DR. IBRAHIM RUGOVA – KY BURRË I MADH I SHQIPTARISË DHE MIK I ÇMUAR I SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS
Nga Frank Shkreli
Të hënën, Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani pranoi letër kredencialet e Ambasadorit të ri të Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Z. Jeff Hovenier. Duke i uruar atij mirëseardhjen në detyrën e re, Presidentja Osmani tha se Ambasadori Hovenier e njeh mirë Kosovën dhe dinamikat e saja politike dhe shoqërore, pasi ai ka shërbyer atje, vite më parë.
“Kosova sot është shumë ndryshe nga Kosova të cilën e kujton ambasadori Hovenier, sepse ajo ka ecur përpara. Mirëpo një gjë ka qëndruar konsistente, gjatë gjithë kësaj kohe. Kjo është marrëdhënia dhe partneriteti e miqësia jonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne jemi rritur e zhvilluar si vend, si dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë sepse jemi të bekuar të kemi Shtetet e Bashkuara të Amerikës pranë nesh në çdo hap të rrugëtimit tonë”, ka theksuar Presidentja Osmani. E para e vendit ka vlerësuar se roli i ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë është thelbësor, për të garantuar që marrëdhëniet midis dy vendeve do të vazhdojnë të lulëzojnë. Presidentja e Kosovës e siguroi Ambasadorin e ri të Amerikës në Prishtinë se Republika e Kosovës, “beson dhe i promovon vlerat të cilat i përfaqësojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dy popujt tanë besojnë në liritë demokratike dhe ne jemi të vendosur t’i mbrojmë ato gjithmonë, meqenëse i kemi fituar ato liri me shumë mund e sakrificë. Kam besim të plotë se duke punuar ngushtë me ju Z. Ambasador, ne mund të arrijmë qëllimet tona të përbashkëta. Dua t’ju siguroj se nuk do të gjeni asnjëherë aleatë më të përkushtuar dhe më besnik sesa Republika e Kosovës”, ka thënë Presidentja Osmani.
Angazhimi i Zonjës Osmani dhe mbëshetja e saj ndaj vlerave të përbashkëta midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara është, në të vërtetë, një kopje e pasqyrimit të angazhimit të Presidentit historik të Kosovës, Dr Ibrahim Rugovës, arkitektit të “miqësisë së përhershme”, siç shprehej ai, midis Kosovës dhe Amerikës.
Prandaj nuk ishte për tu çuditur që pas takimit dhe konferencës së përbashkët për median në Prishtinë, Presidentja Osmani dhe Ambasadori Hovenier, së bashku, kanë vendosur kurorë lulesh te shtatorja e Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova në Prishtinë. Me atë rast, Presidentja Osmani u shpreh se si themelues i shtetit të Kosovës, Presidenti Rugova diti të hedhë, jo vetëm, hapat e duhur drejt shtetit tonë të pavarur dhe sovran, por të ndërtojë gjithashtu edhe miqësi të sinqerta, miqësi të forta të cilat i kanë rezistuar kohës dhe do të vazhdojnë të ujiten dhe të lulëzojnë edhe më tej nga ana e secilit prej nesh. “Në nderim të këtij njeriu të madh të kombit tonë, i cili dha shumë për Kosovën e pavarur dhe sovrane dhe për miqësitë që ne sot i gëzojmë — së bashku me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës — deshëm që sot, si simbolikë e kësaj miqësie të forte, ta vendosim këtë kurorë këtu së bashku”, ka thënë Presidentja Osmani.
Ndërsa, Ambasadori i ri amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, theksoi angazhimin amerikan për Kosovën duke thekësuar se Shtetet e Bashkuara janë dhe do të mbeten partner i palëkundshëm i Kosovës. Ai i bëri këto komente pasi i dorëzoi letrat kredenciale presidentes së Kosovës, Z. Vjosa Osmanit. “Shtetet e Bashkuara janë partneri i palëkundshëm i Kosovës dhe kjo do të vazhdojë. Një përkushtim që dua të ndaj me ju”, vazhdoi diplomati amerikan, “është një përkushtim nga ambasada e Shteteve të Bashkuara; para se gjithash dhe mbi të gjitha, ne jemi miqtë tuaj, ne jemi në anën tuaj, ne do të punojmë me ju, qeverinë tuaj, njerëzit tuaj, shoqërinë civile, qytetarët, për të çuar përpara përparësitë që përfshijnë promovimin e demokracisë, që përfshijnë mbështetjen e mëtejshme për zhvillimin e institucioneve të pavarura, gjyqësorit dhe sundimit të ligjit, që janë aq të rëndësishme sikurse janë përpjekjet tona të vazhdueshme globale për të luftuar korrupsionin dhe për të vendosur drejtësi dhe në këtë rast drejtësi për të gjithë qytetarët e Kosovës”, shtoi ai duke nënvijuar se do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e qeverisë së Kosovës për t’u afruar me institucionet evropiane dhe euroatlantike.
Presidentja, Vjosa Osmani, tha gjithashtu se Kosova beson dhe promovon vlerat të cilat i përfaqësojnë Shtetet e Bashkuara, e që mbështeten në liritë demokratike. “Kosova sot është shumë ndryshe nga Kosova të cilën e kujton ambasadori Hovenier sepse ajo ka ecur përpara. Mirëpo, një gjë ka qëndruar konsistente gjatë gjithë kësaj kohe, kjo është marrëdhënia dhe partneriteti e miqësia jonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne jemi rritur dhe zhvilluar si vend si dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë sepse jemi të bekuar të kemi SHBA-të pranë nesh në çdo hap të rrugëtimit tonë. Roli i ambasadorit të Shteteve ë Bashkuara të Amerikës në Kosovë është thelbësor për të garantuar që marrëdhënia jonë të vazhdojë të lulëzoj”, shtoi ajo.
Me këtë rast, Presidentja Vjosa Osmani dhe Ambasadori i ri amerikan në Prishtinë, Z. Jeffrey Hovenier vendosen kurora lulesh te shtatorja e ish presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, në nderim të kontributit të tij për shtetformimin dhe pavarësinë e Kososvës. “Këtë doja ta bëja që në ditën time të parë si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, për respektin që kam për Presidentin Rugova dhe për atë që ai përfaqëson. Unë pata nderin ta njoh atë në procesin e Rambouilletit dhe e di se çfarë ai përfaqëson dhe besoj se është shumë e rëndësishme që ta kujtojmë e ta nderojmë”, Presidentin Ibrahim Rugova, ka theksuar ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Z. Jeff Hovenier.
Kjo nuk është hera e parë që Ambasada Amerikane në Prishtinë nderon dhe respekton Presidentin historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovën, duke venë në dukje vetitë e tija prej burrë-shteti dhe për vlerat njerëzore pro-perendimore: Frank Shkreli: KUJTOHET DR. IBRAHIM RUGOVA SI NJË KAMPION I LIRISË DHE NJË BURRË SHTETI QË NDANTE VLERAT AMERIKANE | Gazeta Telegraf — Duke marrë parasysh zhvillimet politike të fundit të botës shqiptare, sidomos absurditetin aktual të zhvillimeve politike në Shqipëri — figura e Dr. Ibrahim Rugovës sa vjen e rritet dhe shkëlqen, si një udhëheqës ndryshe ndërsa është kujtuar dhe kujtohet si udhërrfyesi i Kombit. At Zef Pllumi e ka cilësuar Presidentin historik të Kosovës, “Një ndër burrat e rrallë të kombit”, ndërsa Ismail Kadare, është cituar të ketë thenë se, “Rugova është pjellë e një kombi, e një aspirate dhe e një qytetërimi, botës shqiptare. Kjo botë ka nevojë sot të mbrohet.” Fatkeqësisht, Presidenti Rugova ka ikur nga kjo botë tepër heret, atëherë kur Kosova dhe Kombi shqiptar kishin më së shumti nevojë për një njeri si ai dhe për një zgjim dhe hov të pashterrshëm të ndjenjave për atdhedashuri të sinqertë, për një zëdhënës dhe për një përfaqsues autentik të vlerave stërgjyshore kombëtare, pro-perëndimore të shqiptarëve – pas një periudhe errësirë, të zezë sllavo-komuniste prej gjysëm shekulli. Të bazuar në një ideologji sllavo-aziatike e cila zbatonte brutalisht, si parim kryesor, shlyerjen – pikërisht — të këtyre vlerave kombëtare dhe të identitetit autentik kombëtar të shqiptarëve – një ideologji enveriste, trashëgimia tragjike e të cilës shihet qartë edhe sot në zhvillimet politike shqiptare, sidomos, në Shqipëri. Shikoni rreth e rrotull dhe më thoni kush nga të ashtuquajturit liderë aktualë të shqiptarëve, mbron sot cilësitë burrënore të Rugovës, për të cilat ka shkruar At Zef Pllumi, ose për “aspiratat dhe qytetërimin” e botës shqiptare të Dr Ibrahim Rugovës, të cilave u referohet Ismail Kadare? Shpresojmë në Presidenten e Republikës së Kosovës, Dr Vjosa e Osmani, e cila sot për sot duket se beson në ato vlera dhe po i promovon ato kurodherë që i paraqitet rasti.
Ndryshe nga politikanët e sotëm shqiptarë dhe partive të tyre politike — pjellë e Partisë së Punës (komuniste-enveriste), sidomos atyre në Shqipëri — Presidenti Ibrahim Rugova besonte në vlera kombëtare dhe vizion të qartë historik që ai i artikulonte edhe me të huajt, sidomos me miqtë e tij amerikanë, për të ardhmen e Kosovës dhe të Kombit shqiptar, në liri dhe demokraci, si dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara dhe me perendimin, në përgjithsi. Si asnjë udhëheqës tjetër i këtyre 30-viteve të fundit, ai ishte i bindur për rrugën që duhej të ndiqte Kombi shqiptar, nëqoftse dëshironte të hynte dhe të pranohej ndërshmërisht, në radhët e kombeve të përparuara të përendimit. Ai ishte i bindur në përkrahjen e perëndimit drejt kësaj rruge për shqiptarët, e sidomos në mbështetjen e të Shteteve të Bashkuara të Amerikes — drejt bashkimit dhe integrimit të Kombit shqiptar në aleancat me vendet perëndimore, ku sipas tij, aty ku, historikisht, e kishin vendin e vet shqiptarët.
Ibrahim Rugova kishte parime gjykuese dhe një kulturë e qytetërim njerëzor plot urtësi, të gërshetuar nga traditat dhe vlerat më të mira të Kombit shqiptar. Me shembullin e tij, ai gjithashtu tregoi se dashuria për popullin e vet dhe mbrojtja e interesave kombëtare, dëshmohet gjithashtu duke i ruajtur — mbi të gjitha — edhe nderin dhe respektin emrit shqiptar — një mesazh ky shumë i përshtatëshëm dhe tepër i nevojshëm edhe sot, sidomos, për politikanët aktualë, anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Kjo është dhe mbetet edhe njëra nga trashëgimitë e Presidentit të parë të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës: përfaqësimi me nder, burrëni dhe respekt i të drejtave dhe pëgjegjësive kombëtare, duke qenë i bindur në drejtësinë e kërkesave historike të shqiptarëve, përball padrejtësive shekullore.
Ç’prej se e kam njohur Ibrahim Rugovën – nga fundi të viteve 80-ta të shekullit të kaluar — ai asnjëherë nuk u lëkund nga vija e drejtë e shqiptarizmit dhe as nga idealet e tija. Fatkeqësisht, ai ka ndërruar jetë 16 vjetë më parë, pa qenë dëshmitar i fruteve të punës së tij, përfshir shpalljen dhe njohjen zyrtare të pavarësisë së Kosovës nga shumë vende të botës, e sidomos nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të cilat kurdoherë që fliste për Amerikën, përfundonte me fjalët, “Zoti e bekoftë Amerikën” dhe në “Miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara”. Nderimi dhe respekti i treguar për Dr. Ibrahim Rugovën në ditën e parë në detyrë të ambasadorit të Amerikës në Prishtinë, Z. Jeff Hovenier i shoqëruar nga Presidentja e Kosovës, Dr. Vjosa Osmani, tregon se epopeja e Rugovës nuk ka vdekur me të. Ai është duke lëshuar dritë përherë e më tepër për brezat, duke lulëzuar e duke dhënë fryte agimesh të reja e fatlume për Kosovën dhe për mbarë Kombin shqiptar – ashtu siç i ka hije një udhërrëfyesi dhe burri historik të një Kombi, madje edhe pas shkuarjes së tij në amshim. Një udhërrëfyes, një, “Hero kombëtar, madhështor e mendjemprehtë”, siç e ka cilësuar para disa vitesh, Presidentin historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovën, Presidenti i Amerikës, Xho Bajdën. Kjo është edhe arsyeja që Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës, Z. Jeff dhe Presidentja e Kosovës, Dr. Vjosa Osmani, e shihnin si një detyrim moral që të shkonin e të vendosnin një kurorë me lule pranë monumentit të arkitektit të Pavarësisë së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës — mbështetsit dhe mbrojtësit të vlerave, vërtetë, të përbashkëta shqiptaro-amerikane – këtij burri të madh të shqiptarisë dhe mikut të çmuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Frank Shkreli