Nga Qani Osmani
Ballkani njihet si vend me histori të trazuar e të kryqëzuar mes popujve që kanë jetuar në këto troje. Shekuj me radhë konfliktet dhe trazirat kanë qenë përditshmëri dhe kanë krijuar marrëdhënien dashuri-urrejtje mes banorëve të rajonit. Historia komplekse e kësaj humnere të vogël të kontinentit Evropian paraqet paradoks dhe mister në vete. Mirpo, gjithmon ka ekzistuar një shkëndijë që e ka mbajtur të gjallë shpresën për paqe dhe bashkëjetesë. Ballkani paraprakisht është quajtur Heamus apo gadishulli ilirik. Disa autorë thonë se “heamus” rrjedh nga fjala trake “saimon”, që donë të thotë “kurorë malesh”. Të tjerët thonë se rrjedh nga fjala greke “hama”, që do të thot “gjak”. Aktorja e njohur, Angelina Jolie, e quajti filmin e saj “Në vendin e mjaltit dhe gjakut”, duke u nisur nga fjalët turke: “bal” – “mjaltë” dhe “kan” – “gjak”.
Pra, siçpo shihet, hapësira gjeografike e Ballkanit deri në fillim të shekullit të 19-të nuk kishte një emër të përbashkët dhe përmendej me emra të ndryshëm. Si fillim, në vitin 1809, gjeografi gjerman August Johann Zeune, duke u frymëzuar nga Malet Ballkan, që ndajnë vertikalisht Bullgarinë përgjysmë, e quajti rajonin Ballkan. Pas kësaj përdorimi i fjalës Ballkan fitoi një përdorim të gjërë si emër rajoni. Por as në ditët e sotme nuk është qartësuar çështja e kufive të Ballkanit. E thënë ndryshe, në lidhje me cilat vende përfshihen në Ballkan nuk ka një mendim të përbashkët nga shkrimtarë të ndryshëm. Por paqartësia e kufijve të hapsirës gjeografike të Ballkanit nuk përbën problem. Problem është paragjykimi që i vishet kësaj fjale në nivelin e referimit të një identiteti të veçantë politik dhe kulturor.
Në ndërgjegjen e vendeve perëndimore, Ballkani, përgjithësisht tregon ekzistencën e tij me përleshje, dhunë dhe vrazhdësi. Gjithashtu Ballkani, së bashku me emrin e një rajoni gjeografik, përdoret edhe duke iu referuar një identiteti politik e kulturor. Si term politik është përdorur në kuptim negativ. Është sajuar edhe termi “ballkanizëm”, që nënkupton hasmërinë kronike ndërmjet popujve, dhunën, konfliktet, luftërat, anarkinë, jo stabilitetin etnik, religjioz e kulturor. Ballkani është hapësirë ku ndërthuren kultura, etni, religjione apo gjuhë të ndryshme, por edhe hapësirë e përplasjeve etnike e religjioze. Ndërsa vendet e Ballkanit refuzojnë ekzistencën e një identiteti ballkanas dhe mundohen ta trgojnë veten si pjesë të botës perëndimore dhe një pjesë të pandashme të civilizimit perëndimor.
Përceptimi i Ballkanit tek vendet perëndimore përmban faktorë tepër negativë. Para se gjithash është përhapur paragjykimi se Ballkani nuk është pjesë e civilizimit perëndimor. Jo vetëm osmanët por edhe bizantët për shkak të elementeve kulturore dhe fesë e përcaktonin si “të ndryshëm” nga Evropa. Udhëtarët perëndimor që shetisnin Ballkanin në shekullin e 19-të e përshkruanin në kujtimet e tyre përgjithësisht si një rajon ndryshe, të çuditshëm dhe të pa civilizuar mjaftueshëm. Nga ana tjetër, vendet perëndimore, një pjesë të literaturës që i përkiste Ballkanit, e zhvilluan në periudhat kur u përjetuan kriza në rajon. Për këtë arsye perëndimorët vazhdojnë ta kujtojnë Ballkanin si një rajon ku urrejtja etnike dhe të prapambetur nga aspekti ekonomik, kulturor dhe politik që kërcënon sigurinë e Evropës. Madje edhe në romanet dhe filmat perëndimorë Ballkani tregohet si një element kërcënimi.
Së bashku me Luftërat e Ballkanit të jetuara gjatë viteve 1912-1913, shpikja e fjalës “ballkanizim” tregon më vete se rajoni i Ballkanit përceptohet si një problem. Kurse në periudhën e Luftës së Ftohtë, me ndikimin e përceptimeve ideoligjike, Ballkani u pa si një rajon totalitar dhe komunist, që qëndronte përballë perëndimit demokratik dhe kapitalist. Kurse luftërat e përjetuara në ish-Jugosllavi në vitet 1990, e bënë edhe një herë të famshme fjalën “ballkanizim” dhe u bënë shkak për gjallërimin përsëri të paragjykimeve në lidhje me rajonin. Sipas të disa historianëve me kuptimin e ri të fjalës “ballkanizim” theksohet copëtimi i shteteve të mëdha dhe një mënyrë jetese që bazohet në prapambetje, primitivitet dhe barbarizëm.
Krahas ekzistencës së paragjykimeve negative ndaj Ballkanit, ndërkohë që në vitet 1990 Bashkimi Evropian vazhdonte procesin e zgjerimit ndaj Evropës Lindore, vendet e Ballkanit Perëndimor nuk zinin vend as në fund të bishtit të anëtarësimit të Unionit. Të gjithë këto nxitën pothuajse një arratisje të identitetit ballkanas. Ndaj atyre që zotëronin identitetin e Ballkanit u veprua me përceptimin sikur nuk kishin vend në Bashkimin Evropian. Por, çfar është më e çuditshmja, është se disa vende të rajonit, ndërkohë që nënvizonin “evropianizmin” e tyre, vazhduan ti quajnë (akuzojnë) vendet fqinje si “ballkanas”. Për shembull, ndërkoh që Sllovenia mundohej që të zinte vend brenda Bashkimit Evropian, jepte mesazhin “unë jam evropian, Kroacia nuk është”. Shprehje të tilla Kroacia i përdori ndaj Sërbisë.
Kroacia, edhe pse në ditët tona është anëtare e Bashkomit Evropian, duke treguar si arsye elementet kulturore dhe historike, vazhdon të mbrojë mendimin se nuk është një shtet ballkanas. Në mënyrë të njëjtë edhe Rumania dhe Sllovenia refuzojnë të përkufizohen si vende të Ballkanit. Kurse për të shpëtuar nga identiteti ballkanas, pas periudhës së viteve 1990, disa popuj ballkanas zhvilluan një shkrim të ri historik. Në këtë kuadër, historinë në lidhje me zhvillimin e identiteteve kombëtare, u munduan ta mbajnë veçmas zhvillimin e identitetit të fqinjëve që tregoheshin si ballkanas.
Kur bëhet fjalë për turqit, shkrimi i historis në Ballkan, merr një gjendje edhe më të vështirë. Duke qenë se shtetet e Ballkanit e fituan pavarësinë me kryengritje dhe lufta ndaj shtetit Osman, identitetet e tyre kombëtare i zhvilluan me paragjykimet negative ndaj shtetit dhe vlerave osmane. Për këtë arsye, edhe në ditët tona, nacionalistët në vendet e Ballkanit, herë pas here kanë tendencën të fajësojnë periudhën osmane për gabimet dhe fatkeqësitë në vendet e tyre. Popujt e Ballkanit, pas shpërbërjes së perandorisë osmane filluan të luftonin ndërmjet tyre. Ata tentonin të pushtonin sa më shumë territore që dikur kishin qenë pjesë e perandorisë osmane. Pra, për Ballkanin mund të themi se nuk ka një histori të pranuar nga të gjithë ballkanasit. Secili popull në Ballkan e ka historinë e vet, që bie ndesh me historinë e shkruar nga historianët e popujve të tjerë. “Historitë” ballkanase shërbejnë për konflikte të reja dhe jo si diçka që ka ndodhur dhe që nuk mund ta ndryshojmë.