jetë ndërtuar në vitin 1856. Në këtë objekt kulti mysliman kanë shërbyer këta imamë: Haxhi Nuhi,Elez Bisha,Dul Bardhi ,Xhemal Draga dhe Xhemal Gjeloshi.
14. Xhamia e Rashtishës së Poshtme
Mendohet të jetë ndërtuar në vitin 1801. Imamët që shërbyen në këtë xhami janë : Sulejman Haxhimani ,Sadik Llolla,Rifat Tula
Rifat Doda dhe Kujtim Demiri.
15.Xhamia e Rashtishës së Epërme
Është ndërtuar në vitin 1983. Deri në këtë vit banorët e këtij fshati i kanë kryer ritet fetare në Xhaminë e Rashtishës së Poshtme. Besimtarët mësimet fetare i kanë marrë nga imamët Selim Shaptafa dhe Hydajet Tula.
16.Xhamia e Leskocit
Sipas shënimit në gur i cili ndodhet mbi derën e xhamisë është ndërtuar në kohën e sulltan Abdyl Hamitit II, në vitin 1892. Pas tërmetit të vitit 1979 xhamia pësoi dëmtime të mëdha dhe më 1981 u ngrit xhamia e re. Xhamia u rinovua në vitin 2014. Për dallim nga xhamitë e tjera në Anë të Malit, aktualisht predikimi fetar në këtë objekt të kultit bëhet në gjuhën malazeze/boshnjake, sepse popullata e këtushme deklarohet joshqiptare dhe nuk e flet gjuhën shqipe. Brezi i vjetër e ka njohur gjuhën shqipe, ndërsa brezi i ri shumë pak. Imamët që kanë shërbyer në këtë xhami kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë shqiptarë. Ja emrat e disa prej hoxhallarëve të kësaj xhamie : Ibrahim Abdiq ,Isa Aloshi,Medjen Shaptafa dhe,Veib Mehani.
Fatkeqësisht historia e xhamive të vjetra nuk ekziston e dokumentuar, veçse e trashëguar nga gojëdhëna edhe ato s mjaft shpesh të mjegulluara. Në mungesë të shënimeve të dokumentuara mungojnë të dhënat e sakta për ndërtimin dhe rindërtimin e këtyre xhamive dhe emrat e të gjithë imamëve (hoxhallarëve) që kanë shërbyer në këto objekte kulti me vlera të mëdha besimi e qytetërimi.
Në këto objekte fetare të besimit islam, anamalasit përveç predikimeve të fesë, paqes, harmonisë mes njerëzve, atdhetarizmit dhe vlerave të tjera të individit dhe shoqërisë, janë takuar, kanë biseduar, janë vëllazëruar e këshilluar njëri me tjetrin për sjellje të veçanta sociale, fetare e kulturore.