
Nga Gjekë Gjonaj
Komuna e Tuzit e cila u prek nga Covid-19 në Mal të Zi fitoi betejën ndaj pandemisë. U shërua pacienti i fundit me koronavirus. Këtë lajm të mirë e kumtoi Instituti i Shëndetit Publik në Mal të Zi. Që nga data 23 mars kur në këtë komunë u regjistruan 15 rastet e para me këtë virus vdekjeprurës, e deri tek shërimi i pacientit të fundit, ajo arriti që të përmbyll me sukses në vetëm 44 ditë përballje kolektive me virusin korona. Bilanci 37 të infektuar, 37 të shëruar, qindra familje dhe qytetarë në karantinim të plotë për 21 ditë , dhjetëra qytetarë në vetëizolim dhe dëme ekonomike.
Në betejën me këtë armik të padukshëm Malësia për fat të mirë nuk ka humbur asnjë qytetarë, edhe pse parashikimet e para ishin tepër shqetësuese. Për këtë sukses të radhës së Malësisë duhet falënderuar Institutin e Shëndetit Publik në Mal të Zi, stafin dhe punonjësit shëndetësorë të Qendrës Klinike të Malit të Zi bashkë me kolegët e tyre në komunat tjera , që janë heronjtë e kësaj beteje. Pastaj, drejtuesit e Komunës së Tuzit, policinë e Malit të Zi, vullnetarët e inspektorët komunalë të cilët tërë kohën 24 orë në organizim të Shtabit Emergjent Komunal ndihmuan njerëzit në nevojë, punëtorët e pastrimit, punëtorët e barnatoreve, donatorët , Kryqin e Kuq të Malit të Zi dhe gjithë të tjerët që u gjendën pranë qytetarëve të Malësisë në këtë situatë të vështirë.