Nga Gjekë Gjonaj
Më 1 maj 2019, në New York të SHBA-së, ndërroi jetë një burrë fisnik, besnik, human e atdhetar Ejll Zagreda në moshën 94 vjeçare nga fshati Reç i Komunës së Ulqinit. Ky aktivist i palodhur e shumë i respektuar në komunitetin shqiptaro-amerikan, dhe jo vetëm, gjatë gjithë jetës së tij iu përkushtua me dinjitet familjes, vendlindjes dhe kombit të tij shqiptar të dashur.
Ejlli jetoi me dinjitet jetën e tij në vendlindje dhe në mërgim, duke i nxitur dhe fëmijët e tij të bënin të njëjtën gjë. Ai me cilësitë e tij që zotëronte është një shembull që të frymëzon për të bërë vetëm gjëra dhe punë të mira. Si i tillë, do të mbetet në kujtesën time e të shokëve dhe miqve të tjerë. Motoja e tij e jetës ka qenë puna me ndershmëri në të mirë të gjithë komunitetit pa dallim. Një burrë zotëri, me ia pasur lakmi. I dashur. I hareshëm e miqësor me të gjithë.
Rrugëtimin e tij të jetës e vijoi me nder, bujari, traditë dhe mikpritje sipas zakoneve e traditave shqiptare. Ishte dëshmitar i shumë hidhërimeve, gëzimeve e ngjarjeve si në vendlindjen ku jetoi një pjesë të jetës ashtu edhe brenda komunitetit shqiptaro –amerikan në Shtete të Bashkuara të Amerikës. Karakteristikë e tij është se gjithnjë ka qenë i dalluar për bujari e bamirësi të shprehur në çdo rast, që njerëzit i kanë kërkuar ndihmë, mikpritje me zemër të pastër shqiptari për të gjithë miqtë, dashamirësit dhe bujtësit e rastit, që kanë qëndruar në shtëpinë e tij.
Ejlli qysh i ri në Reç sikurse kujtojnë shumë miq e shokë të tij, ka pasur për zemër ndjenjat e zjarrta atdhetare. Në takimet e shpeshta të përbashkëta më fliste me pasion dhe respekt për historinë e lavdishme të burrave shquar të Malësisë dhe trevave tjera shqiptare , heroizmin e tyre ndër shekuj, dëshirat e zjarrta për liri dhe pavarësi.
Ai si aktivist i madh e i palodhur i çështjes shqiptare, mori pjesë aktive në shumë demonstrata antikomuniste, që organizoheshin para OKB-së dhe shtëpisë së Bardhë në Washington, D.C. Po ashtu ai mori pjesë në demonstrata për çështjen e Kosovës, kundër regjimit serb. Sa shumë e gëzoi Pavarësia e Kosovës. – Ai që nuk i përket kombit dhe atdheut nuk i përket askujt, më thoshte disa herë . Një Meritë e madhe e Ejllit është edhe formimi kombëtar i nipit të tij Mark Gjonaj, i cili sot konsiderohet ndër shqiptaro-amerikanët më të nderuar. Këtë rrugë atdhetarie e vazhdon me shumë dashuri edhe djali i tij Kolë Zagreda.
Falë bujarisë së madhe në shpirt Ejll Zagreda ka kontribuar shumë në ndihma financiare dhe materiale, për të rindërtuar kisha, xhami, rrugë e objekte tjera të infrastrukturës, për të ngritur buste e përmendore figurave të shquara shqiptare, për të ndihmuar refugjatët kosovarë në kohën e gjenocidit serb në Kosovë, sikurse dhe shumë ndihma të tjera humanitare jo vetëm në Komunën e Ulqinit, por edhe në Malësi, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e SHBA. Angazhimi i tij ishte i pranishëm kudo që ai gjendej, ai kontribuoi gjithnjë nën frymën e tolerancës, mirëkuptimit e dashurisë në mes njerëzve.
Zemra e tij ishte e hapur për të gjithë, sikurse edhe shtëpia e tij ishte gjithmonë e hapur dhe e mbushur plot me miq. Ai ishte një burrë model , një burrë që dinte të vinte të tjerët para vetes. I papërkulur edhe në momente të vështira.
Ai ishte dhe mbetet njeriu i vullnetit të mirë, i sukseseve të
mira i dashurisë për njerëzimin, për
shqiptarët e Kosovës, Shqipërisë, Maqedo0nisë, Luginës së Preshevës
e Arbëreshët e Italisë dhe të tjerët
kudo që ndodhen. Thoshte: I dua shqiptarët , mos më akuzoni pse i dua.
Ai e deshti vendlindjen, punoi për të dhe ia
fali të gjitha ato që kishte.
Nderimi qe iu bë mikut tim të shtrenjtë dhe familjes së tij në funeralin Faranga Bros në Nju-Jork, ditën e shtunë, më 4 maj, nga një numër i jashtëzakonshëm i shqiptarëve dhe amerikanëve, në mesin e të cilëve edhe personalitete të larta politike shqiptare dhe amerikane flasin më së miri për vlerat e tij, që familjarët e tij , fëmijët, nipat, mbesat, dhe ne të gjithëve na bëjnë krenarë. Në këtë ceremoni mortore, në të cilën në emër të komunitetit shqiptaro-amerikan, për jetën dhe veprimtarinë e tij, foli Gjekë Gjonlekaj, u dallua në mënyrë të veçantë pjesëmarrja e Batalionit “ Atlantiku”.
Ejll Zagreda për mua ishte një prind i dytë, një njëri i fjalës, i besës. Do ta mbaj mend si një njeri të rrallë. Si një njeri të qeshur e plot jetë. Si një njëri zemër mirë, që ishte rritur në vuajtje, por që vuajtjet kurrë si duronte. Si një bir shqiptar që diti të ruaj dhe të promovojë vlerat e vërteta të traditës së bijve shqiptarë , i cili do të jetë frymëzim jo vetëm për fëmijët dhe të afërmit e tij, por edhe një shembull i mirë për të ardhmen.Si një shqiptar të ndershëm e fisnik, me virtyte të larta njerëzore e formim të pastër kombëtar.
I lehtë të qoftë dheu i vendlindjes që aq shumë e deshti dhe që gjithçka ia fali me besnikëri dhe fisnikëri!