Në propozimin e kryeministrit të Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, për riformatimin e qeverisë, rritja e numrit të qeverive mund të koincidojë më hyrjen e partive të pakicave në qeveri. Krivoakpiq javën e ardhsme do të takojë përfaqësuesit e pakicave për të biseduar për rekonstruksionin e qeverisë, shkruan Ulqini Online.
Se a është koha që partitë e pakicave në këtë kohë të jenë pjesë e qeverisë, dilemat janë të mëdha.
Gazetari i njohur në qytetin e Ulqinit dhe njëheri profesor në Universitetin ”Luigj Gurakuqi” në Shkodër, z. Ismet Kallaba, mendon se, për shumë arsye, ky nuk është momenti i duhur që partitë shqiptare, gjithnjë në rast të ftesës dhe mundësisë, të hyjnë në qeveri.
‘’Edhe sikur të hynin në qeveri, ndikimi i partive shqiptare do të ishte minimal. Pesha e shqiptarëve në një qeveri të tillë do të ishte e papërfillshme duke pasur parasysh forcën politike të dy grupimeve më të mëdha që e përbëjnë qeverinë. Shqiptarët dhe partitë e tyre nuk kanë nevojë të jenë pjesë e drejtpërdrejtë e luftës ndërmjet bllokut malazias dhe atij proserb. Ata po ashtu nuk guxojnë të bëhen pjesë e lojës dhe e luftës ndërmjet partnerëve të koalicionit qeverisës. Kriza politike reale ndërmjet partnerëve të koalicionit qeverisës nuk mund të zgjidhet nëpërmjet partive të pakicave, por atë duhet ta zgjidhin ata që e kanë shkaktuar. Nëse pjesa dominuese e koalicionit qeverisës don t’i ketë votat e partive të pakicave si rezervë në rast të daljes eventuale nga koalicioni të Lëvizjes Qytetare “Ura”, apo edhe më keq për ta shantazhuar atë, atëherë partitë shqiptare dhe ajo boshnjake nuk duhet dhe nuk guxojnë të jenë pjesë e kësaj loje. Në këtë prizëm, për t’i paraprirë një skenari të tillë dhe si kundërpeshë ndaj ftesës ndaj partive të pakicave për t’u bërë pjesë e qeverisë me rastin e rikonstruktimit të saj, duhet kuptuar edhe takimin e kryetarit të LQ “Ura” dhe zëvendëskryeministrit Dritan Abazoviq me krerët e partive të pakicave’’, shkruan z. Kallaba në një shkrim të tij të pak kohëve më parë.