Nga Gjekë Gjonaj
Kur erdha të jetoj në Ulqin para 22 vitesh, duke ecur me shumë kujdes nëpër rrugët e qytetit, më ra në sy sa shumë pengesa ka për ato nëna e baballarë që ecin me karroca fëmijësh në rrugë. Domethënë ky qytet nuk kishte qasje të lirë për të gjithë. Veçmas për njerëz me aftësi të kufizuara. Për ata që përdorin karrige me rrota, si dhe për persona të verbër. Pra, për ata njerëz që kanë nevojë për më shumë ndihmë.
Kjo shtresë e shoqërisë sonë, e barabartë me ligje dhe retorikë, por jo në realitet, edhe sot po përballet me të njëjtat probleme. Infrastruktura është e pakalueshme. Në trotuare ka makina të parkuara. Trotuaret në të shumtën e rasteve janë mbi 5 centimetra të lartë. Nuk ka siguri kur kalon nga njëra anë e rrugës në tjetrën. Në skaj të rrugëve nuk rampa me material relievor dhe jo i rrëshqitshëm për kalimin e disnivelit midis trotuarit dhe rrugës.
Kalimi i rrugës nga persona me vështirësi në shikim ( të verbër) pamundësohet nga mungesa e semaforëve me sinjal zanor (akustik) . Po ashtu mungojnë plotësisht edhe vijat e bardha me material të ashpërsuar paralajmërues. Madje edhe hapësirat publike ( parqet), shkollat, bizneset, ndërmarrjet publike dhe ndërtimet e reja, urat apo rrugët e reja, me përjashtim të kryqëzimit të ri në qendër të qytetit, nuk i kanë marrë aspak në konsideratë këto vështirësi. Komuna deri më sot, Deri më sot komuna , cila është shërbim i të gjithë qytetarëve, fatkeqësisht ka vetëm një sportel të qasshëm për njerëzit me vështirësi në lëvizje. Këto lloj pengesash për këtë kategori njerëzish vazhdojnë të jenë shembull i keq dhe asociale edhe sot , sepse ato ndajnë , për të mos thënë diskriminojnë shumë njerëz të cilët nuk mund t’i kalojnë këto lloj “urash”.
Ky qytet i pa përshtatur ( i pa qasshëm) për personat me vështirësi në lëvizje pengon punësimin, pjesëmarrjen në aktivitete sportive, sociale e kulturore dhe mundësinë për të gëzuar një jetë familjare si të gjithë të tjerët. Domethënë të jetosh me aftësi të kufizuara në Ulqin është sfidë.
Inkurajon nisma e pak ditëve më parë ( saktësisht, më 15 shtator 2018) e kryetarit të Kuvendit të Komunës së Ulqinit, dr. Ilir Çapunit, për të ndryshuar ( përmirësuar) pabarazinë ekzistuese kësaj shtrese të shoqërisë në këtë qytet. Zotimi tij publik se “ duhet të kuptojmë të gjithë ne se personat me aftësi të kufizuara janë persona të barabartë të shoqërisë sonë ndaj të cilëve duhet të përkujdesemi dhe duhet t’u krijojmë kushte normale për lëvizjen e tyre të lirë, së pari në objektin e komunës e më pastaj mundësisht edhe në institucione tjera e vendkalime publike” është një dritë jeshile në fund të tunelit të gjatë dhe një shpresë për këta persona që ende qëndrojnë në errësirë.
Nuk dyshoj në premtimin e kryekuvendarit të Ulqinit, i cili një kohë ka punuar në Amerikë, ku, siç u shpreh ai, impresionohesh me barazinë e të gjithë njerëzve, ku nuk ka lokal, nuk ka ndërtesë, nuk ka klasë e cila nuk është e qasshme për secilën kategori të njerëzve. Përkundrazi. Dua të besoj dhe të shpresoj se edhe Ulqini në një të afërme jo të largët të jetë në grupin e tyre qyteteve të rajonit, të cilat e kanë zgjidhur këtë problem.
Nga ana tjetër sytë e përlotur nga rrëfimi për të drejtat që u shkelen asaj vet dhe miqve të ngjashëm të kryetares së Shoqatës së Paraplegjikëve të Komunës së Ulqinit , Magdalena Gjonoviq, (një aktiviste e mbrojtjes së të drejtave të kësaj shtrese, e gjendur prej shumë vitesh në një karrige me rrota për shkak të pasojave të tërmetit shkatërrues në Ulqin në vitin 1979) , duhet t’u hapin sytë të gjithë atyre që janë në gjendje të shikojnë dhe duhet të shikojnë. Dhe kjo duhet të ndodhë sa më parë. Nëse dëshirojmë dhe duam sinqerisht të ndërtojmë një të ardhme më sociale dhe më të denjë, ku ka vend për të gjithë, përfshirë edhe njerëzit më aftësi të kufizuara, të cilët gjithnjë po përballen me një betejë të përditshme. Domethënë duhet seriozitet më i madh nëse duam të kemi vërtet një qytet për të gjithë dhe të kalueshëm.