Kryetari i Kuvendit të Komunës së Ulqinit z. Haxhi Sulejmani ka gjetur një mënyrë të veçantë për të uruar Vitin e Ri 2022. Në një kumtesë për opinion ai tregon se në seancën e fundit kuvendit janë miratuar një sërë vendimesh me rëndësi për qytetarët e komunës.

Më poshtë mund ta lexonit të plotë kumtesën për opinion të z. Haxhi Sulejmani.

        

    Të nderuar qytetarë të Komunës së Ulqinit,

Në emër të Kuvendit të Komunës së Ulqinit dhe në emrin tim si Kryetar i Kuvendit ju uroj nga zemra Gëzuar Vitin e ri 2022.

Njëherit dëshiroj t’u njoftoj se Kuvendi i Komunës së Ulqinit, e ka mbyllur vitin pandemik 2021 me sukses. Në seancën e fundit Kuvendi ka miratuar një sërë vendimesh me rëndësi për qytetarët e komunës. Ndër vendimet kryesore po përmendi vetëm disa: miratimi i Buxhetit të Komunës për vitin 2022, pastaj Verifikimi i Programit për ndryshimin dhe plotësimin e Programit për ngritjen e përmendores kushtuar heroit jo vetëm shqiptar, por edhe më gjerë, Gjergj Kastriotit Skenderbeut, e po ashtu është miratuar edhe Vendimi për verifikimin e Vendimit për ndryshimin dhe plotësimin e Programit për ngritjen e përmendores kushtuar heroit dhe udhëheqësit legjendar Gjergj Kastrioti Skenderbeu. Me këtë rast dëshiroj të theksoj se për punimin e bazamentit të përmendores sëhtë shpallur edhe tenderi. Pra, së shpejti përmendorja e Skemderbeut do të jetë edhe në qendër të Ulqinit.

Me shumë rëndësi janë edhe dy përfundime të miratuara e që kanë të bëjnë me riemërimin e Bibliotekës së Ulqinit me emrin e autorit të librit të parë në gjuhën shqipe, Gjon Buzuku, si dhe me emërimin e shtëpisë së kulturës me emrin e Ali Ulqinakut. Dy pikat e fundit janë propozuar nga klubet e këshilltarëve, por më ka habitur fakti se megjithëse e kanë nënshkruar propozimin për riemërimin e bibliotekës dhe emërimin e shtëpisës së kulturës, klubi i këshilltarëve të Forcës së re demokratike nuk ka marrë pjesë në votim. Sidoqoftë edhe këto dy pika janë miratuar, ashtu siç është miratuar edhe pika që ka të bëjë me formimin e komisionit për qytetar nderi në Komunën e Ulqinit.

Në fund edhe një herë të gjithë qytetarëve të Komunës së Ulqinit ju uroj Gëzuar vitin e ri 2022. Qoftë ky vit i kthimit në normalitet të jetës, ekonomisë dhe mirëqenies së qytetarëve.

G Ë Z U A R

By admini