
Kryeministri i Malit të Zi Dushko Markoviq njoftoi se ai dhe Presidenti Millo Gjukanoviq para pak ditësh i propozuan Mitropolitit Amfillohije pezullimin e zbatimit të Ligjit për Lirinë e Fesë deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut si dhe vazhdimin e dialogut.
Mirëpo, siç shkruan rtcg, edhe përkundër kësaj Amfillohije bëri thirrje për vazhdimin e liturgjive protestuese, ndërsa Kisha Ortodokse Serbe vazhdoi me shkeljen e ligjit në çdo rast, transmeton Ulqini Online.
Kryeministri Markoviq tha se në shumë raste i është përgjigjur ftesës dhe është takuar me mitropolitin Amfilohije, me të cilin ka biseduar mbi Ligjin për Lirinë e Fesë dhe çështje të tjera të rëndësishme që tensionuan marrëdhëniet midis shtetit dhe Kishës Ortodokse. Markoviq thotë se para pak ditës ai dhe presidenti Gjukanoviq iu përgjigjën ftesës së Mitropolitit Amfilohije dhe Peshkopit Ioanikije, duke shtuar se ky takim ishte një konfirmim i respektit për Metropolitanin dhe dioqezat e tjera të Kishës Ortodokse Serbe. Por Nga ana tjetër Amfillohie dhe kisha serbe nuk po respektojnë ligjin, deklaroi mes tjerash kryeministri Markoviq.