“Përfaqësimi i femrës shqiptare në jetën politike në Mal të Zi”, i botuar kohë më parë nga autorja e re, Kristina Margjonoviq, është pasqyrim i gjendjes në këtë fushë si dhe për rolin e femrës në shoqëri.
Libri është botuar në shqip dhe, krahas pasqyrimit të zgjidhjeve normative për përfaqësim të barabartë dhe pjesëmarrjen e femrës në jetën politike, tërheq vërejtjen në domosdoshmërinë e avancimit të gjendjes në këtë fushë, në veçanti, në organet e përfaqësimit dhe të vendimmarrjes, me të dhëna krahasuese për një periudhë të gjatë.
Ky punim, duke shfrytëzuar të dhëna të shumta nga jetësimi i demokracisë parlamentare, në Mal të Zi, tregon në përfaqësimin joadekuat të popullatës femërore në organet e përfaqësimit, duke filluar nga organet ato vendimmarrëse në nivelin lokal e deri në atë më të lartë.
Po ashtu, tërhiqet vërejtja në fuqizimin e zbatimit të zgjidhjeve Kushtetuese dhe ligjore në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të gruas me ç’gjë roli dhe pozita e gruas në shoqëri do të ishte në nivelin më të lartë.
Andaj, ajo paraqet apel të llojit të vet për angazhime shtesë të shoqërisë në përgjithësi, në zbatimin e standardeve në afirmimin e popullatës femërore, në veçanti, në proceset e demokratizimit dhe integrimeve në shoqërinë e gjerë evropiane.
Ky punim, autorja e të cilit është profesoresha, specialiste e letërsisë dhe gjuhës angleze, është shtypur në shtëpinë e njohur botuese “Fiorentia”, Shkodër.
Libri është botuar me përkrahjen financiare të Fondit të Pakicave në Mal të Zi.