Në Parlamentin e Malit të Zi, deputeti GenciNimanbegu zhvilloi një takim me shefen e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Malin e Zi, E.S.Oana-Cristina Popa. Ajo në kuadër të aktiviteteve diplomatike me përfaqësues të Klubeve të Deputetëve dhe Listave zgjedhore, ka biseduar me deputetin e Listës Shqiptare, të cilin e ka informuar mbi prioritetet e punës që do të ketë Delegacioni në Mal të Zi. Temat e diskutimit ishin tranzicioni politik i pushtetit, marrëdhëniet në Parlament, bashkëpunimi midis pozitës dhe opozitës në Kuvend, duke pasur parasysh prioritetet që i lidhin partitë politike, e që është integrimi në BE. Tema e bisedimit ishte gjithashtu edhe nevoja për të përforcuar dialogun, veçanërisht në miratimin e propozimeve ligjore që do të çonin në avancim dhe jo në prapambetje të Malit të Zi drejtë rrugës evropiane, mesohet nga Forca e Re Demokratike.
Në takimin e tyre të parë zyrtar, deputeti Genci Nimanbegu e informoi ambasadoren Popa për pikëpamjet e Listës Shqiptare në lidhje me tensionet në jetën politike të Malit të Zi, të cilat duhen marrë me shumë përgjegjësi, veçanërisht nga partitë politike që përfaqësojnë subjektet kryesore të shumicës poredhe të opozitës në Mal të Zi.
Kalimi i pushtetit duhet të trajtohet si një proces normal të cilin e shoqëron retorika dhe aktivitetet që përkojnë me to, pa karakteristikat e revanshizmit dhe konfliktit. Si përfaqësues të popullit autoktonë, por numerikisht të vogël në Malin e Zi, kemi qasje me një ndjeshmëri të posaçme ndaj nevojës së përforcimit të dialogut politik dhe haptas i kemi theksuar sinjalet shqetësuese që po ndodhin në lidhje me proceset pas dhe parazgjedhore në Mal të Zi, theksoi Nimanbegu gjatë bisedës. Bashkëbiseduesit janë dakorduar që bojkotimi i punës së parlamentit nuk është rrugë e mirë e punës, sidomos në raport me çështjet që kërkojnë shumicë të kualifikuar dhe kanë të bëjnë me gjyqësorin dhe procesin zgjedhor. Poashtu është biseduar edhe për mospërfshirjen e përfaqësuesve të pakicave në pushtetin ekzekutiv, ligjet për media dhe çështje të shumta me interes për qytetarët e Malit të Zi.
Lista Shqiptare do të përpiqet që të jetë partner në rrugën e zhvillimit për të gjitha subjektet politike, veçanërisht duke vlerësuar nevojën për zhvillimin paqësor të shoqërisë me qëllim të integrimit në Bashkimin Evropian.