Nga Gladiola Jorbus
Feministe, publiciste, patriote dhe diplomate, e mirënjohura Dora d’Istria solli në vëmendje çështjen shqiptare në arenën botërore. Gruaja fisnike ishte mbështetëse e guximshme e kësaj kauze për shkak të prejardhjes së saj atërore dhe dëshironte të sensibilizonte popujt e tjerë në lidhje me të.
Dora d’Istria, pseudonimi i dukeshës Helena Koltsova-Massalskaya, e lindur Elena Gjika, (Bukuresht, 22 janar 1828 – Firence, 17 nëntor 1888) ishte një shkrimtare dhe fisnike rumune, me origjinë shqiptare, përfaqësuese e romantizmit dhe e feminizmit, e konsideruar si Mary Shelley e Evropës Lindore.
Ajo u martua me dukën Alexander Koltsov-Massalski me të cilin jetoi disa vjet në Rusi, kryesisht në Shën Petersburg, ndonëse Dora kurrë nuk i çmoi pikëpamjet nacionaliste të burrit të saj apo fanatizmin ortodoks lindor të oborrit perandorak. Ndërsa shëndeti i saj po përkeqësohej për shkak të klimës, ajo ndoqi këshillat e bashkëshortit të saj dhe udhëtoi në Evropën Qendrore. Së pari vizitoi Zvicrën dhe më pas u largua drejt Greqisë e Anadollit. Më në fund, mbërriti në Itali ku jetoi në një vilë në Firence, teksa herë pas here udhëtonte në drejtim të Francës, Irlandës apo Shteteve të Bashkuara.
Ajo u cilësua si një ndër gratë më erudite të shekullit XIX dhe solli në vëmendje që përpara dy shekujve, argumentet mbi origjinën e pabarazisë midis gjinive; një dukuri kjo me natyrë thellësisht sociale.
Midis të tjerash botoi artikuj dhe studime si “Kombësia Shqiptare, sipas këngëve popullore” dhe “Shqiptarët e të dyja anëve të Adriatikut”, të cilat argumentojnë ekzistencën e kombit shqiptar, trashëgiminë artistiko – kulturore, letërsinë gojore, folklorin e kostumografinë unike të të gjitha trevave shqiptare.
Dora d’Istria shkroi: “Populli shqiptar, një nga më të vjetrit në Evropë, meriton të jetë i lirë për të zhvilluar aftësitë e tij krijuese… “.
Asokohe, gratë natyrshëm përjashtoheshin nga mundësia për t’u shkolluar, dhe rrjedhimisht nuk mund të ishin pjesëmarrëse, as në jetën publike e as në atë politike.
Elena Gjika synonte të çlironte shoqërinë nga vargonjtë e një mendësie të prapambetur që emfazonte stereotipet e vjetëruara, në lidhje me rolet femërore dhe mashkullore apo që evidentonte inferioritetin e gruas.
Dora d’Istria u mbështet në panoramën evropiane të kohës për të shprehur mendimet e saj inovative dhe krijuese në lidhje me rëndësinë e arsimit, duke theksuar se edukimi moral zë një vend serioz dhe realizohet përmes edukimit familjar. Kontributi i saj në kulturë e në politikë ishte i ndjeshëm në sajë të botimeve të shumta.
Në artikujt, në veprimtarinë e saj intelektuale dhe në të gjitha temat që lëvroi, Dora d’Istria nxorri në pah nivelin kulturor, kozmopolitanizmin e tolerancën, ku lajtmotiv kishte vlerësimin ndaj gruas.
Ishte njohëse dhe zotëruese e disa gjuhëve si: frëngjisht, anglisht, gjermanisht, rusisht, greqisht, latinisht, shqip dhe padyshim rumanisht. U përpoq të krahasonte me njëra-tjetrën kultura dhe tradita të ndryshme, sepse vetëm duke bërë referenca në kulturën e një vendi mund të hulumtosh e ndikosh në përmirësimin e tij. Dora d’Istria shfaqi interes për gjendjen e grave në vende të ndryshme të kontinentit evropian, përfshirë Rumaninë, Bullgarinë dhe Shqipërinë.
Ajo kishte për zemër politikën, shkencat natyrore, fenë, filozofinë, estetikën dhe besonte fort se kultura e Evropës Perëndimore kishte epërsi ndaj asaj së Evropës Lindore, ndaj donte të mbështeste dhe të ndikonte sa më shumë në emancipimin kulturor, përtëritjen e poezisë dhe përqafimin e prozës.
Një meritë tjetër që Dora d’Istria ua atribuonte grave ishte aftësia e tyre për të rritur ndërgjegjësimin në favor të paqes. Si një mbështetëse e flaktë e idealeve të lirisë, ajo ishte pro demokracisë dhe në mbrojtje të të shtypurve e të dobtëve.
Veprimtaria e saj mori vëmendje dhe nga gjenerali italian Giuseppe Garibaldi (Xhuzepe Garibaldi) i cili e quajti atë “një heroinë, motër, një shpirt i orientuar drejt idealeve më të larta “.
Dora d’Istria studioi figurën e gruas shqiptare, zgjuarsinë e saj dhe vështirësitë e mëdha që haste për të fituar lirinë e shprehjes, në një vend konservator, ku gruaja duhej të mbetej e varur nga burri.
Elena Gjika u përqendrua në edukimin e grave, siç shprehej dhe Sami Frashëri: “Të edukosh një njeri do të thotë të mbjellësh një pemë që vetëm jep hije, ndërsa të edukosh një grua do të thotë të mbjellësh një pemë e cila, përveçse ofron hije, të jep edhe fruta “.
Si grua, ajo gjithashtu u shpreh fuqimisht për mbrojtjen e grave në zona të ndryshme evropiane, që ndryshojnë nga njëra – tjetra në kulturë, tradita, kushte materiale, morale, shoqërore – politike, juridiko – ekonomike. Kështu që pikërisht në veprën’ Les femmes en Orient’ (Gratë në Orient), ajo pasqyroi një ekzaminim të gjendjes së femrës.
Dora d’Istria ka dhënë kontribut të paçmuar duke luftuar dhe duke hedhur themelet në rrugën e civilizimit të grave me guxim, vendosmëri e aftësi. Ajo dhe simotrat e saj kudo në Evropë thyen tabutë që kishin të bënin me shtypjen, varfërinë apo injorancën.
Përmes udhëtimeve të shumta, eruditja zbuloi dhe depërtoi në thellësi të universit femëror dhe pasqyroi gjithçka në revistat më me prestigj të kohës. Elena mori pjesë gjallërisht në lëvizjen kulturore përparimtare të Evropës si kundërshtare e sundimit despotik monarkist.
Ajo vlerësohej shumë në qarqet intelektuale dhe kulturore të kohës, si një mbështetëse e fortë e Rilindjes Shqiptare dhe gëzonte respekt e vlerësim. Ajo konsiderohet pa asnjë dyshim si një fener ndriçues i feminizmit në rang evropian e më gjerë.
Referenca: Studime, Itali: Universiteti i Barit ‘Aldo Moro’.