Nga Gjekë Gjonaj
Rajoni i Ulqinit është i pasur me burime natyrore që ndikojnë në krijimin e një eksperience turistike të këndshme. Këto burime natyrore duke u kombinuar edhe me produktet gastronomike, të cilat gjithashtu janë të pranishme në këtë qytet, formojnë një bazë të konsoliduar të ofertës turistike të këtij destinacioni shumë tërheqës për turistët vendas dhe të huaj. Mirëpo, për tërheqjen e turistëve nuk mjaftojnë më vetëm bukuritë natyrore, deti, plazhet , ulliri, pishat, monumentet kulturore-historike, por edhe promovimi i vlerave të gatimeve ( ushqimeve) tradicionale , të cilat u promovuan para dy javësh në Hotelin “ Mediteran” në Ulqin. Ky aktivitet që erdhi në organizim të OJQ “ Mogul” në bashkëpunim me Bashkinë e Mirditës ( Shqipëri), i cili u mbështet edhe nga Komuna e Ulqinit, Qendra UET dhe u financua nga Union Evropian dhe Ministria e Administratës Publike të Malit të Zi është një risi në funksion të turizmit kulinar, kulturor e malor.
Ushqimet e përgatitura nga duart e arta të grave të Ulqinit me rrethinë (produkte të shumta të qumështit , produktet nga vaji i ullirit, lloje të ndryshme të bimëve të shëndetshme e mjekuese, mjalti, kultura të pemëve e perimeve të freskëta dhe të thara, sapunë nga vaj ulliri ekstra i virgjër, ëmbëlsirat tradicionale, erëzat që i japin shije më të veçantë gatimit, lëngje të llojllojshme plotësisht natyrale nga thana, dardha , shega e egër, vishnja, buka e misrit, pitja, kryelani, lakrori, japraku, djathi i fërguar , tespixhja etj,) janë specialitete të zonave të ndryshme, që përbëjnë kuzhinën tradicionale të hershme sa vetë tradita shqiptare.
Gatimet e prezantuara i qëndrojnë besnik traditës agrobujqësore, të gatuara krejtësisht me prodhimet e tokës vendase. Këto gatime të bazuara në traditën gastronomike vendase ( prodhimin lokal ) kanë karakter të veçantë, shije të fortë (unike) , aromë të mirë dhe të qëndrueshme. Ato përgatiten duke përdorur metodat tradicionale në zona të caktuara të Ulqinit, ku shumica e këtyre gatimeve transmetohen ( përcillen) nga brezi në brez. Si të tilla po kthehen në një pjesë të rëndësishme të kulturës shqiptare, pjesë e trashëgimisë kulturore të paprekshme dhe një atraksion gjithmonë e më i rëndësishëm për turistët.
Përdorimi i ushqimeve lokale po ndikon në qëndrueshmërinë e Ulqinit në mënyrë të drejtpërdrejtë ose në mënyrë jo të tërthortë. Konsumi i ushqimit lokal stimulon mbështetjen e veprimtarive bujqësore dhe të prodhimit të ushqimit. Komuniteti lokal mund të përfitojë në aspektin e krijimit të vendeve të reja të punës, duke gjeneruar krenarinë dhe përforcuar identitetin me fokus në përvojën e ushqimit në të gjitha zonat e Ulqinit. Ushqimi lokal gëzon aftësinë e krijimit të lidhjes ndërmjet Ulqinit , kulturës e trashëgimisë që mbart ky destinacion dhe turistit.
Ushqimet tradicionale përveçse po luajnë rol të rëndësishëm në ruajtjen e traditës dhe kulturës, gradualisht po kthehen në një pjesë të rëndësishme të kulturës shqiptare, pjesë e trashëgimisë kulturore të paprekshme dhe një atraksion gjithmonë e më i rëndësishëm për turistët.
Duke u fokusuar në krijimin e një imazhi të konsoliduar si destinacion turistik gastronomik, rajoni i Ulqinit mund të këtë përfitime të larta në drejtim të rritjes së numrit të turistëve, zhvillimit të prodhimit rajonal dhe produkteve rajonale, duke sjellë kështu përfitime ekonomike të qëndrueshme për këtë komunë. Për t’ia arritur këtij qëllimi aktorët e qeverisjes vendore ( pushtetarët) duhet që zhvillimi i sektorit të prodhimit tradicional agroushqimor dhe integrimi i këtyre produkteve me turizmin të kthehet në prioritet për qeverisjen vendore. Dhe, kjo duke filluar me identifikimin e prodhuesve vendas, trajnimin e tyre me njohjen e rëndësisë dhe vlerave që mbart prodhimi vendas, trajnimin i tyre nëpërmjet seminareve , workshopeve etj, për ndërgjegjësimin e tyre rreth pasurisë kulturore dhe materiale që ka prodhimtaria e tyre.