Nga Gjekë Gjonaj
Mërgimtari nga Malësia, Tomë Berishaj, i cili jeton në Detroit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është paraqitur këto ditë para lexuesit me përmbledhjen me poezi “ Rruga e humbur”.
Ky vëllim poetik përbëhet nga 109 poezi të ndara në tri cikle: “ Qëndroni shqiptarisht”, “ Duaje vendlindjen” dhe “Personalitete të njohura”.
Në poezitë e tij Berishaj shpreh shqetësimin për fatin e hidhur që ka kaluar populli shqiptar nëpër shekuj, padrejtësitë që u janë bërë shqiptarëve nga Fuqitë e Mëdha, përpjekjet e regjimeve të huaja për asimilimin dhe shkombëtarizimin e historisë, trashëgimisë kulturore dhe identitetit tonë kombëtar.
Përveç kësaj Berishaj, temë të dhimbshme të kombit tonë në këtë vëllim poetik, ka trajtuar edhe vendlindjen, folenë e tij më të ngrohtë, identitetin e saj, për të cilën malësorët kanë dhënë më të shtrenjtën e tyre – jetën.
Në poezitë e këtij libri dominon motivi patriotik që është preokupim i autorit që i këndon atdheut, heronjve dhe figurave të ndryshme të popullit tonë.
Berishaj poezitë e tija i bazon edhe në faktin se personalitetet e njohura shqiptare, të cilëve u thur vargje janë burim i krenarisë dhe i lavdisë kombëtare.
Këto figura nëpërmes këtyre poezive bëhen kujtesë historike, motiv i fuqishëm letrar dhe shprehje e mallit dhe e dhembjes së thellë njerëzore.
Tomë Berishaj ka botuar deri tani katër libra me prozë e poezi: “ Duhma e Cemit”, “Gurgullima e valëve të Cemit”, “ Jazi i shembur” dhe “Rruga e humbur”.
Libri, që ia kushtoi vëllait Gjeloshit, është botuar nga djemtë e autorit, Gjoni dhe Paloka.