Nga Gjekë Gjonaj
Bletaria konsiderohet si një lëmi specifike dhe fitimprurëse në Mal të Zi. Lulzim Dragoviqi nga fshati Dragoviq i Krajës është njëri ndër kultivuesit e rinj të bletarisë. Dëshira e tij e madhe që kishte për bletët e motivoi dhe e nxiti që të merret me këtë veprimtari, të cilën e ka pasion e jo profesion kryesor të ekonomisë familjare, mbase ai dhe bashkëshortja e tij janë në marrëdhënie pune dhe nuk e sigurojnë jetesën nga bletaria. Ai ka filluar të merret me kultivimin e bletëve para katër vjetësh. E filloi si hobi fillimisht me 20 koshere. Duke parë që bletaria i hyri edhe më thellë në shpirt , sepse duhet ta duash profesionin, atëherë vitin e dytë i shtoi bletët në 50 copë, ndërsa sot ka 120 koshere. Është interesante se Lulzimi, bletarinë nuk e kishte trashëgim nga të parët, por ai dhe bashkëshortja, Jasmina, mësuese në SHF “ Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” në Ostros , për herë të parë e filluan këtë veprimtari të cilën e duan shumë.
Si çdo fillim që është vështirë në të bërit biznes, edhe për bletërritësin Lulzim nuk ka qenë i lehtë, por nga dashuria e madhe ndaj bletëve ai nuk është ndalur së punuari. Për Lulzimin dhe bashkëshorten e tij bletët janë të veçanta. Ato kanë një frymëzim dhe një plan të jashtëzakonshëm në punët e saj, ato janë vet mrekullia. Një pjesë të bletores e ka në fshatin Dragoviq në Krajë, kurse pjesën tjetër në Shtoj. Gjthmonë synim ka rritjen e bletëve , pasi që zona ku ai jeton llogaritet zonë ndërkufitare dhe është një zonë që i plotëson kushtet për prodhime organike dhe mjalti i kësaj pjese është mjaft i kërkuar.
Dragoviqi pohon se Kraja ka një natyrë shumë të pasur me lule dhe burime tjera të ushqimit të bletëve si gështenja dhe pelini . Për këtë arsye , shton ai, mjalti i Krajës është i cilësisë së lartë , gjë të cilën e dëshmojnë edhe blerësit e shumtë jo vetëm nga Tivari, Ulqini, Tuzi e qytete tjera në Mal të Zi, por edhe nga Kosova, Shqipëria, Serbia e shtete tjera të rajonit e më gjerë. “Ndryshimet klimatike, veçmas thatësira, sivjet janë reflektuar në bletari dhe kanë ndikuar në prodhimin e mjaltit. Kështu që këtë vit kemi nxjerrë më pak mjaltë se vitin e kaluar .” shprehet Dragoviqi. Shton se koha është shumë e rëndësishme në bletari, është e rëndësishme kur të ushqehen, kur do të tymosen dhe kur të çohen në kullota.
Ky bletar i ri por i suksesshëm thotë se është nder dhe kënaqësi e veçantë të merresh me bletari, sepse mjalti ndryshe quhet edhe shurup natyral për mjekim. “ Sot shumica e njerëzve e konsumojnë mjaltin për shërim, andaj mendoj se s’ka nder me të madhe se sa kjo, të jesh i sinqertë në këtë drejtim, duke ua mundësuar konsumatorëve mjaltë të mirë për organizmin e tyre.Dhe jo vetëm kaq, por puna në bletari të qetëson mendjen dhe trupin. Bleta nëse je i shqetësuar apo i stresuar nuk të lejon të punosh me të. Në raste të tilla ajo të sulmon dhe të thumbon. Unë marrë nga bleta vetëm atë që asaj i tepron dhe atë që ajo më jep mua. ” , shprehet me kënaqësi Dragovqi. Sipas tij bletaria e suksesshme është një kombinim i dashurisë, mësimit të vazhdueshëm dhe punës së përkushtuar të familjes.” shprehet Dragoviqi. Dijen dhe mjeshtërinë për rritjen e bletëve e shton vazhdimit duke lexuar literaturën e duhur dhe duke marrë pjesë në panaire të ndryshme të bletarisë brenda dhe jashtë shtetit.
Ai na tregon se me profesion është magjistër i edukimit fizik. Ka kryer Fakultetin e Edukimit Fizik në Universitetin e Prishtinës, ku edhe ka magjistruar me sukses të shkëlqyer dhe ka qenë student i gjeneratës. Një kohë ka punuar si asistencë në po të njëjtin fakultet. Pasi mbeti pa punë kthehet në vendlindje në Krajë dhe punësohet në bibliotekën e Komunës së Tivarit në Ostros, ku punon edhe sot.
Dragoviqi është një shembull i mirë jo vetëm për intelektualët shqiptarë, por edhe për rininë shqiptare që mos të braktisin vendlindjen, por të gjejnë frymëzim dhe inspirim që të punojnë në vendin e vet.