Nga  Qani Osmani

  Jo rrallë dëgjojmë se artistët e vërtetë, qofshin poet, aktor, muziktarë, piktor ose skulptorë jetojnë shkurt, por pas vetes lënë gjurmë të pashlyeshme. Gjithashtu, nga burime të ndryshme kuptojmë se jeta e tyre është e vështirë, e ngjeshur, dinamike, përplot aktivitete, nga shkaku se ata njerëzimit ia dhurojnë mendjen e kulluar, djersën e peshuar dhe shpirtin e paqmë. Sa e sa herë kemi qenë dëshmitarë të promovimeve, ekspozitave, koncerteve, mbrëmjeve poetike dhe ngjarjeve të tjera kulturore ku, mes tjerash, është thënë se filan artisti ka qenë fëmijë i çuditshëm, se tjetri ka bërë kryevepra, se i treti ka bërë të pamundshmen, se i katërti ka qenë gjeni, se i pesti ka jetuar në mjerim…, se artistët e denjë ose të mëdhenj të artit e kan paguar famën e tyre përmes jetës së shkurtër, duke u endur nga poezia në fabul, nga tregimi në roman, nga sonata në suitë, nga sinfonia në operë, nga fotografia në pikturë, nga aktrimi në balet…

  Të preokupuar tërësishtë nga arti i tyre, artistët gjatë jetës nuk kanë bërë gjë tjetër, përpos veprave të rëndësishme, të përsosura, madhështore , përpos kryeveprave të papërsëritshme. Ata, si duket, nuk e kanë matur jetën përmes numrit të frymëmarrjeve, por përmes numrit të ngjarjeve që të lënë pa frymë. Nevoja e njeriut për kënaqësitë e përkohshme, përkundër rrezikut të përhershëm, si duket është më e theksuar pikërishtë në natyrën e artistit, tek ai i cili, ngjashëm sikur krimineli, frikohet të mos burgoset, sepse ka nevojë për lirinë më shumë se kushdo tjetër, nevojë të domosdoshme për ta bërë “krimin” e radhës.

   Artistët e vërtetë asnjëherë nuk bien në pajtim me botën e rëndomt. Ata janë të ndjeshëm dhe preken nga gjithçka që ndodh rreth tyre. Të frymëzuar nga atmosfera e hapësirës ku jetojnë, nga ngjyrat, zërat, emocionet, nga rrethanat dhe njerëzit, artistët futen në botën e tyre, sepse arti është më i durueshëm sesa jeta. Artistët e interpretojnë botën më ndryshe nga njerëzit e tjerë. Ata reflektojnë ide dhe pikpamje të reja, vendosin parime dhe rregulla për një liri më të madhe, për një të ardhme më të ndritur. Ata përpiqen të sjellin dritë në thellësinë e zemrës së njeriut.

  Vepra e artistit është fryt i nevojës së thellë që lind vetëm atëherë kur të jetë pjekur brenda tij; ajo nuk krijohet sipas afateve, sipas porosive, nuk bëhet për hirë të publikut, por për hir të vetë artistit, andaj nuk ka çmim, ajo dhurohet. Pra, kjo është vepra e vërtetë artistike, krijim i artistit të madh, me mendje, ndjeshmëri dhe imagjinatë të madhe, me shpirt dhe talent të madh, me ndërgjegje të plotë. Kjo është puna e njeriut që vazhdimisht ec rrugës nga inspirimi në transformim, sepse “artisti nuk kënaqet me horizontin, ai kërkon pafundësin”. Njeriu artist përpiqet të krijojë rend brenda realitetit kaotik, sepse fantazia e tij është realitet më i bukur se realiteti i rëndomtë. Gjatë këtij tentimi, sado që të jetë i vetmuar, artisti ka fuqi të mjaftueshme për vullnet për t’u kundërvënë edhe diktaturave më të rrepta, përkundër ndëshkimeve, dënimeve dhe torturave të egra. Ai nuk i përket shtresës shoqërore që është e plogësht, as turmës që manipulohet lehtë, as grupeve të paedukuara dhe të paorganizuara. “Më mirë të jetosh një ditë si luanë sesa një mijë vjet si dele” thotë një fjalë e urtë popullore.

  Artisti i vërtet është gjithnjë revolucionar, progresiv dhe vizionar. Ai, duke e pikturuar errësirën, e paraqet në fakt dritën, duke pikturuar vdekjen, e shfaq vet jetën. Përmes muzikës së kompozuar, ai përpiqet që te dëgjuesi të sjellë paqe në mes egos dhe vetëdijes. Ai edhe kur shkruan për zogun, lulen, gurin, diellin,…e paraqet njeriun, atë qenie të çuditshme që për mijëra vjet me radhë në pronën e vet kultivon dashuri, xhelozi, përtaci, hipokrizi, mirësi e shumë të tjera veçori. Artisti i vërtetë është ai që emocionin dhe imagjinatën e vet e shndërron, pa asnjë lloj interesi, në nota muzikore, që i shkruan në letër, në formën që e gdhend në gur, në lëvizjet që i bën në skenë, në tekstin që e lexon para publikut, duke provokuar ndjenja krenarie, gëzimi, trishtimi, përmallimi…

  Nuk mund të quhet artist ai i cili në emër të artit bën mashtrimin, abuzimin, krimin apo veprimin e pandershëm, ai që me “veprat e veta” bën tregti. Vepra artistike nuk bëhet hesap me para, ajo është e pallogaritshme, ajo ka të tjera kritere vlerësimi e llogaritjeje. Artist nuk mund të quhet sahanlëpirësi, ai që ulet në prehrin e sunduesit, ai që vesh petkun e çdo partie politike, ai që nuk ka as edhe një fije morali. Artistët e tillë janë të vdekur për gjatë tërë jetës. Artisti i vërtetë është jopolitik, është rebel me zemër të madhe, siç thoshte Tolstoi i madh, “ndër të parët që vëren se kënaqësia e të pasurit ndërtohet mbi lotët e të varfrit”.

  Dhe, pikërisht këto janë arsyet që fati personal i përditshëm i shumë artistëve është kaq i pakëndshëm dhe madje tragjik, madje kjo jo vetëm për shkak të rrjedhës fatale të rrethanave, por për shkak edhe të natyrës së tyre të ndjeshme, njerëzore, për shkak të shpirtit të tyre artistik. Jeta e artistëve është e shkurtër, por gjurmët e tyre shkëlqejnë në pafundësi. Të mëdhenjtë e artit janë pjesë e pandashme e jetëve tona. Jeta jonë do të ishte e pakuptimtë pa veprat e tyre. Ne frymojmë vetëm falë artit të tyre.

By admini