
Gjek Gjonlekaj/New York
Ishte e dielë në mbrëmje më
4 shkurt të vitit 1984, ora 8 e mbrëmes kur ra telefoni në banesën time. Nga
zëri i pikëlluar i vëllaut kuptova se kishte ndodhur diçka e papritur në
familjen tonë në New York. Ai tha se baba ynë Nika kishte vdekur papritmas nga
një sulm në zemër. Në atë kohë kisha jetuar në qytezën Annandale të shtetit
Virginia në periferi të Washingtonit. Natyrisht se e perjetova rënde ketë lajm
tragjik dhe të papritur. Menjëherë thirra në aeroportin e qytetit nëse kishte
ndonjë lidhje ajrore atë natë me New Yorkun. Po thanë ata, ishte një lidhje
ajrore në ora 10 të mbrëmjes, bile ky kishte qënë fluturimi i fundit. Mendova
të udhëtojmë vetëm unë e gruaja, por djali i vogël Gjoni tha se donte ta shihte
edhe njëherë gjyshin. Fëmijët kishin shumë emocione për vdekjen e gjyshit.
Kështu udhëtuam të gjithë së bashku dhe arritëm në Brooklyn pak pas mesnate. Në
banesën ku kishim jetuar me prindërit e mi gjetëm shumë miqë e dashamirë. Kishin
arritur menjëherë edhe Kadri Abdyl Gjonbalaj me të gjithë anëtarët e rritur të
familjes së tij. Familja jonë dhe familja Gjonbalaj ishin të pandarë. Ç’prej
vitit 1981 unë dhe vëllau Luca kishim marë pjesë aktive në demonstrata
anti-jugosllave për lirinë e Kosovës. Atë natë pyeti dikush nëse do të bëhej
vorrimi në New York apo në vendlindje. Nuk kisha asnjë përgjigje në atë moment.
Ç’prej prillit të vitit 1981 e deri atë ditë kisha menduar shumë për këtë
çështje që për mua kishte qënë tepër e ndjeshme dhe problematike në shumë
aspekte. Dy javë përpara demonstratës së madhe në Washington kundër
Jugosllavisë, unë kisha biseduar gjërsisht me babain dhe nënën për vajtjen tonë
në atë demonstratë dhe për pasojat dhe ndërlikimet që do të lindin nga
pjesëmarrja ime atje. Gjithë kohën biseduam për çështjen e varrimit të tyre në
vendlindje edhe pse ishte temë e papërshtatshme. Të dy prindërit thanë mos u
shqetëso për çështjen tonë. Bile iu luta vëllaut që të mos merrte
pjesë. Kishim rënë dakord për këtë çështje. Datën e caktuar në mbrëmje u nisa
për të marrë autobusin në vendin e caktuar në Manhattan ku prisnin shumë
shqipptarë. Nuk e di si por pas pak arriti edhe vellau. E pyeta pse kishte
ndërruar mendimin? Nëna më kishte tregur më vonë se ishte ankuar tërë kohën pse
nuk po merrte pjesë në atë demonstratë. Por nëna i kishte thënë shko dhe mos u
shqetëso për çështjen tonë.
Mua personalisht më shqetësonte një
amanet i madh që më kishte lënë babai në dhjetor të vitit 1969. Pavarësisht se
kisha qënë student në Fakultetin e Drejtësisë në Prishtinë, kisha vendosë të
largohesha. Largimi im ishte çështje personale. Nuk kishte lidhje me regjimin
dhe as me politikën e vendit. Unë në atë kohë nuk kisha asnjë rëndësi politike
ose shoqërore. Isha një student i thjeshte, bile jo fortë i mirë në studime.
Pavarësisht se nuk më pëlqente mërgimi u largova, por jo për mrekullitë
ekonomike të Amerikës dhe as për jetën luksoze, por për vështirësi personale
ekonomike. Largimin tim nga Kosova dhe Malësia e kujtoj si ditën më të dhimbshme
të jetës.Disa javë para largimit e njoftova babain për këtë vendim. Nuk bëri
asnjë koment, por aty për aty e mbuloi një heshtje e pikëlluar. Ai tha: “Po kjo
nana jote ka me u çmend pa ty këtu”. Kjo fjali më shtyri t’i bëjë pyetje: ” po
sikur të shkojmë të gjithë së bashku dy motrat dhe vëllau i martuar me një
djal”. Përgjigjja e tij ishte më jep pak kohë të mendojë dhe brënda javës do të
përgjjigjem. Pas një jave më tha:”Po, do të shkojmë të gjithë me ty”. Por para
se të nisemi dua me të lënë një amanet. “Kur të vdesë me më kthye në vendlindje
në vorret e prindërve në Kodër të Kryqit siç i quajnë varrezat tona. I premtova
duke i dhënë besën e Zotit që kam për ta kthyer trupin e tij të pa jetë në
Triesh të Malësisë. Ti e kupton më tha se tash në moshën 60-vjeçare është vonë
për mua të marrë rrugët e gyrbetit. Po e bëjë këtë sakrficicë për të mirën e
familljes.
Pas një qëndrimi 9 muajsh në periferi të Romës në Itali,në shtator
të vitit 1970 imigruam në Shtetet e Bashkuara. Pas jetesës shumë të mirë në
periferi të Romës e kishim të vështirë përshtatjen në Amerikë. Shtetet e
Bashkuara nuk kishin qënë ashtu siç e kishim imagjinuar. U desh një kohë e gjatë
për t’u sistemuar. Punët e rënda fizike dhe mosnjohja e gjuhës së vendit e bënin
jetën të vëshirë dhe monotone. Pas pak më shumë se një dekade u pranova në Zërin
e Amerikës dhe atje fillova një jetë të re dhe shumë të mirë , mbase më të
lumturën në Amerikë.
Të nesërmen a arritjes sime në New York për
vdekjen e babait, malësorët ishin kurioz për vendimin tonë se ku do të
vorrohet?. Familjarët dhe dashamirët bënin telefonata gjithë ditën për këtë
çështje. Dy tre dashamirë tonë kishin biseduar me zyrtarët jugosllavë për
mundesinë e varrimit në vendlindje. Ata kishin thënë se nuk ka asnjë problem në
qoftë se vellazërit Gjonlekaj vijnë në konsulllatë dhe bisedojnë me ne për disa
kushte dhe mundesitë e vajtjes së tyre në Jugosllavi. Pas pjesëmarrjes sonë
serioze ne demonstrata anti-jugosllave ne e kishim të vështirë hyrjen në zyrën e
tyre. Ata kishin dërguar mesazhe që nuk do te jetë problem nëse ata vijnë në
zyrën tonë dhe kërkojne falje dhe premtojne se nuk do të marrin më pjesë në
demonstratat kundër Jugosllavisë. Dashamirët tonë ua bënë të ditur që në asnjë
mënyrë ata i nuk pranojmë kërkesat e tyre. Ishte viti 1984 viti i përpjekejeve
për liri. Nga ana tjetër vajtja jonë në Jugosllavi në atë kohë do të quhej
tradhëti nga shqiptarët atdhetar të Amerikës. Një ditë më vonë ata dërguan
mesazhin që nuk do të lejojnë varrimin e tij në vendlindje. Kjo më shqetësoi
shumë sepse nëna, motra dhe dy kushri kishin vendosur të udhetojnë në Malësi për
varrimin e tij . Varrimi i tij në Amerikë më brengoste shumë sepse i kisha
premmtuar kthimin në vendlindje. Pavarësisht premtimeve jugosllave,kisha frikë
nga arrestimi dhe torturat e tyre. Babai gjatë kohës sa kishte jetuar në
Amerikë, nuk e kishte thënë kurrë një fjalë te keqe për atë regjim. Për 14 vjet
në Amerikë nuk kishte marrë pjesë në asnjë aktivitet ku mund të flitej keq për
Jugosllavinë.Ishte shumë i kujdeshëm për të mos i prishë vetes kthimin. Kishte
përvojë nga Lufta e Dytë Botërore.
Gjatë pushtimit italian të
Shqipërisë kishte hyrë vullnetar në forcat fashiste italiane për bashkimin e
tokave shqipptare. Një numër i dukshëm malësorësh ishin bërë pjesë e
forcave italiane për bashkimin e tokave të robëruara nga sërbo-malazezët.Kishte
shërbyër në vise të ndryshme të Shqipërisë, bile tregonte për pjesëmarrjen e
tij në paradën ushtarake në Tiranë për vrasjen e Nok Gjeloshit. Atë paradë
tregonte ai e kishte drejtuar një general italian dhe se e gjithë komanda kishte
qënë italisht. Ai tregonte se kishte qënë shumë i shqetësuar sepse ai vet I dyti
ishte në krye të batalionit. Më vonë vullnetarët e Malësisë ishin kthyer në Mal
të Zi në tokat e pushtuara nga Italia. Ai tregonte për sjelljet jo serioze të
disa malësorëve. Tregonte për dhunë e plaçkitje. Disa herë kishte reaguar
ashpër kundër tyre. Ata e kishin keqpërdorur fuqinë dhe armën e pushtuesit. Në
fillim kishte qënë optimist për bashkimin e tokave shqiptare. E gjithë kjo
kishte përfunduar keq sepse pas rënjes së Itaisë e kishin arrestuar dhe future
në burgun e Shkodrës, Atje kishte qëndruar disa muaj dhe kishte pësuar keq. Kjo
përvojë i kishte futur frikën për të mos u përzier më në asnjë aktivitet. Këtu
në Amerikë sidomos pas vieteve 80′, kisha folur shumë për mundësinë e bashkimit
kombëtar, Por pas rënjes së Italisë dhe rivendosjes së kufijeve të mëparshem
shqiptaro-jugosllav ai e kishte humbur shpresën për bashkimin kombëtar.
Entuziazmi ynë për këtë çështje i dukej i kotë. Por kurrë nuk zemërohej për
pikëpamjet tona. Po këtë bindje kishte edhe miku i tij më i dashur në Amerikë
Kadri Abdyl Gjonbalaj. Bile Kadria dhe babai i tij Abdyl Hysa kishin qënë në
radhët e ushtrisë së Prenk Calit për bashkimin kombëtar. Edhe Abdyl Hysa kishte
bërë disa vjet burg jugosllav për këtë çështje.
Ç’prej ditës së tij të
vdekjes, kishin kaluar disa ditë dhe konsulllata jugosllave ende nuk kishte
dhënë përgjigjen e vërtetë. Pasi e kishin parë se ne nuk do të shkojmë në
Jugosllavi ata kishin dhënë lejen e duhur për varrimin në vendlindje. Në këto
ndërlikime kishte kontribuar edhe një diplomat shqiptar i asaj konsullate. Ai
ishte besnik i dalluar i Jugosllavisë në atë kohë. Zyrtarët jugosllavë ishin
sjellë keq ndaj trupit të babait të pajetë. E kishin zhveshur totalisht, nga
frika se në trupin e tij të vdekur mund të kishim futur propagandë
anti-jugosllave. Pasi e kishin mbyllur arkivolin dhe i kishin dhënë vulat e
duhura, drejtori i funeralit “Joseph Botti” më bëri telefon në shtëpi dhe me
tregoi për sjelljet e tyre barbare. Kjo tha ai nuk kishte ndodhur asnjëherë më
parë. Ishte shumë i shqetësuar. U qetësua pasi i tregova arsyen pse kishin
vepruar në atë mënyrë. Për shkak të motit të vështirë ata kishin arritur pas tri
ditësh në vendlindje. Pavarësisht se ishte dimër pjesëmarrja në mortin e tij në
Triesh kishte qënë e dukshme. Kishin marrë pjesë shumica e politikanëvë dhe të
shkolluarëve të Malësisë. Në letren e vdekjes, autoritetet malazeze kishin
kërkuar që të mos përmendej emëri ynë si pasardhës të tij. Nuk kishin krijuar
asnjë incident. Aty këtu ndonjë dashamirë besnik i Jugosllavisë kishte bërë
komente jo të mira për mos pjesëmarrjen tonë, ashtu siç kishin bërë edhe këtu në
Amerikë. Dy gjëmtarë dhe një vajtore kishin qënë agresiv për aktivitetet tona
për mospjesmarrjen tonë, duke na quajtur ballista e zogista, gjë që ishte e
vërtetë sepse në atë kohë kishim lidhje të ngushta me këto dhe shumë organizata
të tjera kombëtare. Pas një jave u ktheva nga New Yorku në Washington për të
vazhduar punën. Ato ditë kishte vdekur udhëheqësi i lart sovjetik Juri Andropov.
Një ditë pasi u ktheva producenti i Shërbimit Shqip të Zërit të Amerikës më tha
se unë dhe Fehime Pipa do të shkjomë sot në studio për të lexuar lajmet dhe për
të drejtuar programin e ditës. Duke lexuar lajmet dhe reportazhet nga Moska për
vdejen e Andropovit kisha shumë emocione sepse në atë orë vorrohej edhe babai
im në Triesh. Pasi mbaroi emisioni Fehime Pipa më pyeti. Pse kishe kaq
emocione? I tregova të vërtetën. Më bëri vrejtje se nuk duhesh të ishe sot në
studio. Ishte ky një vendim personal. Nuk desha të dorëzohesha para jugosllavëve
as në raste të tilla tragjike. Pa asnjë dyshim kjo ka qënë një javë e
dhimbshshme dhe e vështirë që nuk e harrojmë kurrë. Pavarësisht se në atë kohë
isha nëpunës i Qeverisë Federale të Shteteve të Bashkuara nuk e përdora në këtë
rast, sepse Jugosllavia në atë kohë kshte lidhje të shkëlqyeshme me Amerikën dhe
isha i dyshimtë se mund të pësoj keq. Më në fund dëshira e babait tim u realizua
dhe ai prehet i qetë në varret e vendlindjes së tijë tash 35 vjet. Edhe nëna
kishte lënë amanet varrimin atje. Edhe asaj ia plotësuam deshirën në Qershor të
viti 2008 pa asnjë vështirësi. Poeti dhe shkrimtari ynë i madh Martin Camaj
kishte respekt të jashtzakonshëm për të gjithë ata shqiptarë që kërkonin të
prehen në amshim në dheun e të parëve. Këto amanete krijojnë dilema te mëdha
për brezin tonë në diasporë. S’ka dyshim se ata ishin të dashur, por pasardhësit
tanë janë mbase më të dashur. Këto ishin disa episode nga ato ditë të dhimbshme
nëpër të cilat kanë kaluar shumë shqiptarë në atdhe dhe në mërgim.
Ky shënim
për babain tonë Nikë Pjetër Lukën -Gjonlekaj bëhet me rastin e 110-vjerorit të
lindjes dhe 35-vjetorit të vdekjes.