Nga Gjekë Gjonaj

Tre Maji   shënon në gjithë botën ditën e lirisë së shtypit. Me këtë rast përveç organizimit të tryezave të rrumbullakëta në çdo vend përkatës ku diskutohen problemet e medias në përgjithësi, nga organizata të ndryshme ndërkombëtare bëhet dhe renditja e lirisë së shtypit sipas vendeve. Shënimi i 3 Majit  – Ditës Ndërkombëtare të Lirisë së Medias, na përkujton çdo vit, sakrificën dhe rolin që ka media në zhvillimin e shoqërisë. Kjo ditë synon për të rikthyer në vëmendjen e qytetarëve se liria e shtypit dhe e shprehjes janë të drejta themelore të sanksionuara në kushtetueshmërinë botërore. Liria e shtypit dhe e shprehjes, janë të drejta themelore të njeriut, por aktualisht gjendja e medias në botë, sikur edhe profesioni i gazetarit, kanë qenë dhe mbesin në valën e problemeve të vazhdueshme , sikur edhe në pikëpamje të rrezikshmërisë që përbën gazetaria si profesion.

Mali i Zi ka disa  gazetarë individualë të shkëlqyer. Por, indeksi botëror i Lirisë së Shtypit për vitin 2020, përpiluar nga Reporterët pa Kufij  e rendit  Malin e Zi  për një vend më poshtë  sesa vitin e kaluar. Duke u bazuar në raportin  vjetor të  kësaj organizate ndërkombëtare që merret me çështjet e lirisë së shtypit, Mali i Zi renditet  në vendin e 105 dhe përsëri mbetet  një vend  pjesërisht i lirë  për raportim. Raporti thekson se mediat profesionale dhe gazetarët   gjithnjë janë nën  presionin e pushtetit, ndërsa sulmet më të rëndësishme  ndaj  gazetarëve  nuk janë  zbardhur”  Edhe një raport nga OJQ-ja Fredom House për vitin 2019 , vlerëson se Mali i Zi ka një shtyp pjesërisht të lirë. Me fjalë të tjera “ nuk është keq,  por  duhet të bëhet shumë më  mirë”.  

Janë të shumtë faktorët që kanë influencuar në këtë drejtim për të pasur një renditje dinjitoze apo renditje në vende nga fundi, por ajo që ia vlen për të theksuar është se pas integrimit të Malit të Zi  në NATO dhe përqasjes së saj  për t’u pranuar në Bashkimin Evropian, liria e shtypit duhej të ishte stabilizuar si koncept dhe Mali i Zi  të zinte një vend të admirueshëm në renditjen botërore që t’i përputhej dhe zhvillimit të vendit. Pavarësisht kësaj pritshmërie pozitive, liria e shtypit në Mal të Zi  ka disa vjet që humbet vende në renditje, duke demonstruar në këtë mënyrë një problem themelor të shoqërisë  malazeze.

Në një deklaratë të ministrave të Jashtëm të BE-së theksohet rëndësia e mediave të lira sidomos tani në krizën e Covid-19. Motoja e këtij viti e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit është „Gazetari pa frikë e pa privilegjim“.

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit politikanë të nivelit të lartë evropian kanë theksuar rëndësinë e medias së pavarur  sidomos tani në krizën e koronavirusit. Në këtë frymë janë shprehur me këtë rast  edhe autoritetet  më të larta malazeze.  Pothuaj të gjithë  zyrtarët evropianë e botërorë  për çdo vit theksojnë rëndësinë e veçantë  që luajnë mediat e lira në informimin e  opinionit me informacione të vërteta e me cilësi. Megjithatë, për fat të keq, përveç presionit profesional, gazetarët akoma janë subjekt i sulmeve  fizike, vrasjeve,  kërcënimeve e formave më të fshehura të presionit si mungesa e stabilitetit financiar, mungesa e kontratave të duhura dhe një gjyqësor jo efikas i cili nuk mund t’i mbroj të drejtat e tyre  në mënyrë adekuate. Domethënë  fusha e medias  është ende e brishtë. Por, sikur të ekzistonte vullneti politik këto sfida mund të tejkalohen. Sidoqoftë, më shumë punë duhet të bëhet për të siguruar që një nga kërkesat kryesore për vendosjen e demokracisë të përmbushet, gjegjësisht të siguruarit që mediat e lira janë të mbrojtura dhe të respektuara jo vetëm në Mal të Zi, por në krejt globin.

By admini