Njëri nga grupet e sportistëve të rinj të KK ”Ulqini – Ana e Malit”

Klubi i karatesë ”Ulqini – Ana e Malit” ditë më parë ka postuar një shkrim rreth fillimit të aktivitetit të tij klubi në Anë të Malit. Ata për këtë falenderojnë Fondacionin Humanitar Shqiptaro-Amerikan ”Trojet Tona”, të cilët mbulojnë të gjitha shpenzimet, ushtrimet falas, kushtet dhe rekuizitet më bashkëkohore për sportin e karatesë për të gjithë fëmijët dhe të rejat e të rinjtë tanë të interesuar për t’u marrë me këtë sport fisnik në këtë trevë, thuhet ndër të tjera në këtë shkrim të këtij klubi.

Shkrimin mund ta lexoni në tërësi më poshtë.

TRADITA VAZHDON

Klubi i karatesë ”Ulqini – Ana e Malit” më 10.12.2021, përsëri ka filluar aktivitetin e vet në Anë të Malit, me iniciativën dhe përkrahjen e Fondit Humanitar Shqiptaro-Amerikan ”Trojet Tona”, të cilët mbulojnë të gjitha shpenzimet, ushtrimet falas, kushtet dhe rekuizitet më bashkëkohore për sportin e karatesë për të gjithë fëmijët dhe të rejat e të rinjtë tanë të interesuar për t’u marrë me këtë sport fisnik në këtë trevë.

Mirënjohje dhe falënderime të pafund për udhëheqësit e Fondit Humanitar Shqiptaro-Amerikan ”Trojet Tona”, për të gjithë kontribuesit bashkatdhetarët tonë që kontribojnë dhe ndihmojnë vendlindjen në çdo aspekt, ju jeni për çdo lëvdatë. Faleminderit që mundësuat rihapjen e Klubit të Karatesë “Ulqini – Ana e Malit” në Anë të Malit për të vazhduar aty ku u ndalëm 8 vite më parë, kur në vitin 2013, për shkak të mungesës së sallës adekuate dhe kushteve të duhura për stërvitje, veprimtaria e klubit në Anë të Malit u ndërpre. Sot, falë Jush 80 të rinj të Anës së Malit kanë mundësi të merren me sportin e karatesë dhe ky numër vazhdon të rritet dita ditës. U dëshmua qartë që kontributi i Juaj është në rrugë të drejtë që edhe të rinjtë e Anës së Malit të kenë mundësinë të merren me sportin e karatesë si në çdo vend tjetër dhe kjo traditë e Klubit të vazhdojë. Sporti i karatesë vërtetë është sport luftarak vetëmbrojtës, por kjo s’do të thotë që stërvitjet janë të orientuara vetëm për të luftuar fizikisht në arenat sportive, duke arritur një nivel të lartë të përgatitjes fizike, por përveç kësaj fëmijët forcohen edhe psiqikisht, të disiplinuar e me mendje të qetë, mësojnë respektin ndaj njëri-tjetrit dhe bëhen luftëtarë të aftë për t’u ballafaquar me sfidat jetësore.

Për hir të informimit Tuaj, në vazhdim do të japim një historik të shkurtër të klubit tonë.

Klubi i karatesë “Ulqini” është klubi i parë i karatesë në komunën tonë dhe ndër të parët në Mal të Zi dhe më gjerë. U themelua në vitin 1975 pranë Shoqatës Sportive në Ulqin, ndërsa si klub i pavarur u regjistrua në vitin 1985. Nëpër këtë klub kanë kaluar me dhjetëra mijëra anëtarë, e në mesin e tyre shumë garues të suksesshëm. Mbi supet e veta garuesit e Klubit të karatesë “Ulqini” mbajnë shumë tituj e trofe nga të gjitha arenat e mundshme vendore, kombëtare e ndërkombëtare. KK “Ulqini” ka një histori të begatë sportive, edhe sa i përket rezultateve 46-vjeçare, edhe miqësive që ka lidhur anë e mbanë botës duke përfaqësuar vendlindjen, Ulqinin, emrin që me krenari e mbajnë. Me plot gojë mundë të pohohet që KK “Ulqini” është klub i të gjithë qytetarëve i udhëhequr nga njerëz të cilët i takojnë të gjitha trevave të komunës së Ulqinit, pa kurrfarë interesi personal. Kjo traditë përcillet brez pas brezi me një qëllim për të edukuar gjeneratat e reja në frymë sportive që të jenë sportistë të vërtetë me të gjitha virtytet më të larta njerëzore.

Hapat e parë të karatesë në Ulqin dhe të këtij klubi u hodhën para 47 viteve në Shtoj të Ulqinit dhe në qendër të qytetit, duke edukuar shumë të rinj në këtë sport fisnik. Ky ishte vetëm fillimi. Kah fundi i vitit 1989 Klubi i karatesë “Ulqini” formon seksionin e vet në Anë të Malit “Ana e Malit”. Stërvitjet zhvilloheshin në Krythë dhe Katërkollë dhe në atë kohë karateja ishte i vetmi sport në Anë të Malit që ushtrohej në mënyrë të organizuar. Si klub i regjistruar në Ministrinë e Sporteve dhe Federatën e Karatesë të Malit të Zi në mënyrë profesionale udhëhiqte të rinjtë e Anës së Malit në turnetë e nivelit më të lartë të këtij sporti. Nga kjo trevë sot ka shumë emra të njohur në sportin e karatesë, garues të njohur që mbajnë tituj nga të gjitha arenat vendore, kombëtare e ndërkombëtare. Sot nga këta garues dolën trajnerë dhe referë të njohur në sportin e karatesë, të cilët vazhdojnë të punojnë me të rinjtë tanë të mbarë komunës së Ulqinit. E veçanta e këtij klubi është se veproi pa ndërprerje në Anë të Malit që nga viti 1989 për 24 vite me rradhë. Në vitin 2013, për shkak të mungesës së sallës adekuate për stërvitje dhe kushteve të duhura për stërvitje, veprimtaria e klubit në Anë të Malit u ndërpre.

By admini