NË LIDHJE ME DEBATIN PËR TË ASHTUQUAJTURIN PROJEKTLIGJ I “ANTISHPIFJES”
Nga Frank Shkreli
Komisioni i Parlamentit të Shqipërisë për Median zhvilloi javën e kaluar një seancë dëgjimore me disa profesorë të Fakultetit të Gazetarisë për projektligjet e Qeverisë shqiptare që njihen me emrin “paketa antishpifje”. Në atë seancë u zhvilluan debate të ashpra, pothuaj deri në përplasje midis profesorëve të gazetarisë që kundërshtojnë miratimin e atij projektligji dhe disa deputetëve të Komisionit të medias, duke shkaktuar kështu që disa pjesëmarrës të ftuar si dhe deputetë, të largoheshin nga seanca. Qëllimi im sot nuk është të flas për meritat ose jo të këtij projektligji, pasi jam përcaktuar, me kohë, kundër kësaj nisme anti-demokratike, siç janë shprehur edhe shumica e organizatave ndërkombëtare dhe kombëtare nga mbarë Evropa. Unë jam me gazetarët dhe për lirinë e tyre të fjalës dhe të të ushtrimit të profesionit të tyre pa ndërhyrje nga qeveria!
Por ajo që më bëri përshtypje dhe që më la një shije të idhët në gojë, ishte deklarata e njërit prej deputetëve socialistë, Z. Musa Ulqini, i cili u shpreh gjatë seancës se, “Ky projekt-ligj nuk ka të bëjë fare me shtypin e shkruar. Ju bëjë thirrje të gjithëve që jeni këtu të merrni informacion. Shqipëria ka miratuar në vitin 1997 një ligj për shtypin e shkruar me tre nene. Kemi aplikuar standardin e Kushtetutës amerikane. Neni i parë thotë: shtypi është i lirë. Neni 2 thotë: liria e shtypit mbrohet me ligj. Nuk është ndryshuar….”, ka deklaruar deputeti socialist, gjatë seancës të ënjten që kaloi, në mbështetje të paketës së ashtuquajtur “anti-shpifje” të qeverisë së Kryeministrit Rama.
I bëj thirrje deputetit Ulqini dhe të tjerëve që mund t’i referohen lirisë së shtypit në Shtetet e Bashkuara, si shembull për lirinë e shtypit në Shqipëri, se sa për informacion Artikulli i parë i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara, jo vetëm që nuk rregullon me ligj lirinë e shtypit, por, në të vërtetë, ndalon miratimin e ndonjë ligji për shtypin nga Kongresi: “Kongresi nuk do të përpilojë asnjë ligj që shkelë lirinë e fjalës ose lirinë e shtypit….”, thuhet në artikulli e parë. Neni 1 i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara përcakton tekstualisht kështu: “Congress shall make no law respecting an establishment of religion, or prohibiting the free exercise thereof; or abridging the freedom of speech, or of the press; or the right of the people peaceably to assemble, and to petition the Government for a redress of grievances”.
Kështuqë, ndryshe nga ç’pretendoi javën e kaluar deputeti socialist Musa Ulqini, artikulli 1 i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara ndalon rreptësisht miratimin e ndonjë ligji për shtypin nga ana e Kongresit amerikan. Artikulli i parë i Kushtetutës së Shteteteve të Bashkuara NDALON pra qeverinë që të miratojë ligje që rregullojnë vendosjen e ndonjë feje, ndalon miratimin e ligjeve që rregullojnë ushtrimin e fesë dhe ndalon miratimin e ligjeve që pengojnë ose kufizojnë lirinë e fjalës dhe të medias. Kjo sa për informacion për antarët e Komisionit parlamentar të Medias, që të mos përdorin standardet amerikane të lirisë së shtypit për të justifikuar qëllimet e tyre djallëzore për kontrollimin e medies shqiptare.
Në të vërtetë, jam i bindur se të gjithë kundërshtarët e mbrendëshëm dhe të jashtëm të paketës “antishpifje”, të qeverisë Rama do ishin të kënaqur sikur Zoti Ulqini dhe kolegët e tij socialistë në Komisionin e medias të bindin Kryeministrin Rama që Shqipëria të aplikonte vërtetë standardin e Kushtetutës Amerikane për liritë që i akordohen medias dhe gazetarëve në Amerikë. Por, kjo nuk do të ndodhë, sepse përpjekjet dhe qëllimet e deri tanishme, për projektligjin “antishpifje” të qeverisë Rama dhe të Komisionit të parlamentit të Shqipërisë për Medien, përfshir Z. Ulqini, nuk kanë asgjë të përbashkët me standardet amerikane të lirisë së shtypit dhe të fjalës së lirë.
Këta, i kanë fjalët e mira në publik por kanë gurët në strajcë, thotë një fjalë popullore. Kanë një fjalor të mrekullueshëm kur flasin për liri e demokraci, sidomos me të huajt. Njëherë më pat thënë një ish-diplomat amerikan, me përvojë diplomatike në Shqipëri, duke iu referuar përfaqsuesve të klasës politike të 30-viteve të fundit në atë vend, se politikanët shqiptarë, i kanë fjalët e bukura në mbështetje të lirisë dhe të demorkacisë, sikur të ishin Tomas Xheffersona, por veprat i kanë si Enver Hoxha”. Fjalët e këtij ish-diplomati amerikan mund të jenë ndoshta pak të ekzagjeruara, por në thelb janë të vërteta dhe fatkeqsisht, pasqyrojnë realitetin, sidomos përsa u përket zhvillimeve demokratike dhe zbatimit të drejtave dhe lirive demokratike të shqiptarëve, këto 30-vjetë post-komunizëm, veçanërisht lirisë së medias dhe lirisë së të shprehurit. Debati aktual, me qëllim miratimin e projektligjit “anti-shqipfje” të qeverisë shqiptare, është një provë e asaj që ka thënë ish-diplomati amerikan, ndërsa deputetët shqiptarë flasin për standardet amerikane të lirisë së shtypit, ndërkohë që mbrojnë një projektligj për medien që nuk ka asgjë të bëjë me standardet ndërkombëtare për medien e leri më standardet amerikane të lirisië së shtypit.
Ekspertët e kushtetutës amerikane thonë se baballarët e këtij Kombi e kanë pasur aq për zemër lirinë e shtypit dhe lirinë e fesë sa që këtyre dy lirive i kanë rezervuar artikullin e parë të Kushtetutës, duke i kushtuar rëndësinë, që sipas tyre, meritojnë këto liri për amerikanët. Për ne që jetojmë në këtë vend, liria e fjalës, sipas Kushtetutës së këtij vendi, është një parim që garanton lirinë e një individi ose komuniteti, për tu shprehur dhe për të artikuluar pikpamjet ose idetë, pa frikë nga ndëshkimi, cenzura ose nga masa ligjore ndëshkimore nga ana e qeverisë. Në përgjithësi, fraza “fjala e lirë” ose “liria e të shprehurit”, nënkupton, shprehjen e lirë dhe shpërndarjen e mendimeve dhe të informacionit, pa marrë parasyshë se cili aspekt i medias përdoret, sidomos duke pasë parasyshë teknologjinë e sotëme moderne të shpërndarjes së lajmeve dhe informacionit.
Por, nëqoftse deputetët shqiptarë dhe qeveria e Kryeministrit Rama vërtetë janë të interesuar që në Shqipëri të aplikohen standardet e Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara për lirinë e shtypit dhe lirinë e të shprehurit, atëherë zgjidhja e këtij problemi është shumë e thjeshtë. Hiqni dorë plotësisht nga projektligji i ashtuquajtur “anti-shpifje” dhe bazuar në artikullin e parë të Kushtetutës amerikane, mos miratoni asnjë ligj për kufizimin e lirisë së medias dhe të fjalës së lirë, le të vet-rregullohet dhe le të merren gjykatat me shpifjet dhe fyerjet. Ky është standadi amerikan!
Është krejtësisht e pa besueshme se si qeveria dhe parlamenti i një vendi, që mbrenda disa javëve, merr përsipër Kryesinë e Organizatës për Siguri dhe Bashkpunim në Evropë, angazhohen pa pikë turpi, para publikut shqiptar dhe para botës, të miratojnë shpejt e shpejt një ligj për medien, që shkel brutalisht të drejtat themelore të njeriut në vend, të mbrojtura nga një mori marrëveshjesh e konventash ndërkombëtare. Ky është një absurditet shqiptar që është zor të shpjegohet, një paradoks i vërtetë, për të mos thënë një arrogancë përbuzëse dhe mospërfillëse ndaj një organizate ndërkombëtare, e cila si mision të sajin kryesor ka mbrotjen e lirive dhe të drejtave të njeriut. Në vend që Shqipëria, në Kryesi të OSBE-së, të jetë një shtet model për vendet e tjera anëtare të kësaj organizate që të zbatojnë angazhimet e tyre për të mos i shkelur të drejtat e njeriut, në përgjithësi, dhe lirinë e medias dhe të fjalës së lirë, në veçanti – Kryeministri shqiptar kërkon, urgjent, miratimin e ligjeve që shkelin këmbë e krye këto të drejta universale themelore të njeriut.
Jo më pak se 35 organizata ndërkombëtare nga vende të ndryshme, kryesisht evropiane, së bashku me një numër organizatash të gazetarëve shqiptarë i kanë bërë thirrje, ditët e fundit, Qeverisë Shqiptare ta tërheq paketën anti-demokratike dhe anti-ligjore për kufizimin e lirisë së medias. Ato thonë se projektligji i ashtuquajtur, “antishpifje” është në kundërshtim të plotë me, “Angazhimet e Shqipërisë në kuadër të kryesimit të OSBE-së dhe në mënyrë të veçantë me nevojën për siguri dhe stabilitet, prosperitet të shtetasve të vendeve tona”. Siç duket, 35 organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut e shikojnë paketën shqiptare të “antishpifjes” edhe si një kërcënim për to, andaj shfaqën masivisht shqetësimin e tyre për efektet negative që mund të ketë Shqipëria — si kryetare OSBE-së në vitin 2020–në zhvillimet demokratike dhe në promovimin e të drejtave të njeriut dhe të lirisë së medias edhe në vendet e tyre.
Frank Shkreli