Fjala shqipe dhé mbase qendron në emrin e perëndisë ilire të ujit Bind
Shkruan: PROF. dr. REXHEP DOÇI, onomasticient
Gjasët janë se fjala shqipe dhé qendron me trajtën e shkurtuar –d (de-dhé) në emrin e hyjnisë ilire të ujit Bind, po mbase edhe në fjalët e shqipes bindje si emër dhe bindem si folje. Po themi kështu, sepse sikur del kuptimisht se Bindi ilir lidhet me kultin e ujit, me ujin që buron (del) prej dheut (tokës), dhe për këtë dukuri ka gjasë se njerëzimi është habitur, çuditur për mirësinë, të mirën e pakrahasuar nga uji, dhe në këtë mënyrë edhe nga zoti i ujit Bind. Për Zotin Bind të burimit të ujit dhe përgjithësisht të ujit, të kroit, të detit etj. si kompozitë mund të jetë e përbërë prej dy fjalësh bin+d, pra nga: i binë (i mbirë, i bimë) + prej dheut, tokës. Po nga kjo fjalë mund të shpjegohen edhe shumë fjalë të tjera të shqipes me përngjitjen e –d-es për dhé, që i kam shqyrtuar në një libër në dorëshkrim.
Kështu, edhe te disa fjalë të shqipes, që i ndriçon prof. E. Çabej, mund të nxjerrim etimologji pak më ndryshe. Për shembull: fjala e shqipes bindje “mbush mendjen”, sidomos shembulli që e thekson bindi i botës, sipas nesh, mund të jetë si sintagmë tautologjike, e përbërë prej tri fjalësh: bin+dhe dhe botë “dhe”, ku dhe e botë si sinonime krijojnë tautologji. Fjalët e shqipes bind, lind e vend, që prof. E. Çabej i shpjegon gjerësisht, ne i kemi shtruar në mënyrë hipotetike, me anë të kultit ndaj dheut nëpër mote: bind = bin (bij) uji + nga dheu; lind = leu (fëmija, njeriu i parë) + nga dheu (Zoti e krijoi njeriun e parë prej dheut); vend = vë vu + në dhe (tokë të Zotit). Te këto fjalë të shqipes, ngjashëm si te fjala bind, d-ja fundore nuk është sekundare, siç thotë E. Çabej, po mund të jetë primare, dhe kështu unë e shpreh mendimin tim hipotetik për këtë fjalë në bazë të mendimit të Norbert Joklit dhe të Pedersenit, në bazë të të cilëve na njofton E. Çabej për fjalën lind, që u tha më sipër, se –d-ja te lind është primare si te shumë fjalë të gjuhëve indoevropiane.
Për lashtësinë e fjalës shqipe dhé sikur flasin edhe disa shprehje e shprehi, dukuri të ruajtura në traditën popullore shqiptare si bestytni ndaj kësaj fjale deri më sot ndër ne, p. sh. dëgjohen fjalët e urta popullore shqipe po për dheun e ujin: Dhe e uj s’ka pushtue dija; Dhe jemi kânë- edhe dhé do t’ bâhmi, apo: Dheu për ne dhe ne për dhe; Dheu i zi ban (bën) bukën e bardhë. Gjithashtu më kujtohet se kur barinjtë ose argatët (bujqit) në ara, pasi kanë ngrënë bukë (drekë), që nuk kanë pasur ujë me i la duart, pasi kanë ngrënë bukë, në vend të ujit i kanë fërkuar duart me dhe. Këto dukuri tregojnë traditën popullore shqiptare të kultit ndaj dheut, tokës e ujit si elemente primare për të jetuar.
Të gjitha këto të dhëna të mësipërme sikur e forcojnë prejardhjen e fjalës shqipe bind (bindem), e edhe emrin e hyjnisë pellasde-ilire Bind nga folja bin (bij), apo i bimë dhe –d për dhe, pra uji ose zoti i ujit i mbirë prej dheut. Për lashtësinë e hyjnisë pellasde-ilire Bind, dhe për ndryshime të mundëshme fonologjike e morfologjike të këtij emri nëpër kohë të mugëta, flasin edhe këto të dhëna në vijim.
Kështu, Radivoje Peshiqi (Radivoje Pešić), duke bërë fjalë për Alfabetin e Vinçës (Vinčansko pismo) te Beogradi, buzë Danubit, konstaton se ”Zbulimi i Alfabetit të Vinçës me shenjat e Lepenski Virit (kronologjia e të cilit alfabet përcaktohet i periudhës 7000 e 6000 vjet p. e. s.), si shkrime me burime më të vjietra në botë”, dhe se po sipas tij: “Uji për njeriun ka qenë element për ekzistencë, por edhe si nevojë shpirtërore, ashtu si zjarri. Tigri dhe Eufrati, si dhe Nili, Dnjepri, Dnjestri e Danubi ende nuk na kanë rrëfyer deri në fund tregimin për zhvillimin e civilizimit të tyre të çuditshëm të kulturës shpirtërore e materiale.” Pra, rëndësia e ujit për njeriun është çështje jetike, me rëndësi të pakrahasuar për njerëzimin dhe për çdo gjë që rritet mbi tokë, e për këtë arsye edhe emri i hyjnisë pellasde-ilire Bind është ngulitur pikërisht pranë ujërave, detnave, lumenjve, krojeve, liqejve etj. Por, R. Peshiqi përpiqet t’i shpjegojë etimologjitë e fjalëve të moçme, si p. sh. fjalën pelast pellazg sipas nesh gabimisht, kurse nuk e shpjegon fjalën vinçë, që e përdor edhe në titullin e veprës së tij “Alfabeti (shkrimi) i Vinçës”. Mbase te fjala vinç mund të kërkohet fjala bind, pikërisht tek emri i fortifikatës së rindërtuar Bindimiola te Danubi, që theksohet në veprën e Prokopit të Cezares “De aedificiis” (Mbi ndërtimet), të cilën vepër e shkroi rreth vitit 560 të e. s.
Si fortifikatë e rindërtuar mu buzë lumit Timok, jo forte larg Danubit, Bindimiola ndodhej “Në krahinën e qytetit AqueTimathiom…”.Për këtë hidronim Bindimiola flet edhe Ruzhdi Ushaku, duke e zbërthyer si togfjalësh – kompozitë Bindi + miola. Mirëpo, lidhur me analizën dhe zbërthimin e oikonimit Bindimiola, që e bën R. Ushaku, duke e ndarë në dy pjesë apo në dy gjymtyrë: Bind “zoti i krojeve” dhe miola “rrjedhë ose derdhje uji”, unë shoh jo dy po tri gjymtyrë: 1) Bin (për i binë, i bimë, i mbirë); 2) –d- (për dhé), dhe 3) miola (për rrjedhë uji). Pra, është më afër mendjes që ky oikonim të zbërthehet: Bindimiola = Bin+dhe+rrjedhë uji apo krua, që Bindi hyjni është përcjellë brez pas brezi te shqiptarët në hidronime dhe oikonime, si pjesë përbërëse e fjalorit pasiv të shqipes së sotme.
Fjala pellasde-ilire-shqipe da>de>dhé (tokë) në funksione onomastike (6)
Edhe togfjalëshat që i thekson R. Ushaku për perëndinë Bindo Neptuno të kohës romake dhe Bindimiola të shek. VI si “Bindi i Zotit, Bindi i dheut, Bindi i tokës, Bindi i botës”, sikur flasin në favor të zbërthimit etimololgjik: Bin+dhe+miola. Te këto togfjalësha me fjalët dhe, tokë, botë gjasët janë se kemi të bëjmë me sintagma tautologjike, me përsëritjen apo përforcimin e fjalës dhe, një e përngjitur dhe si e gjymtuar –d e protoshqipes te Bind për dhe, dhe tjetra si pjesë e sintagmës dhe, tokë, botë. Edhe te fjalët që i trajton R. Ushaku ven(d), katun(d) e fun(d) (për vend u tha më sipër se flet E. Çabej), –d-ja mund të mos jetë sekundare po primare dhe të kemi zbërthimin kuptimor në pjesët: vend = vë + dhe (vë apo vën në dhe, në tokë); katund = ka + tunje–shtektim + de-dhe (ka tundje, lëvizje në dhe, nëpër tokë për të kërkuar kullosa); fund = fun-i + dhe-u (funi në dhe, pasiqë në kosovarishte fjala fund përdoret edhe pa –d-enë si fun). Kështu, vetvetiu sikur del se antroponimi apo perëndia Bind i shtanguar në emërtimin e fortifikatës Bindimiol (njëra prej 360 kështjellave të rindërtuara e ndërtuara prej mbretit ilir Justinianit, sipas veprës së Prokopit të Cezaresë “Mbi ndërtimet” të viltit 560, që “perandori Justinian e fortifikon krejt pjesën e brendëshme të Ilirisë”, është shumë më e vjetër se sa viti 560 kur e përmend Prokopi i Cezaresë.
Por, perëndia ilire Bind, si figurë mitologjike ka gjasë të jetë më e lashtë se fjalët bindja dhe bindem, që përkojnë për nga përbërja tingullore, po ndryshojnë për nga pikëpamja kuptimore. Si dëshmi për përmendjen e zotit të ujërave Bind në traditën shiptare është edhe përdorimi i emrit të kësaj perëndie Bind nga shkrimtari i veriut, Ndre Mjeda, për të cilën çështje flasin autorët Gjovalin Shkurtaj e Ruzhdi Ushaku. Gjithashtu edhe D. Nikollë Gazulli mendoj se e paraqet tërthorazi këtë figurë me fjalën bind, sadoqë s’e përmend Bindin si hyjni ilire, sepse thotë: “Bindi (S. P.) 1. çudi, mrekulli. 2. send i çuditshëm, i mrekullueshëm: Bindi i Zotit: mirabile Dei (lat.). Ishte bindi i tokës: një mrekulli, për bind: mrekullisht”. Ngjashëm si D. N. Gazulli këtë fjalë bind e shpjegon kuptimisht edhe E. Çabej, por nuk e thekson as ky Bindin si hyjni ilire, sadoqë sikur kuptohet Zoti Bind, sepse thotë: “bind bindem…bind m. (çudi, habi), (çudi, mrekulli); send i çuditshëm, i mrekullueshëm, ishte bindi i botës, në Malësi të Madhe (Shkurtaj)…”. Fjalët e krijuara me rrënjorin bind- i ka paraqitur edhe Luka Lukaj në fjalorin e tij dygjuhësor të vitit 1935 shqip-srbohrvatisht (serbokroatisht) dhe anasjelltas, ku i merr 11 shembuj me interes për studim, për shembull, ja disa prej tyre: “bind, -i, (-a, -ë), m. div, čudovište, nevidšždeno: adv. začudjeno; bindshëm, i, (e, bindshme); bindtore, -rja f.; bindue, me bindue; bindun, i bindun”. Pra, siç po shihet këta studiues, D. N. Gazulli, E. Çabej e L. Luka nuk e përmendin zotin pelasd-ilir Bind, po shpjegimet që i bëjnë për emrin bindja dhe foljen bindem sikur del i qartë ky zot mitologjik i ujit-Bind, që në një mënyrë apo tjetër këto të dhëna bëjnë të ditur se kjo hyjni identifikohet me mitin për ujin, që del vrullshëm prej dheut, sepse D. N. Gazulli e cilëson bindi i tokës, kurse E. Çabej e sheh bindin e botës (dheut – R. D.) si çudi, habi, mrekulli, send i çuditshëm etj. Ndërkaq, edhe mendimi i R. Ushakut është i ngjashëm me mendimet e dy studiuesve të mësipërm për fjalën bind, siç konstaton: “Semantizmi i emrit bind në gjuhën shqipe i ngërthen kuptimet e mrekullisë, çudisë, admirimit, mahnitjes, por edhe të habisë, drojës, frikës, shëmtisë, veti këto hyjnore”, që gjithashtu për ne bën të ditur për kompozitën bind nga bij (i binë, i bimë) për ujë nga dheu. Kështu, edhe uji që del prej dheut (tokës) është menduar se e sjell zoti ilir Bindi, që gjoja se del, bin si një mrekulli, çudi e habi prej dheut, ashtu siç dalin edhe bimët, që gjithashtu edhe te fjala bimë mund të kërkohet folja bij.
Si antroponim ilir Bind, që ka të bëjë me emër teofor, e përmend edhe Vladimir Zoto, i cili e përshkruan me këto fjalë: “Bindus, zoti ilir i ujit, burimeve dhe plleshmërisë, i ngjashëm me Poseidonin grek dhe Neptunin romak…Bindus shpjegohet nga emri i shqipes bind, i cili ka kuptimin çudi, mrekulli”. Bindin si zot e cek edhe Faik Konica, për të cilin shton: “Besohet se Bindusi ishte perëndia e krojeve”. I theksuam këto mendime të këtyre autorëve për Bindin ilir, zot i krojeve, por, kur është fjala për F. Konicën, konkretisht për venlindjen e tij, po e vëj në spikamë një të dhënë kujtoj me rëndësi për atë anë të Epirit pellasd-ilir-shqiptar.
Fjalën e kemi për oronimin Pindi në Epir dhe për fshatin afër tij Konicë, vendlindjen e Faik Konicës, që, si duket, shkrimtari e mban këtë patronim Konica si ktetik, për të cilin lexojmë se: “Një anglez tjetër H. S. Breilford jep një përshkrim të saktë të mikut të tij – Faik Konicën…, i lindur në fshatin e lënë rrëzë Pindit, së shpejti u bë njëri ndër miqt e mi më të kulturuar”. Prandaj, shkrimtari dhe patrioti i devotshëm Faik Konica e thekson Bindin ilir mbase në bazë edhe të traditës, që kishte dëgjuar në mbamendjen trashëgimisë popullore, ku ishte rritur afër oronimit pellasdo-iliro-shqiptar Pindi. Kështu, pra, për Bindin në shqyrtim ka rëndësi oronimi Pindi, ku qendron i strukur me mija vjet emri i perëndisë pellasde-ilire të ujërave Bind, për të cilën trajtë gjuhësore Pind po i themi disa fjalë.
Po e krahasojmë, sipas dijetarëve, perëndinë pellasde-ilire Bind me hyjnitë romake e greke. Studiuesit kroatë zotin ilir të ujërave Bind në një mënyrë a tjetër e paraqesin më të moçëm se perëndinë romake të ujërave Neptun. Kështu, P. Skoku bën me dije se “Romakët i marrin zotërat e njerëzve vendas (e ka fjalën për zotërat ilirë-R. D.), p. sh. flijuesi nga Privilice te Bihaqi. Hyjnia ilire Bindus është barazuar me Neptunusin si Bindo Neptuno, pra zoti ilir Bind është njëjtësuar me atë romak”. Një barazim të tillë e bën edhe studiuesi tjetër kroat, D. R. Mioçeviq, i cili flet për “flijuesit nga Privilice te Bihaqi, …ku kulti i zotit të Japodëve Bind interpretohet si barazim me Neptunin (Bindo – Neptuno)”.
Kur është fjala për antroponimet apo emrat e hyjnive të ujërave Bindi tek ilirët, Neptuni te romakët dhe Posejdoni te grekët, edhe V. Zamarovskij e cek “POSEIDONIN (greq. Poseidon, lat. Neptuni), që ishte sunduesi suprem i perandorisë së madhe detare…”.Nga këto fakte të mësipërme të pamohuara po shihet qartë se në kontinuitet pellasdo-iliro-shqiptarët e kanë pasur hyjninë e tyre të ujërave, Bindin, romakët Neptunin dhe grekët Posejdonin, e, se cili ishte më i moçëm se shoqi, deri diku u pa nga mendimet e dijetarëve të mësipërmë, se prin Bindi ilir apo pellasdo-ilir.
Prandaj, sikur del se Bindi pellasd-ilir u trashëgua pa vetëdije, instiktivisht prej shumë popujve të asimiluar, sidomos popujve të asimiluar në Siujdhesën Ilire, kurse si i mirëfilltë u ruajtë më së miri në trevat ku jetonin dhe jetojnë shqiptarët, u trashëgua nga gjeneratat shqiptare në mënyrë pasive në onomastikë, si në patronime, oikonime të sotme në Binxhën e Klinës, Binçën e Vitisë dhe në oronimin Pindi të Epirit në Greqi. Secili prej këtyre tri hyjnive të lashta Bindi, Neptuni dhe Poseidoni të tre popujve të lashtë, siç u pa, kanë rëndësi të veçantë.
Zoti ilir i ujit Bind me trajta gjuhësore të mundëshme Vinç, Vinc, Vind, Vid, Vit (?)
Mirëpo, ka rëndësi se Zoti ilir i ujit Bind shfaqet nëpër motmote me trajta të nduarnduarta të mundësh, si Vinç, Vinc, Vind, Vid, Vit(?), etj. Kështu, Radivoje Peshiqi, kur flet për kulturën dhe alfabetin e Vinçës, cek ndër të tjera, se: “Pasardhësit e Pellastëve, ose se ata janë vetë pasardhësit e fisit pellazgjik…, dhe se dihet për prejardhjen e zhvillimin e shkrimit, si dhe të numrave etruskë, që njihen si romakë, kanë qenë në përdorim tek Etrurët në territorin (zonën) e kulturës së Vinçës qysh në mileniumin e IV p. e. s., edhe në pjesë të tjera shumë më të gjera”. U tha më sipër se R. Peshiqi e thekson zbulimin e Alfabetit të Vinçës edhe më herët se mijvjeçari IV p. e. s., në vitin 7000-6000 p. e. s., porse nuk ka bërë me dije se në çfarë forme fonetike ose morfologjike mund të jetë shfaqur atëherë emërtimi Vinça. Kemi arsye të mendojmë dhe ta identifikojmë emërtimin e sotëm Vinça te Danubi me oikonimin apo stacionin rrugor Vincaia afër Beogradit, që shfaqet në një hartë “Iliriku në shek. IV-VI”. Se a kemi të bëjmë me të njëjtin emërtim ilir Vincaia dhe Bindimiola, sa i përket identifikimit, nuk mund të themi asgjë prerazi, porse është e munshme që Bindi ilir të jetë shtanguar nëpër faza të ndryshme kohore me trajta të ndryshme. Për barazimin e Bindit ilir me Vinçën mijëvjeçare afër Beogradit flet edhe Ruzhdi Ushaku, siç shkruan, se vërehet “gjuhësisht dukuria e alternimit të b-së nistore me atë v…Në refleksin Binçë e Vinçë, ky i fundit si konkordancë toponimike me atë Vinça afër Beogradit, që si lokalitet e toponim na e kujton toponimin Vincea (duhet Vincaia – R. D., shih më sipër) afër Singidinumit (sipas një harte të Ilirikut Ballklanik nga shek. IV-VI), shohim burimin e prapashtesës c, (i)ç, (e)ç a (a)ç, nga një trajtë paraprake e prapashtesës latine te (Vin) – cea, ose (Vinin) – ac (ium)”.
Sa i takon këtij citati të R. Ushakut, po ndalem të dy çështje të cekura.
Fjala pellasde-ilire-shqipe da>de>dhé (tokë) në funksione onomastike (7)
Lidhur me shndërrimin e ballores b- në v-: bind > vinç pajtohem plotësisht. E, pos shembujve që i merr R.Ushaku: Ulqini>vicinium> Buciinium; Ulpianë>Beclano>Veclanum etj., po i shtoj për këtë dukuri edhe disa shembuj përforcues. D. R. Mioçeviqi e thekson fisin dhe vendin ilir të liburnëve Begija (Vegija), për të cilin bën të ditur: “Grafija e nistores labijale shfaqet më ndryshe te shkrimtarët … Etnonimi Begi, duke pasur parasysh vlerën e bashkëtingllores ballore-labijali B, që është shqiptuar Vegi (Vegii), ndërmjet dy fiseve liburne veriadriatike – Begija (Vegija) dhe Ortoplina”. Kur është fjala për përdorimin e B-s nistore te Bind edhe si Vind – Vint – Vinç – Vinc flet ndoshta edhe mendimi i arkeologut shqiptar, Vangjel Toçit, për emrin e etnonimit Venet, pas të cilit: “βένετος asht trajtë greke e emrit Venet…”. Ndërkaq, për shtrirjen e gjerë të Venetëve flet një shkrim i R. Peshiqit, se “Venetët në përgjithësi kanë jetuar në pjesët e gjera të Evropës dhe të Azisë së Vogël…dhe Venetët pikërisht nga Ballkani shkuan në Luftën e Trojës dhe pas humbjes u shpërndanë nëpër Evropë. Dihet se vendbanimi i tyre ka qenë në zonën e Podunavlës, nëpër luginën e Timokut dhe Moravës deri te burimi i Vardarit qysh para Luftës së Trojës”. Si shembull më tipik për shndërrimin e b-së ballore në v- është emërtimi bizantin në vizantija. Se ky emërtim bizant me b- nistore është më i lashtë se vizant flet prejardhja apo zanafilla e kësaj fjale.
Kështu, për këtë fjalë bizant në funksion oikonimi (vendbanimi) dhe për përhapjen e saj nëpër mijëvjeçarë flet kujtoj ky mendim i gjuhëtarit bullgar Ivan Duridanovit: “Byzάntion (Hdt., Thuk., Ptol. e të tjerë), B y z a n t i u m (Liv., Amin., Marc. etj.) – qyteti Vizantion në Bosfor (më vonë Konstantinopolis). Në këtë emëtim fshehet burimi i emrit të fisit me prapashtesën –antes dhe kuptimi i dhisë, baraz me avest. Būza (cap – dhi) nga ie. *bhǔg’o-s, pers. e re buz (dhi, cap), baraz me irl. e mesme boce, kimr. bwch (cap) etj.”. Sipas këtij mendimi fjala bizant-bizantin është fjalë thrakase me prejardhje nga trak. buza “dhi”, dhe indoevr. *bhǔg’o-s, me të cilin është formuar qyteti paraantik Byzantium, e më vonë Vizantion, dhe po aty më vonë është formuar Konstantinopoli apo Stambolli, dhe se s’ka të bëjë as gjuhësisht e as kuptimisht me elementin grek, që në shkrime të shumë studiuesve pothuajse pjesa më e madhe e marrin gabimisht si element grek terminin bizant.
Siç po shihet, zanafilla e emërtimit bizant është me nistoren b-, porsi fjala bind, dhe më vonë, me ndikimin e administratës, mbase greke, u bë vizant. Për këtë ndikim nga greqishtja të shndërrimit të b-s në v-, madje jo vetëm te tingujt në ballë të fjalës po edhe në brendi të fjalëve, sikur flet edhe mendimi i Shaban Demirajt, i cili konstaton (në shënim-fusnotë) që: “Tingulli b prej kohësh është shqiptuar si v. Sipas Thumb-it: 1926, 14, në Atikë kjo ka ndodhur në shekullin I të e. r. Sipas Schwyzer-it: 1959, I, 207 v. në lakonishte, kretishte, elishte ky evolucion ka ndodhur “qysh në kohën pararomake ”…”. Po kështu për përdorimin e disa onomave ose emërtimeve të njëjta onomastike herë me b e herë me v i gjejmë edhe në fjalorin e Gjuro Daniçiqit, që janë përdorur e përhapur më parë me b para periudhës greke, e me v nën ndikimin e kishës bizantine, që në fillim nuk ishte e mirëfilltë as greke e as sllave, por e përdorte abecenë greke në fillim e më vonë sllave, p. sh.: “Varlaamъ, Barlaam: 1347-48. Ndërmjet viteve 1389 dhe 1405 ishte një iguman i Deçanit me emrin Varlamъ; Vartslomei, Bartholomesus; Vasilievъ, Basilii: plak i pirgut Vasilieva në Hilindar; Vretanija, Britannia; Gavriilъ, Gabriel…”.Një dukuri të tillë të ndërrimit të tingullit b në v dhe anasjelltas e në pozicione të ndryshme të toponimeve e paraqet Petar Shimunoviqi, që e cilëson si “Element i huaj (romak) në toponiminë e ujëdhesës Braçë…”
Nga sa u tha më sipër, studiuesit pjesën më të madhe të dukurisë së alternlimit të b-së në v e cilësojnë disa si greke e disa si romake, e, ka edhe që e konsiderojnë si pararomake. Por, gjithsesi po konsiderohet ndikim i administratës së huaj. Ky ndikim i shndërrimit të fjalës pellasde-ilire-shqipe bind në vinc vërehet edhe në një patronim të shqiptarëve Vinca në katundin Veleshtë të Strugës në Maqedoni, që do të thotë se edhe ky patronim e ka prejardhjen prej zotit ilir të ujërave Bind (Janë dy profesorë në Prishtinë nga katundi Veleshtë i Strugës, dr. Nuhi Vinca dhe dr. Agim Vinca). Mirëpo, i këtij tipi i përafërt me antroponimin apo emrin e hyjnisë ilire të ujit Bind është edhe emri i shkrimtarit arbëresh të Italisë, Vinçenc Stratikoit. Po me këtë patronim të lashtë Vinca, e edhe si Vinça e Vinda, ka përplot patronime në Kroaci, prej të cilave po i përmendim disa, p. sh.: “Vincan, Vince, Vincek, Vinceković, Vincel, Vincen, Vincenc, Vincetić, Vinci, Vincić; Vinč, Vinčak, Vinčec, Vinček, Vinčetić, Vinčić; Vind, Vindačić, Vindakijević, Vindes, Vindić, Vindir, Vindis, Vindus, etj.”.
Siç shihet nga të dhënat e mësipërme të shndërrimit të b-së në v- te fjala bind > vind (vinc, vinç etj.) për zotin pellasd-ilir të ujërave, te shqiptarët është ruajtur trajta gjuhësore më e mirëfilltë në dy oikonimet topike (emrat e fshatrave) të sotme të Kosovës Binçë të Vitisë (Anamoravë) dhe Binxhë të Klinës (Dukagjin), si dhe të patronimit Binxhiu (Sefedin Binxhiu) në Gjakovë, e sidomos edhe mikrotoponimi Binxh, krua ( Bindža, izvor) te serbët rajë në Mojstir të Istogut. Mendoj se një hyjni ilire Bind mund të kërkohet edhe tek oikonimi Pidiq në Anamoravë (Gjilan).
Ngjashmërinë apo afrinë e oikonimit Pidiq me oronimin Pind në Epir, sidomos sa i përket lashtësisë së këtyre emërtimeve, si dhe zëvendësimit ose altërnlimit të ballores B- në P- nëpër kohë, sikur flet edhe mendimi i R. Ushakut, i cili emrin e hyut Bind e afron me oronimin Pind (gr. Pindos) në Epir dhe me hidronimin Barbana, sot Buna në Mal të Zi. Dhe, sa i përket tërheqjes së paralelës së mundshme fonologjike të pjesës së dytë Banna me Bindin ilir, që e bën R. Ushaku, sikur e përforcon mendimi i Risto Radunoviqit, pas të cilit “Boyan është emri i lumit në hartën e Ptolemeut të Irlandës antike”. Për një trajtë më të moçme dhe shtrirje më të gjerë hapsinore të Bindit pellasd-ilir-shqiptar flet edhe vlerësimi i Naser Ferrit, p. sh.: “Në vedat e besimeve hindu ndërkaq fjala bindu e ka kuptimin e Diellit. Hyjnesha e lashtë kelte e ujit Boand kishte elemente të përbashkëta me Bindin ilir: zjarrin, diellin dhe dritën nga uji. Besohej se pas vdekjes, Boand u shndërrua në lumin më të madh irlandez Boand (Boyne)”. Edhe këto të dhëna për praninë e formës gjuhësore fonetike bindu në vedat hindu, në lumin më të madh irlandez Boand (Boyne), dhe në pjesën e dytë të kompozitës Barbanna si Banna në Mal të Zi, përgjithsisht në trollin pellasd-ilir-shqiptar e përforcojnë prejardhjen e disa prej këtyre onomave në fjalë në vijimësi, pra, për prejardhjen e këtyre trajtave nga gjuha pellasde-ilire-shqipe bind.
Prandaj, kur është fjala për fshatin Binçë të Vitisë, mbase duhet krahasuar edhe oikonimin Binçë me emrin e qytezës Viti, një dukuri e mundshme nga: Bind>Vind>Vid>Vit, pra, me shndërrimin e fillestarës B- në V-, duke rënë -n-ja e rrënjës dhe duke u shurdhuar –d-ja fundore. Sa i përket rrënjorit vit-, oikonimi Viti përkon me oikonimet Vitak (Drenicë), Vitakovë (Zubin Potok) dhe Vitanoviq (Albanik-Leposaviq). E, nuk duhet lënë pa krahasuar me zotin Bind të ujërave tek ilirët edhe oikonimet e Kosovës Videjë i komuna së Klinës dhe Vidishiq e Vidimiriq të anës së Mitrovicës. Kështu, këto trajta të mundëshme të ngulitura nëpër kohë në oikonimet e mundshme të Kosovës: Binxhë, Binçë, Videjë, Vidishiq, Vidimiriq, Viti, Vitak, Vitakovë, Vitanoviq sikur dëshmojnë për përdorimin e shpeshtë nëpër kohë të perëndisë pellasde-ilire-shqiptare Bind, pra, me trajta të nduarnduarta dhe nëpër kohë të ndryshme në mënyrë edhe pasive u rrënjos në onoma të tilla. Dhe, si dëshmi për përdorimin e patronimeve me bazën vid- dhe vit-, sidomos në Siujdhesën Ilire (Ballkanike) flasin patronimet e kroatëve, që janë me qindëra, prej të cilave po i thksoj këto: “Vid, Vida, Vidačić, Vidaich, Vidajč, Vidak, Vidak-Ukas, Vidakić, Vidal, Vidan, Vidatić, Videc, Videk, Vidić, Vido, Vidos, Vidović, Viduš; Vit, Vitaić, Vitale, Vitas, Vitasek, Vitalić, Vite, Vitek, Vitelj, Vites, Vitić, Viti, Vitman, Vito etj.
Po t’i krahasojmë fonemat e fjalës bind, si kompozitë e errtë nga bij mbij, në vetën e tretë njëjës bin (bin ose del uji apo bima prej dheut) dhe –d për dhé, -i-ja dhe –n-ja të rrënjës dalin më të qendrueshme, më stabile nëpër mijëvjeçarë.
Në qoftë se i kemi parasysh fjalët e shqyrtura më sipër: Δα (te mbishkrimi i moçëm Adal eme); Adam “njeri prej dheut”; Damater “Dhe motër – Dhe nënë”, kemi arsye që te këto fjalë me rrënjorin Da- të kërkojmë fjalën e protoshqipes, e cila përmes dukurisë gjuhësore të metafonisë a>e dha fjalët: dhé, Adem e Demetër-Dhemetër, që si fjalë e tillë hyri në përdorim si fjalë e shumësit të singularizuar (pluralja tantum) dhé. Pikërisht trajtat e lashta të fundores -d (-de, -xh, -c, -ç, -t etj.) vërehen tek emri i hyjnisë ilire Bind – Bindho (ky i dyti edhe si matronim), që i vështrojnë studiuesit kroatë D. R. Mioçeviqi dhe P. Skoku. Këtë emër hyjnie ilire Bind e jepin edhe me prapashtesën latine –us, p. sh.: “Bindus-Neptunus, Bindus emër ilir është barazuar me Neptunus, emër romak”. Fjala e protoshqipes de për dhé ka gjasë se qendron në pjesën e dytë të onomave kompozitore ilire në trajtën Vinde në vend të Binde, që i gjejmë në librin “Ilirët dhe Iliria te autorët antikë”: “Vindelikët, vendelikët, banorët e Vindelikisë; Vindelika, krahinë; Vindenis, Vindinis, stacion rrugor”.
Fjala pellasde-ilire-shqipe da>de>dhé (tokë) në funksione onomastike (8)
Edhe te fjalia apo kryefjala e fjalisë, që e formulon R. Ushaku: “Dea e romakëve të vjetër nuk ka si kuptohet ndryshe por si Zoti i dheut, Zoti i tokës…”, nuk mund të pajtohemi se Dea është e romakëve, por më parë që Dea është pellasde-ilire-shqipare, që njihet edhe me emërtimin Dea dardane, dhe kështu te Dea, pra, kemi fjalën e tejlashtë dhé, siç u tha edhe më lartë, sidomos në bazë të pellasdologut Spiro N. Konda, që e citon J. Buxhovi. Kështu, fjala dhé si –d (-de) e përngjitur para mija vjetësh në emrin e hyjnisë pellasde-ilire-shqipare Bind me kohë e humbi kuptimin e mirëfilltë, por nëpër faza kohore është përforcuar apo përsëritur me fjalë të plota sinonimike apo tautologjike e dheut, e tokës dhe e botës.
Mbaresa –a tek onomat diakronike dhe sinkronike Binda Binxha mund ta ketë zanafillën nga një –o pellasde ose ilire. Po themi kështu sepse si antroponim ilir apo emër hyjnie ilire me Bindo, me –o-në fundore, e përmendin studiuesit kroatë, P. Skoku e D. R. Mioçeviqi. P. Skoku bën të ditur për trajtën Bindo Neptuno. Ndërsa, D. R. Mioçeviqi, jo vetëm që e përmend antroponimin Bindo te fiset ilire me mbaresën –o: Bindo Neptuno, Bindho, pra, e thekson edhe një matronim ilir, shton se janë “Emra teoforikë…Krahaso më tej edhe emrin norik të femërës Bindho me emrin e njohur të zotit japod Bind (Bindus-Neptunus)”.
Matronimi ilir Bindho, si më arkaik antik në krahasim me antroponimin ilir Bind, ka rëndësi të dyfishtë. Së pari, se shkrimi fundor me -dho sikur dëshmon më tepër për etimologjinë nga dhé, së cilës trajtë i ka paraprirë trajta -dho e më vonë dhá e sot dhé. Së dyti, për shndërrimin e –o-s pellasde ose ilire në shqipe në a, qoftë në fund apo në mes të fjalës kanë folur shumë dijetarë, ndër të tjerë edhe E. Çabej, N. Jokli, H. Bariqi etj.
Temë nga projekti “”Ruaj dhe zhvillo identitetin kombëtar duke shkruar, lexuar dhe folur shqip’’ – Informimi në gjuhën shqipe i shqiptareve në Mal të Zi dhe diasporë përmes faqes së internetit 2021”, pjesë e të cilit është përkrahur nga Fondi për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të pakicave në Mal të Zi.