Frank Shkreli
Javën që kaloi, Sekretari i Përgjithëshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, (OKB-së) Antonio Gutierres bëri thirrje për një armëpushim global, me qëllim që bota të përqendrohet në atë që ai e cilësoi si, “luftën tonë të vërtetë”, kundër koronavirusit, armikut të përbashkët, i cili tani po kërcënon mbarë njerëzimin.
“Shpërthimi i koronavirusit ilustron marrëzinë e luftës” dhe konflikteve, tha udhëheqësi i organizatës botërore. “Kjo është arsyeja pse sot po bëj thirrje për një armëpushim të menjëherëshëm global, në të katër anët e botës. Ka ardhur koha që t’u jepet fund konflikteve të armatosura dhe të pëqendrohemi të gjithë së bashku në luftën për shpëtimin e jetëve tona”, është shprehur Antonio Gutierres. Shefi i OKB-së nënvijoi faktin se koronavirusi (COVID-19) nuk dallon njerëzit që prek për nga kombësia, etniciteti, as nga ndryshimet dhe dallimet midis popujve dhe individëve, por i sulmon të gjithë, pa dallim dhe pa mëshirë. Antonio Gutierrez u bëri thirrje palëve në konlikt, që të tërhiqen nga konfliktet dhe të lënë mënjanë armiqësitë dhe mosbesimin ndaj njëri tjetrit. Ndalimi i konflikteve kudo qoftë, është gjëja për të cilën familja njerëzore ka nevojë sot më shumë se kurrë, për të luftuar këtë sëmundje që po shkundë botën, ka thënë Antonio Guitierrez.
Thirrjes së Sekretarit të Përgjithëshëm të Kombeve të Bashkuara për një armpushim global dhe për ndalimin e konflikteve në mbarë botën, iu bashkua edhe Papa Françesku i cili, ditët e fundit, bëri thirrje për bashkim dhe solidaritet, përballë kësaj murtaje. “Shpresoj që lufta jonë e përbashkët kundër koronavirusit të na kujtojë dhe të na bindë për nevojën e madhe për të forcuar lidhjet tona vëllazërore, si anëtarë të një familjeje njerëzore”, ka thënë Papa, duke thekësuar se “Veçanërisht, shpresojmë që lufta kundër koronavirusit të frymëzojë një angazhim të ri për mënjanimin e konflikteve në radhët e udhëheqësve të vendeve dhe të palëve të ndryshme të botës, të përziera në konflikte”, duke thekësuar se, antagonizmat dhe ndryshimet që shkaktojnë konflikte midis palëve dhe individëve, “duhet të zhduken nepërmjet dialogut dhe përpjekjeve konstruktive për pajtim dhe për paqë midis individëve dhe vendeve, është shprehur udhëheqësi shpirtëror i Kishës Katolike, Papa Françesku.
Mesazhi i Shefit të OKB-së dhe Papës, për ndalimin e konflikteve dhe për armpushim në këtë kohë, i është drejtuar udhëheqësve të vendeve të botës — pothuaj 180 gjithsejt prej tyre — të prekura nga koronavirusi. Por duke lexuar mesazhet e tyre, domosdo, “gjuha shkon ku të dhëmb dhëmbi”, atje tek klasa politike shqiptare dhe tek konfliktet e tyre të fundit për pushtet, në Shqipëri dhe në Kosovë – e sidomos në Kosovë, këto ditë me rreximin e qeveris Kurti — madje edhe në këtë periudhë kur bota është e përqendruar në luftën kundër përhapjes së koronavirusit.
Në vend që në këtë moment të kemi bashkim dhe solidaritet në radhët e klasës politike shqiptare, përballë luftës kundër koronavirusit, siç bëjnë thirrje Shefi i OKB-së, Antonio Gutierres dhe Papa Françesku — sidomos në Prishtinë, por pa përjashtuar edhe Tiranën zyrtare, gjatë kësaj kohe është arritur, fatkeqësisht, kulmi i konflikteve politike – konflikte këto që çuan, kohët e fundit, në rrëximin e qeverisë së Kryeministrit Albin Kurtit nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Në vend që qeveria e re prej vetëm pesë javësh e Kryeministrit Kurti të përballej me mobilizimin e shoqërisë për t’iu përgjigjur kësaj krize serioze shëndetësore për kombin dhe për botën, e njëkohësisht të minimizonte efektet e kësaj sëmundjeje të rëndë në ekonominë dhe në jetën e përgjithshëme të vendit –ajo qeveri është rrëzuar në momentin më të papërshtatshëm për Kosovën, duke i shkaktuar vendit edhe një traumë të rëndë politiko-ekonomike, mos ndoshta edhe më të keqe për stabilitetin, sigurinë dhe paqën afatgjatë të vendit — përveç sëmundjes së pamëshirëshme të koronavirusit.
Është vështirë të thuhet se cila krizë, më në fund,do të ketë pasoja më të rrezikshme për Kosovën, ajo e koronavirusit a po rreziku i përbrendshëm, i shkaktuar nga rrëximi i qeverisë Kurti dhe nga konfliktet politike të pafund, për të cilat njihet klasa politike shqiptare. Unë e thashë para disa ditëve, në një shkrim modest,se diçka nuk është në rregull me politikën shqiptare në Prishtinë dhe se kjo nuk ishte koha të rrëxohej qeveria e Kryeministrit Kurti. Kriza aktuale politike në Prishtinë, tregon gjithashtu se diçka nuk është në rregull as me politikën e Tiranës zyrtare karshi Kosovës, se me politikën kombëtare, në përgjithësi, jo se jo. Për më tepër, jam dakort gjithashtu edhe me Kongresmenin e njohur amerikan dhe mbështetësin e vjetër të çështjeve shqiptare, sidomos Kosovës, Eliot Engel, se si përfundim i veprimtarive të fundit i të dërguarit të Presidentit Trump për Kosovën, ambasadorit, Richard Grenell – diçka nuk është në rregull as me politikën amerikane, të kohëve të fundit, karshi Kosovës.
Diçka nuk shkon këtu! Dikush në Prishtinë dhe në Tiranë duhet të japë llogari se si kemi ardhur deri tek ky lamsh, të cilit është vështirë t’i gjëndet filli, përsa u përket marrëdhënieve të shkëlqyeshme të deritanishme midis Shteteve të Bashkuara me Kosovën. Kosova gjëndet përballë një situate pothuaj apokaliptike si shtet i pavarur e sovran. Shtetet e Bashkuara, që dikur flisnin me një zë të fuqishëm në favor të Kosovës, tani kanë dy përfaqsues zyrtar, që në sipërfaqe duket sikur nuk ndjekin aspak një politikë të bashkrenduar: njëri përfaqsues i Shtëpisë Bardhë e tjetri i Departamentit të Shtetit, përfshirë edhe disa zëdhënës të tjerë amerikanë të cilët nuk duhej të flisnin fare për Kosovën. Të pakën, publikisht, këta gjithnjë shprehen si mbështetës të Kosovës, megjithëse deklaratat e tyre, nganjëherë kontradiktore, janë gjithnjë e më vështira t’u besojmë.
Situata është edhe më keq me marrëdhëniet e Kosovës me Bashkimin Evropian. Brukseli ka në krye të politikës së jashtme një individ që në të kaluarën është shprehur kundër pavarësisë së Kosovës dhe i cili vjen nga një vend që ende nuk e ka njohur shtetin e Kosovës. Për më tepër, kohët e fundit, duke venë një qershi mbi tortën e marrëdhënieve me Kosovën, BE-ja ka propozuar një përfaqsues të posaçëm për të ashtuquajturin dialog Kosovë-Serbi. Edhe ai, si bosi i tij që e ka përzgjedhur në atë post, është një mohues i pavarësisë së Kosovës dhe rrjedh nga një vend i BE-së, që gjithashtu nuk e njeh ende pavarësinë e Kosovës.
Por ka edhe më keq, Tirana zyrtare, nepërmjet Kryeministrit të vendit, që dikur fliste në emër të Kosovës me mburrje dhe patriotizëm, ndërsa herë tjera hidhte gurin e fshihte dorën në këtë drejtim, tashti kemi vetëm heshtje nga shteti amë për ato që po ndodhin me Kosovën, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
Kam drojë se dëmi është bërë dhe më e keqja që mund të ketë ndodhur nuk ka më këthesë. Kini venë re gjtihashtu se edhe Beogradi e Moska zyrtare heshtin për gjëndjen e krijuar politike në Kosovë. Rusia dhe Serbia me bashkpuntorët e tyre në radhët e shqiptarëve dhe me miqët e tyre ndërkombëtarë e kanë hedhur Kosovën në kurthë – në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar – ashtu siç u duhet dhe ku e duan:të përçarë dhe të ndarë brenda vetes dhe të izoluar ndërkombëtarisht!
Si rrjedhim, Kosova dhe mbarë shqiptaria, nuk i ka pasur kurr më keq punët në këto 30-vjet post-komunizëm! Si rrjedhim dhe para se të keqësohen punët edhe më tepër, është e nevojshëm një reflektim i përmasave kombëtare dhe një këthim prej 180 gradësh. Uroj që në këtë periudhë lufte kundër koronavirusit, të përfillni thirrjen e Shefit të OKB-së dhe Papës, për bashkim dhe solidaritet vëllazëror me shpresën se lufta kundër koronavirusit do t’ju frymëzojë për një angazhim të ri për mënjanimin e konflikteve. Që në vend të konflikteve politike të pafund – për hir të atij populli të vuajtur –të merreni me sfidat serioze me të cilat përballet Kombi shqiptar, përfshirë krizën aktuale të koronavirusit. Koronavirusi nuk njeh PDK, LDK, Vetvendosje, Parti Socialiste, Parti Demokrate e ku ta dijë unë se sa dyzina partishë të tjera. Ky është momenti që kërkon bashkim dhe solidaritet, pikëspari midis shqiptarërve me njëri tjetrin, por edhe më gjërë. Nuk mund të presim që faktori ndërkombëtar të jetë i bashkuar me një qëndrim për fatin e Kosovës dhe të Shqipërisë, kur vetë shqiptarët janë të ndarë e të percarë për të ardhmen e vet. Nuk është për t’u habitur pra, që sjelljet e ndërkombëtarëve me Kosovën dhe me Shqipërinë, thjeshtë, reflektojnë atmosferën politike të grindjeve të pafund, në radhët e klasës politike të dy shteteve shqiptare!
Frank Shkreli