Kosova sot shënon 15 vjetorinë e pavarësisë. Një numër i madh i qytetarëve nga Ulqini dhe rrethina ishin sot në Prishtinë për të festuar këtë përvjetor të rëndësishëm të Republikës së Kosovës. Shumë urime janë dërguar në Prishtinë sot e këto ditë.

Me këtë rast edhe Forca e Re Demokratike respektivisht kryetari i saj dhe njëheri deputet në Parlamentin e Malit të Zi Genci Nimanbegu ka uruar për këtë datë të shënuar.

Urimin e Nimanbegut muind ta lexoni më poshtë.

Gëzuar 15 – vjetori i Pavarësisë së Kosovës

Me rastin e 15 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, në emër të Forcës së Re Demokratike dhe në emrin tim, ju përcjelli urimet më vëllazërore për Ditën e Pavarësisë.
Shteti i juaj ka avancuar shumë në jetën demokratike nga viti 1999 deri tani dhe përshëndes arritjet e jashtëzakonshme të ndërmarra në konsolidimin institucional dhe rrugëtimin euro-atlantik të Republikës.

Si Republika më e re në rajon, Kosova ka dhënë një kontribut të madh jo vetëm për shqiptarët brenda territorit të saj, por edhe për shqiptarët anembanë botës për zhvillimin e tyre arsimor, kulturor dhe demokratik.

Kosova me një histori suksesi dhe vend i një sakrifice sublime për liri e pavarësi, sot vazhdon misionin e saj për konsolidimin e sovranitetit të saj të brendshëm dhe të jashtëm, duke sjell siguri e stabilitet të përhershëm dhe perspektivë europiane për mbarë Ballkanin Perëndimor.

Republika e Kosovës sot gëzon pavarësinë e saj të mbështetur dhe njohur nga shumë vende të botës, është shtet i mundësive dhe shanseve të barabarta për të gjithë pa dallime, me lider shtetëror që kanë dëshmuar guxim, urtësi, vendosmëri dhe mençuri ndaj sfidave që kishte dhe do kenë Kosova në veçanti dhe rajoni i Ballkanit në përgjithësi.


Gëzuar Dita e Pavarësisë së Kosovës!

Kryetar i Forcës së Re Demokratike
Deputet në Kuvendin e Malit të Zi
Genci Nimanbegu

By admini