Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi i ka dërguar shkresë në lidhje me ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për regjistrat e vendbanimit dhe vendqëndrimit kryeministrit të Malit të Zi, prof. dr. Zdravko Krivokapić,  zëvendëskryeministrit, dr. Dritan Abazoviq,  kryetarit të Parlamentit të Malit të Zi, z. Aleksa Bečić dhe ministrit të Punëve të Brendshme, mr. Sergej Sekulović.

Më poshtë mund të lexoni shkresën drejtuar Kryeministrit Krivokapić,

QEVERISË SË MALIT TË ZI

Drejtuar Kryeministrit, prof. dr. Zdravko Krivokapić

P O D G O R I C Ë

I nderuar Kryeministër Krivokapić,

Ditëve të fundit, nga mediat e ndryshme kemi mësuar për iniciativën e Qeverisë së Malit të Zi, konkretisht të Ministrisë së Punëve të Brendshme, lidhur me ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për regjistrat e vendbanimit të përhershëm dhe të përkohshëm, ku siç kemi mësuar, ndër më thelbësoret është mundësia që do të krijojë Ligji i ri, për heqjen (fshirjen) nga regjistrat e listave zgjedhore (e drejta e votës) e bashkatdhetarëve tanë, të cilët përkohësisht punojnë dhe jetojnë në vende të ndryshme të botës.

Në një kohë kur jeta është bërë shumë dinamike, lëvizjet dhe udhëtimet për arsye pune e të tjera janë rritur ndjeshëm, në kohën e zhvillimit të hovshëm të teknologjisë, e cila e ka bërë shumë të lehtë komunikimin dhe kryerjen e punëve nga distancat kilometrike, në vend që Shteti i Mali i Zi  të bëjë propozime për lehtësimin e procedurave dhe burokracive për qytetarët e vet, të cilët aktualisht jetojnë në diasporë, t’ju mundësojë të votojnë për qeverinë në vendlindje në menyrë elektronike, nëpër ambasada e konsullata, pa pasur nevojë të jenë fizikisht këtu, sot dëgjojmë për iniciativa, të cilat shkojnë në drejtim të kundërt me zhvillimin dhe na kthejnë pas në të shkuarën.

Duke e ditur se pjesëtarët e diasporës tonë kanë emigruar në vende të ndryshme të botës, pjesa më e madhe jo me dëshirë, por për shkaqe nga më të ndryshmet që kanë ndodhur, nisur që nga diskriminimi politik, etnik, luftrat në ish Jugosllavi, situata e rëndë ekonomike, humbja e vendeve të punës etj. Megjithatë, edhe pse janë larguar nga vendlindja, ata vazhdimisht kanë kontribuar dhe kontribuojnë për vendlindje në forma të ndryshme nga remitancat, përmes të cilave për një kohë të gjatë është ruajtur stabiliteti socio-ekonomik në kohërat më të vështira për Malin e Zi, e deri më sot që vazhdojnë me ndihma financiare, me ilaçe e mjete të tjera të nevojshme për përballimin e pasojave të pandemisë Covid-19, po aq përmes investimeve në vendlindje, hapjen e bizneseve, zhvillimin dhe valorizimin e pronave të veta etj.

Siç ne e kemi kuptuar deri tani, ndonëse ende jo zyrtarisht, propozohet “ndreqje-korrektimi” i Regjistrit për vendbanimet e përhershme dhe të përkohshme, që nënkupton heqjen ose fshirjen nga regjistrat e gjithë atyre që nuk gjenden në moment të caktuar në shtëpi, apo nuk paraqiten në organet përkatëse për t’u regjistruar si banorë në një afat kohor të përacaktuar. Si pasojë e këtij procesi ata që nuk vetregjistrohen si banorë, nuk do të jenë më as në regjistrin e votuesve në Mal të Zi, shkaku se përkohësisht ndodhen me punë në diasporë, shumica e të cilëve planifikojnë që një ditë të kthehen në vendin e tyre, në shtëpitë dhe trojet e të parëve.

Për shqiptarët në Mal të Zi kjo iniciativë është e pakuptimtë, përveçse kuptimin i’a japin dyshimet se pas kësaj iniciative fshihen qëllime të caktuara politike për t’u arritur në të ardhmen. Për ne kjo është e papranueshme, e dëmshme, tendencioze, sigurisht edhe me pasoja sa i përket treguesve të strukturës etnike në të ardhmen, si popull autokton në këto troje, me tradita e prona të trashëguara brez pas brezi. Ju njoftojmë se qëndrimet tona për këtë çështje janë të qarta. Jemi kundër ndryshimeve të cilat synojnë të dëmtojnë, diskriminojnë e “përjashtojnë” diasporën tonë nga proceset e ardhshme në Mal të Zi, të cilat, po ashtu, vlerësojmë se do të kenë ndikim negativ të drejtpërdrejtë edhe për shqiptarët që jetojnë këtu. Po ashtu, vlerësojmë se diaspora duhet të ketë përparësi absolute për çdo vendimarrje në Mal të Zi, madje përpara të gjithë atyre që kanë ardhur së fundmi nga vende të ndryshme të botës dhe jetojnë këtu që disa vite.

I nderuar Kryeministër, Ju lusim të rishqyrtoni edhe një herë qëndrimet lidhur me këtë çështje, të merrni mendim nga pjesëtarët e të gjitha komuniteteve që përbëjnë Malin e Zi, mos e shtyni më tutje këtë iniciativë në këtë formë që është prezantuar deri tani, e cila mendojmë nuk do të sjell asnjë të mirë për Malin e Zi, aq më pak pjesëtarëve të pakicave kombëtare. Në të kundërtën, jemi të detyruar të punojmë e angazhohemi me të gjitha mjetet demokratike kundër kësaj nisme, me qëllim që të drejtat e bashkatdhetarëve tanë që ndodhen në diasporë, të mos cenohen, por të avancohen.

Me shpresë se përmes dialogut e mirëkuptimit do të bëhet më e mira e pranueshme nga të gjithë, Ju urojmë punë të mbarë!

Kryetari,

Faik Nika

Dërguar:  

  • Zëvendëskryeministrit të Malit të Zi,  dr. Dritan Abazoviq
  • Kryetarit të Parlamentit të Malit të Zi, z. Aleksa Bečić
  • Ministrit të Punëve të Brendshme, mr. Sergej Sekulović

By admini