Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema, ka pritur sot në Rektoratin e UP-së familjarë dhe bashkëpunëtorë të profesorit të ndjerë, prof. dr. Basri Çapriqi. Në këtë takim, ai ndau mirënjohje për profesor Çapriqin, me motivacion “për kontribut të vazhdueshëm shkencor dhe për universitetin – Post mortem”.
Rektori
Dema e vlerësoi lart kontributin e profesor Çapriqit, duke kujtuar
bashkëpunimin e afërt që e kishte me profesorin në kohën kur Çapriqi ishte
kryesues i Këshillit Drejtues të UP-së.
“Profesor Çapriqi, me punën dhe me veprën e tij, la gjurmë të përjetshme në
shoqërinë tonë. Emri i tij po kujtohet me respekt për kontributin e
tij të çmuar që e ka dhënë si profesor për dekada të tëra në
Fakultetin e Filologjisë, si kryetar i Këshillit Drejtues të UP-së për dy
mandate, por edhe si studiues dhe si një poet i shkëlqyer”, theksoi Dema.
E nderuar me këtë mirënjohje u shpreh bashkëshortja e profesor Çapriqit, prof.
asoc. dr. Sazana Çapriqi.
“Në emër të familjes, ju falënderoj të gjithë juve që jeni kujtuar për këtë
mirënjohje, e cila na bën si familje të ndihemi krenarë. Kjo mirënjohje, përveç
që na nderon neve, e nderon edhe institucionin, i cili dëshmon që nuk i harron
ata që kanë kontribuar për të”, theksoi, mes tjerash, profesoresha
Çapriqi.
Bashkëpunimin
me profesor Çapriqin e kujtoi edhe shefi i Departamentit të Gazetarisë në UP,
prof. asoc. dr. Milazim Krasniqi. Ai e cilësoi profesorin e ndjerë si person të
paimponueshëm në rrethin ku ka vepruar, por tha që vlerat e tij janë imponuar
vetvetiu.
“Ai është karakterizuar me prezantim intelektual dhe njerëzor, që do të
cilësohen si vlera të tij të përhershme”, tha Krasniqi.
Prof. dr. Basri Çapriqi, pas një sëmundjeje të rëndë, ka ndërruar jetë në moshën 58-vjeçare, në janar të vitit 2018. Çapriqi ishte profesor në Fakultetin e Filologjisë të UP-së për dekada me radhë, ku ligjëroi lëndët: Stilistikë, Semiologji dhe Poezi bashkëkohore. Ai ishte kryetar i Këshillit Drejtues të UP-së për dy mandate.