Trupi koordinues nacional, për sëmundjet ngjitëse ka ndaluar sot lundrimin e të gjitha anijeve të udhëtarëve, jahteve, të gjitha tubimet publike në Mal të Zi, vizitat të sëmurëve në spitale, si  dhe ka sjellur vendimin që prej më 16 mars, së paku 15 ditë, ndërpritet puna në të gjitha institucionet edukativo- arsimore në vend.

Siç shkrua rtcg, nënkryetari i Qeverisë, Millutin Simoviq, ka kumtuar se Qeveria, ndërmerr masat maksimale parandaluese, të cilat janë në kompetencat e saj që sa më tepër të shtyhet paraqitja e koronavirusit në Mal të Zi. “Për fat të keq, jemi dëshmitar se disa shtete kanë vonuar me ndërmarrjen e masave, andaj si rezultat është paraqitur përhapje masive e kësaj epidemie. Ne, nuk guxojmë të bëjmë gabime të tilla, andaj edhe kemi vepruar”, ka thënë Simoviq, duke shtuar se çdo masë duhet zbatuar me përpikëri, transmeton Ulqini Online.

“Besojmë se të gjitha këto masa do të hasin në mirëkuptimin dhe përkrahjen e plotë të qytetarëve me qëllim që të mbrohen ata më të ndjeshmit. Andaj në emër të Qeverisë ftoj të gjithë qytetarët të harrojnë të gjitha dallimet sepse situatat e këtilla kërkojnë unitetin e gjithë shoqërisë”, ka thënë Simoviq.  

Po ashtu, me masat e miratuara është paraparë edhe mbyllja  e disa vendkalimeve kufitare me vendet fqinje.

Ndërkohë, është kumtuar vendimi për ndalimin e hyrjes në Mal të Zi personave  që vijnë nga Sllovenia, Franca, Zvicra dhe Danimarka. Njëkohësisht, ndalohen edhe udhëtimet nga Mali i Zi drejtë këtyre vendeve.  

By admini