Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” shënoi sot 28-vjetorin e themelimit të saj, me ç’rast ka ndarë Çmimin Tradicional për arritje të jashtëzakonshme në shkencë, kulturë dhe art.  

Pasi që ka analizuar rezultatet e arritura në fusha të ndryshme nga krijuesit dhe studiuesit shqiptarë në Malin e Zi, gjatë periudhës kohore 2016-2018, juria në përbërje: Ali Salaj, Cani Lazoja dhe dr. Nexhad Avdiu, ka vendosur që Çmimi Tradiconal i “Art Club”-it t’i jepet studiuesit të gjuhës, krijuesit letrar, gazetarit dhe mësimdhënësit Mr. Haxhi Shabani, me motivacion “Për punën e çmuar në fushën e studimeve sociolinguistike dhe të dygjuhësisë, duke i kontribuar hulumtimit dhe studimit gjuhësor të shqiptarëve në Malin e Zi, si dhe për estetizimin e poezisë, të cilën e ngriti në një kod të veçantë poetik duke ndikuar në komunikimin bashkëkohor te lexuesit”.

Çmimi i SHAI “Art Club” është themeluar në vitin 1991 si Shpërblim Vjetor, kurse që nga viti 2009 jepet për çdo tre vjet. Këtë Çmim deri tani e kanë fituar: Rudi Goga, Dom Simon Filipaj, Basri Çapriqi, Asllan Bisha dhe redaksia e revistës “Fati”, Këshilli i Simpoziumit “Meshari i Gjon Buzukut – monument i kulturës shqiptare 1555-1995”, Ali Salaj, Nail Draga, Riza Rexha, Emin Halili, Cafo Boga, Bajram Rexha, Ruzhdi Ushaku, Gjelosh Gjokaj, Hajro Ulqinaku, Mehmet  Kraja, Fiqiri Hasanaga (pas vdekjes), Simë Dobreci, Hajrullah Koliqi dhe Haxhi Shabani. “Art Club”-i është subjekti i vetëm ndër shqiptarët në Mal të Zi, i cili ndan Çmim për krijuesit shqiptarë.

Krahas ndarjes së Çmimit Tradicional është prezantuar edhe veprimtaria e gjithanshme e Shoqatës gjatë vitit 2018, që konsiston në disa fusha: veprimtarinë botuese, manifestimet letrare, përurimet e librave, shënimin e përvjetorëve dhe të ngjarjeve të ndryshme, organizimin e ekspozitave, debateve publike etj. Është vlerësuar vazhdimësia e punës së suksesshme e “Art Club”-it në ruajtjen dhe afirmimin e kulturës shqiptare në Malin e Zi.

SHAI “Art Club” është themeluar më 28 dhjetor 1990 nga një grup i dalluar i krijuesve të Ulqinit dhe përbën njërën prej organizatave joqeveritare më të vjetra jo vetëm në komunën e Ulqinit dhe ndër shqiptarët në Mal të Zi, por edhe në tërë Malin e Zi.

By admini