Nga Uk Lushi*
Protagonist, me plan apo pa të, në shtërngatën më të re artificiale është bërë publicisti Mustafa Nano. Furtuna, në thelb, është banale sepse nuk është furtunë, por një gjë krejt e rëndomtë në çdo shkëmbim ndërnjerëzor mendimesh.
Gazetari Nano ka të drejtë të shprehë mendimet dhe konkluzionet e tij, qofshin ato edhe të gabuara. Në vend se të sulmohet ad hominem, publicisti Nano duhet të ballafaqohet me mendimet e kundërta, argumentet dhe faktet.
Përgjatë historisë shqiptarët i kanë ndikuar serbët dhe anasjelltas. Ndikimi dhe marrje-dhënia mes grupeve njerëzore sidomos fqinje është gjëja më normale në botë.
Periudha më e re e marrëdhënieve serbe, krejt shekulli XX dhe gati dy dekada të shekullit XXI, është periudha më e keqe mes serbëve dhe shqiptarëve dhe kjo kryekëput për shkak të serbëve. Kjo duhet thënë pa ekuivoke sepse është faktike.
E kuptoj nevojën për shikim para dhe pajtim të të dy popujve në të ardhmen dhe uroj që raporti serbo-shqiptar të jetë si duhet sa më shpejt. Sidoqoftë, në këtë koment timin të shkurtër nuk do të hyj thellë në ato çfarë kishte thënë skraparliu Nano në kryeqytetin serb mbi ngjashmëritë multi-dimensionale serbo-shqiptare sepse ngjashmëri mes fqinjëve njerëzore ka kudo dhe kjo nuk është ndonjë e re e madhe. Por një mëkat intelektualo-debatues nuk duhet ta lejojë Mustafa Nano dhe ai këtë gjynah po e bën gati vazhdimisht kur po përdorë gjakun në ligjërimet e tij.
E bëri në disa paraqitje lidhur me gjakun e kryeheroit shqiptar Skënderbeut dhe familjes së tij para disa muajsh dhe tash rishtas me shqiptarët e Kosovës në një intervistë.
Gjaku njerëzor nuk është as vetëm shqiptar, as vetëm serb, as vetëm grek, as vetëm kinez, as vetëm ugandez, as vetëm brazilian, as vetëm…; gjaku njerëzor është vetëm gjak njerëzor dhe, si i tillë gati totalisht irelevant, pra i parëndësishëm, kur debatohen grupet njerëzore.
Çfarë e bën një njeri serb apo shqiptar nuk është gjaku, mirëpo devotshmëria dhe kontributi për një kulturë, komb dhe civilizim. Në këtë aspekt postulator për grupet njerëzore gjaku është i parëndësishëm dhe i panevojshëm dhe kur përdoret në shkëmbime dhe diskutime që duan të mos jenë sharlatane është gabim i rëndë.
Kombet themelet i kanë në të kaluarën, e cila nuk është puro biologjike, muret dhe kulmin e ndërtesës së tyre i ndërtojnë ose meremetojnë në të tashmen ndërsa për të ardhmen ka rëndësi cilat janë synimet dhe planet për të shtuar kate të reja në godinë dhe për t’i bërë ato kate sa më me vlera dhe sa më gjithënjerëzore.
Prandaj, përdorimi i gjakut, është joserioz, jorelevant dhe jo i drejtë. Trup e shqip, gabim i z. Nano, të cilit megjithatë duhet t’i dëshirojmë qëmtime të reja në ndjekje të temave të interesit të tij dhe korrektësisë menduese, intelektuale, kombëtare dhe njerëzore.