Harry-bajraktariSHKRUAR NGA HARRY BAJRAKTARI

Skenat e përditshme të ikjes së qytetarëve nga Kosova janë shqetësuese  dhe si të tilla po e dëmtojnë imazhin e vendit tonë në Evropë dhe  botë. Migrimi ilegal i këtyre ditëve ka marrë formën e një fushate të  pakontrolluar. Duke mos mohuar arsyet dhe kushtet ekonomike të tyre,  papunësinë dhe problemet tjera jetësore që kanë, një formë e tillë e  ikjes masive, e pa kontrolluar dhe paditur se çfarë do të jetë fati i  tyre në ato vende ku pretendojnë të gjejnë strehim, është e keqja  tjetër dhe vendim i ngutshëm, i pasigurt dhe e jo rracional. Ikja me  tërë familjen, duke lënë shtëpitë e zbrazëta, është përsëritur shumë  herë në Kosovë, por në rrethana krejt tjera historike e politike.

Rasti i tashëm i zbrazjes është një fenomen që ndoshta do një shpjegim   më të thellë, sesa ajo që është thënë e shkruar deri tash. Liria e  lëvizjes është një e drejtë e patjetërsueshme e njeriut, e kodifikuar  me normat ndërkombëtare, por ajo duhet të orientohet brenda zyazave  legale, jo në mënyrë të pa rregullt e të pakontrolluar, duke rrezikuar jetën e familjes dhe të vetvetes në kapërcimin e kufirit  ilegal   nëpër malet e Hungarisë. Është vështirë të mendosh se nga kjo rrugë e  migrimit  mund të përfitohet dicka ngaqë vendet e BE-së nuk strehojnë  më azilantë.

Të gjithë këta qytetarë të Kosovës që pretendojnë  vendqëndrim nuk plotësojnë asnjërin nga kriteret e azilantit politik.  Këtu fitues dalin vetëm kontrabandistët që janë serbë e shqiptarë. Kosova ka bërë shumë sakrifica dhe nuk do të duhej të braktiset në këtë formë nga qytetarët e saj. Kjo sakrificë dhe ky investim ka qenë  i të gjithëve dhe s’ duhet harruar. Të kemi besim të jetojmë në vendin  tonë dhe këtë besim ta materializojmë në forma të ndryshme duke  krijuar të mira materiale dhe shpirtërore. Nga shpallja e pavarësisë e deri më tani institucionet e Kosovës nuk  kanë pasur një qasje të mjaftueshme dhe zerioze për të hapur vende të  reja pune, zhvillim ekonomik dhe krijimin e një perspektive të qartë  për qytetarët e saj.

Kjo ka bërë që qytetarët sot të ndjehen të  pasigurt dhe të kenë një dozë frustrimi. Si rezultat i saj del edhe  ikja nga Kosova, por mos të harrojmë se në këtë kaos të krijuar ka  edhe mashtrim dhe shumë iluzione.Populli ynë ka bërë shumë sakrifica për lirinë e tij, e tash duhet të  bëjë sakrificë edhe për ndërtimin dhe zhvillimin e vendit. Qytetarët e  Kosovës duhet të kërkojnë përgjegjësi ndaj atyre që ua  dhënë votën, e  jo të ikin. Mendoj se Kosova është vonuar lidhur me disa projekte të zhvillimit  dhe të punësimit. Qeveria, politika dhe të zgjedhurit e popullit, më herët dhe tash, nuk mund të amnestohen nga kjo që po ndodh.

Këto pamje  që po e përshkojnë Evropën, nuk mund të kalojnë pa pasoja për Kosovën  dhe imazhin e saj. Në këto momente është jetike se si të veprohet dhe si të ndalet ky  migrim i popullatës dhe të mos shohim skena të tilla nëpër kufij dhe  në kampet kolektive të strehimit pa kurrfarë kushtesh! Pra, çështje  është si të ndryshohet kjo situata? Kuvendi i Kosovës miratoi një Rezolutë për pengimin ilegal të migrimit  të qytetarëve të saj. Kjo nuk do të mjaftojë që të ndryshohet gjendja  e tashme nëse nuk ka një zotim të prerë në tejkalimin e vështirësive  të grumbulluara dhe në krijimin e kushteve për një jetë stabile  ekonomike të qytetarëve në vendin tonë.

Këto skena janë një alarmi më  shumë për institucionet e Kosovës.

Qeveria të jetë e përshpejtuar që sistematikisht të krijojë kushte për  hapjen e vendeve të reja të punës duke zhvilluar sektorët më vital të  ekonomisë, e sidomos sektorin e bujqësisë ku ekzistojnë mundësi më të  mëdha punësimi, të ketë stimulim për bizneset private, të vogla dhe të  mesme, krijimin e lehtësimeve doganore dhe rritjen e cilësisë së  prodhimeve vendore në konkurencë me ato të importuara.Qeveria të punojë më shumë për të fituar besimin e qytetarëve, i cili  shihet i luhatshëm pas këtyre skenave të largimit. Institucionet e  Kosovës duhet ta fitojnë betejën mbi korrupcionin dhe krimin e  organizuar. Pa fitimin e kësaj beteje nuk do të ketë as fitim të  besimit nga qytetarët. Liberalizimi i vizave është një faktor shumë i rëndësishëm për  Kosovën.

Me këtë qytetarët tanë do të realizonin një të drejtë të tyre  si të gjithë qytetarët e vendeve tjera. Integrimi në Bashkësinë   Evropiane, në NATO dhe në strukturat e tjera, është një mundësi e  madhe për perspektivën e Kosovës dhe për stabilizimin e saj edhe në  aspektin e sigurisë dhe të zhvillimit ekonomik. Kosova është vendi ynë për të cilin kemi investuar aq shumë, duhet ta duam edhe kur s’ jemi të kënaqur.

*Autori është veprimtar dhe biznesmen i njohur i komunitetit shqiptaro- amerikan dhe themelues i gazetës Illyria në New York.

By admini