Muriqan – Sukubinë
Vendkalimi i përbashkët Muriqan/Shqipëri – Sukobin/Mali i Zi
Vendkalimi i Muriqanit është hapur ne vitin 2002. Aktualisht është vendkalimi tokësor i katërt për nga vëllimi i trafikut të udhëtarëve. Ndodhet në rrethin e Shkodrës dhe lidh këtë qytet me Ulqinin dhe më tej, nëpërmjet rrugës magjistrale adriatike dhe autostradës kroate A1, shkon deri në Trieste të Italisë. Në vitin 2009 ka filluar nga puna godina e përbashkët doganore Shqipëri/Mali i Zi e financuar nga BE. Është i vetmi vendkalim kufitar i përbashkët me një shtet fqinj në Shqipëri. Megjithatë të dy policitë kufitare i kontrollojnë dokumentet veçmas. Ende nuk egziston një program i integruar kompjuterik me anë të të cilit regjistrimi i dokumenteve do të bëhej një herë të vetme. Në anën shqiptare të këtij pikë kalimi është i instaluar sistemi Tims që bën lidhjen me të gjithë pikat e tjera shqiptare dhe njëkohësisht i integron në kohë reale këto pika me të dhënat e Interpolit.
Me 24 maj 2011 u hap ura e re mbi Bunë. Kjo urë, me një strukturë të fuqishme dhe moderne, zëvendësoi kalimin mbi urën historike prej druri që ishte plotësisht e papërshtatshme për mjetet transportuese të tonazhit të lartë. Ky aspekt heq çdo barrierë dhe e shndërron atë të Muriqanit në vendkalim kufitar të klasit të parë.
Nga Shkodra në Muriqan rruga është e strukturuar mirë, kurse nga Sukobini deri në Ulqin ose Ujëmirë/Dobra Voda është kodrinore, e ngushtë dhe jo e përshtatshme për qarkullimin normal ose të shpejtë të autobuzave dhe kamionëve.
Hani i Hotit – Bozhaj
Vendkalimi i Hanit të Hotit gjendet në rrethin e Malësisë së Madhe dhe ndodhet në rrugën që lidh Shkodrën me Tuzin dhe Podgoricën. Është hapur në vitet ’80 si rezultat i përmirësimit të marrëdhënieve Shqipëri – Jugosllavi dhe ishte i vetmi komunikim me Jugosllavinë pas shumë kohesh izolimi total nga të dy shtetet. Është vendkalim multimodal pasi përveç rrugës kalon edhe hekurudha. Në këtë pikë kryhen procedurat doganore të çdo përmase. Ky vendkalim e ka humbur paksa interesin por mund ta fitojë menjëherë atë kur të ndërtohet autostrada që do të lidhë Podgoricën me Dubrovnikun.
Vermosh – Guci
Vendkalimi i Vermoshit ndodhet në rrethin e Malësisë së Madhe dhe është hapur për të lehtësuar kalimin e udhëtarëve drejt Gucisë dhe Plavës dhe anasjelltas. Qëndron i hapur me orar dhe në periudha të ndryshme të vitit. Aktiviteti kryhet në kontainer. Është e persosur infrastruktura rrugore për të arritur në këtë vendkalim kufitar. Ky vendkalim ndodhet në skajin më verior të Shqipërisë.
Qafë Vranicë – Plavë
Ky vendkalim është ende në fazën e përfundimit. Ndodhet në afërsi të fshatit Çerem të rrethit të Tropojës. Pas përmirësimit të infrastrukturës rrugore ky vendkalim do të bëjë të mundur lidhjen e të gjithë zonave të Tropojës dhe Malësisë së Gjakovës me Plavën dhe Gucinë në Mal të Zi.