Shkruan: Mr. Anton Lulgjuraj
07.02.2015
Ashtu sikurse edhe titulli i këtij artikulli, do përpiqem shkurtimisht të ngjall një reflektim mendor tek të gjithë ata që janë aktivistë, politikan apo të ndonjë profesioni tjetër në lidhje me situatën e shqiptarëve në Mal të Zi. Këtë mesazh dua të ua dërgoj të gjithë mendje ndriturve të sinqertë, aktivistëve dhe kontribuesve, e pa përjashtuar këtu edhe Diasporën tonë në SHBA.
Kjo decenie e fundit solli ndryshime rrënjësore në pozitën e shqiptarëve në Mal të Zi. Shumë u bënë viktima të sistemit. Disa i hëngri atdheu. Të tjerët punuan për interes jo kolektiv, ndërsa në mesin e këtyre kishte edhe injorant e delirant politik të cilët të paarsimuar dhe pa njohuri elementare për situatën politiko – sociale, të udhëhequr nga injoranca dhe krenaria bosh, filluan të spostojnë problemet e Malësisë dhe shqiptarëve në Mal të Zi, duke filluar të merren me çështje që atyre as nuk u takojnë. Tentuan të ndërtojnë kulmin pa ndërtuar themelin. Kjo tregon jo seriozitet, situatë qesharake, nivel të ulët të vetëdijes etj.
Së parit, pozita e shqiptarëve në Mal të Zi, në rrafshin gjeneral, është më se e mjerueshme dhe tepër shqetësuese, sepse mungesa e perspektivës dhe zhvillimit janë faktor përbërës të asimilimit dhe shpërnguljes së shqiptarëve në Mal të Zi. Politika e pushtetit të shtetit malazez është e shekujve të kaluar. Nëse para mijëra vjetëve filozofët Platoni e Aristoteli flisnin për ndarje pushtetesh, sot në Mal të Zi ndarja ekziston vetëm në letër. DPS po shndërrohet përditë e më tepër në parti diktatoriale duke e kthyer shtetin në sistem monopartiak. Sepse është duke e degraduar opozitën në çdo formë të mundshme. DPS është alfa dhe omega e mjerimit dhe varfërisë qytetare në Mal të Zi.
Së dyti, Malësia kërkon të drejtat e saj që 20 vjet e më tepër. Një nga ato të drejta është vetëqeverisja lokale – Komuna e Malësisë me qendër Tuzin. Ende e parealizueshme. Me punën e “përfaqësuesëve” tanë, rrezikon të mbetet vetëm pjesë e një ditari politiko – historik. Poashtu, edhe Ulqini që sa kohë kërkon kthimin e të mirave detare, por që nuk u arrit gjë deri tani. Për fat të keq, në disfavor të kësaj çështje punuan shumë politikan nga Ulqini. Sot, Qeveria e Malit të Zi kontrollon mbi 30 milion metra katrorë det të Ulqinit. Vendi bregdetar më i bukur në të gjithë Malin e Zi është kthyer në vendin më të varfër dhe më të zbrazët turistik.
Së treti, qytetet tjera që dikur përbënin pjesën më të madhe të popullsisë të banuar me shqiptarë, Plava, Gucia, Tivari dhe Rozhaja, sot janë kthyer në qytete fantazmë nga ana e përkatësisë me kombësi shqiptare. Përqindja e shqiptarëve çdo ditë është në rënje. Deri tani asnjë shpresë qytetarët e këtyre trevave nuk e shohin. Sikur për ta dielli ka përfunduar. Shtëpi bosh. Toka djerrë. Transformim gati në shkretëtirë.
Së katërti, partitë politike me origjinë shqiptare në Mal të Zi më shumë ngjasojnë, nga njëra anë, si subjekte përbërëse të humorit se sa subjekte që veprojnë mbi bazën e akteve dhe qëllimeve për të cilat janë themeluar, kurse nga ana tjetër ngjasojnë me subjekte për të cilat të vjen keq që asnjëherë nuk arritën të kuptojnë dhe veprojnë për interesa të qytetarëve. Deri më sot, janë vetëm shërbëtorët falas dhe më të denjtë të pushtetit diskriminues të Gjukanoviqit. Kjo sjellë edhe dyshimin e madh se për çfarë u themeluan të gjitha këto parti politike gjoja shqiptare?! Madje, ka disa muaj që deputetët shqiptarë ngatërrohen dhe akuzojnë njëri – tjetrin për ndarje copëzash të pushtetit. Aq shumë zhurmë kanë bërë sa që mund të barazohet me të gjitha veprimtaritë që kanë bërë për çështjen e shqiptarëve në Mal të Zi për 20 vjet. Nga një parti, në terma biologjik, u shumuan dhe u krijuan mbi 7 parti. U ndanë që të mos bashkohen. Edhe pse pa u bashkuar nuk ka ndonjë rezultat kualitativ, por bashkimi kërkon kompromise që ndoshta për dikënd mund të jenë edhe shumë të rënda. Iniciativa për shkrirje mund të vijë vetëm nga ata që shohin interesin e përgjithshëm primar. Sot, partitë të ashtu quajtura shqiptare kanë vendosur që mos t’i bashkangjiten iniciativës për ndryshim pushteti, por duan që ta mbajnë Gjukanoviqin në pushtet, ndoshta sipas tyre përgjithmonë! Ky është akt tragjiko – politik për përfaqësuesit “tanë”!
Së pesti, shteti amë Shqipëria po përballet me situata aspak të favorshme të përçarjes së thellë të politikës së brendshme. Mungesë vizioni paraqet edhe Kosova. Ekzodi masovik i shpërnguljes së kosovarëve nga trojet e tyre në drejtim të shteteve të ndryshme përbën shqetësimin themelor të Kosovës në përvjetorin e 7 të Pavarësisë së saj. Ky problem e zhytë edhe më thellë në aspektin e zhvillimit shtetin e Kosovës. Shqiptarët në Maqedoni të përçarë dhe të copëtuar. Në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc zëri po vjen duke u zbehë përditë. Plani strategjik mbarëkombëtare është ende iluzion. Në vend që të krijojmë rrjete bashkëpunimi duke u zgjeruar, ne kthehemi në vetëizolim.
Së gjashti, organizimi i diasporës shqiptare kishte batica dhe zbatica, sidomos gjatë dy dekadave të fundit. Por, do veçoj “organizimin” e Diasporës shqiptare në SHBA pas çlirimit të Kosovës. Diaspora, pas çlirimit të Kosovës mbeti në udhëkryq. Filluan grindje dhe urrejte sikur cili do ishte flamurtari. Tepër qesharake një pjesë e madhe e tyre. Filluan ta harrojnë Malësinë. Madje, shkojnë aq larg, sa nga kërkesat për themelimin e Komunës së Malësisë, tani kërkojnë “ndryshim kufijsh dhe krijimin gjoja një lloj Shqipërie tjetër”. Këto janë tema për të thënë se gjoja “ne po punojmë”. Ai person që nuk i ndihmon vendlindjes së vet, ai nuk mund ti ndihmojë dhe nuk i ndihmon askujt tjetër. Është e thjeshtë. Njerëz që mbajnë urrejtje për njëri – tjetrin nuk mund të pretendojnë se do bashkojnë dikënd tjetër, kurr. Fjalë shumë e punë aspak. Ky është përkufizimi për një pjesë të diasporës. E përsëris, për një pjesë të diasporës.
Është qesharake të pretendosh të trembesh nga fusha bishën që është në mal. Shumë nga deklaratat e disa krerëve të shoqatave në Diasporë dhe e disa aktivistëve tjerë, janë pëngesë e madhe në realizimin e të drejtave tona. Deklaratat e tyre kam përshtypje se janë të pa kontrollueshme kur nxjerren edhe pse u jam vetëofruar shumicës për ndihmë. Ata më njohin mua. Unë erdha në mesin e tyre disa herë për të biseduar me ta. U rrëfeva para tyre në mënyrën më të sinqertë. Deklarata se “protestojmë kundër Malit të Zi”, etj, nuk sjellin asnjë të mirë për shqiptarët që jetojnë këtu. Duhet të bëhet dallimi në mes shtetit dhe pushtetit.
Pyetja shtrohet: si dhe çfarë rolit duhet të ketë diaspora në vendlindje? Diaspora duhet gjithmonë të ketë rolin e unitetit dhe të mbajë pozicion qëndror dhe të paanshëm ndaj çdo subjekti dhe aktivisti në vendlindje. Diaspora duhet të përkrah vetëm ata që veprojnë mbi bazën e parimeve dhe projekteve për të mirën e Malësisë dhe shqiptarëve në Mal të Zi. Të mos i shpërndajmë forcat por ti akumulojmë në një vend (të marrim shembullin e hebrejve). Zëri i Diasporës duhet të kthehet në zërin kritik ndaj çdo veprimtarie në vendlindje, sepse në këtë mënyrë do i detyrojnë të punojnë më mirë politikanët në Malësi e në vendet tjera shqiptare. Realiteti duhet të pranohet ashtu siç është. Ideologjia është frymë e brendshme që udhëheq shpirtin dhe mendjen e çdo njeriu. Këtë duhet ta kemi pikë të fortë, por pragmatizmi kërkon reflektim dhe gjykim mbi gjëndjen aktuale. Karakteri i fortë dhe vizioni mendor do thoshte të kundërtën që vjen nga një pjesë e diasporës tonë. Ne nuk duam ta ndajmë Malin e Zi. Mali i Zi është shteti ynë, edhe pse i imponuar. Ne e themeluam me votat tona. Këtë e pranon edhe faktori ndërkombëtar e rajonal. Ne duhet ta demokratizojmë shtetin tonë. Ne duhet të jemi popull auktokton shtet formues pa të cilin Mali i Zi nuk mund të mbijetojë. Ne duhet të jemi në çdo organ shtetëror, të udhëheqim me ministri dhe pse jo, të jetë një ditë edhe Kryeministri dhe Presidenti i Malit të Zi me përkatësi shqiptare. Ndoshta kjo tingëllon si një iluzion, por me vullnet çdo gjë kthehet në realitet. Duhet të jemi produktiv dhe kualitativ, e kundërta na mban në pozitën aktuale.
Duhet të jemi të duruar dhe të kemi durim. Nëse një ditë kufijtë do ndryshojnë në Ballkan, më besoni se nuk do vij nga Malësia e as nga malësorët, por do vijë nga forca dhe trysni ndërkombëtare që sundojnë botën. Me këtë dua të them se duhet të bëhemi pragmatist, por jo të shkelim parimet dhe të drejtat tona. Ne ato duhet t’i kërkojmë në çdo moment dhe duhet të dijmë se në cilin vend ti adresojmë. Kjo është vetëm një përmbledhje e shkurtër e asaj çfarë fare mirë mund të kthehet në një modus vivendi themelor për të drejtuar vendin dhe të ardhmen tonë.
Autori është specialist i të Drejtës Ndërkombëtare dhe Evropiane