Mali-i-Taraboshit-vendi-ku-kaloi-kufirin-Jugosllavi-Shwqiperi-Gjoke-Dabaj
Tarabosh, vendi i kalimit të kufirit

Për të përditshmen shqiptare Dita, Gjokë Dabaj rrëfen për jetën e tij. Ndër gjithë këto tregime të z.Dabaj ne zgjodhëm atë të kalimit të kufirit të athershëm Jugosllavi – Shqipëri.

Ekskluzive / Rrëfim i 76-vjeçarit Gjokë Dabaj nga Tivari, një nga ish-drejtuesit e organizatës patriotike “Liria” në vitin 1962 në ish-Jugosllavi. Misioni që ju ngarkua për të sjellë materialet e shoqatës “Liria” në Shqipëri me qëllim marrjen e udhëzimeve, kalvari i mundimshëm i arratisjes nëpërmjet Malit të Taraboshit dhe dorëzimi në degën e Punëve të Brendshme në Shkodër.

76-vjeçari Dabaj: Pas një nate të pagjumë në afërsi të kufirit, nëpërmjet Taraboshit, kalova kufirin dhe u dorëzova në Shkodër. Ruaja si sytë e ballit materialet e shoqatës “Liria” të cilat do ja dorëzoja shtetit shqiptar, nga ku do të merrja dhe udhëzimet përkatëse për aktivitetin e mëtejshëm të shoqatës në trojet shqiptare nën kufinjtë administrativë të Jugosllavisë.

Janë ditët e para të korrikut 1962. Gjokë Dabajt, një nga themeluesit e shoqatës patriotike “Liria” i ngarkohet misioni i arratisjes në Shqipëri me qëllim informimin e shtetit amë për misionin e shoqatës dhe marrjen e udhëzimeve për platformën e mëtejshme të kësaj shoqate… Në rrëfimin e tij në vazhdim, Dabaj tregon kalvarin e mundimshëm të kalimit ilegal të kufirit, dorëzimin në policinë e Shkodrës dhe ngjarjet e mëtejshme ku ai nuk mundi të kthehej më në ish-Jugosllavi, veçse pas afro 30 viteve…

Si u realizua detyra për kontaktet e organizatës “Liria” me strukturat e shtetit shqiptar?

-Ishte mbrëmje, e të gjithë ishin në gjumë në shtëpinë time. Unë isha shumë i emocionuar. Më kishin dhënë një detyrë tepër të rëndësishme që kurrë nuk më shkonte mendja se do isha unë personi më i besuar për këtë mision të rëndësishëm… Avash-avash shkova tek krevati që flinte Fadil Cukaj, e zgjova lehtë nga gjumi dhe e tërhoqa jashtë. Aty i tregova se isha caktuar për të shkuar në Republikën e Shqipërisë dhe se ai, domethënë Fadili, ishte ngarkuar që të më përcillte deri në kufi…

Kush ua caktoi këtë detyrë?

-Caktimin ma kishte komunikuar Bedrushi, kreu i organizatës “Liria” që para një muaji, por kisha qenë i detyruar ta mbaja sekret, ashtu siç edhe e patëm vendosur në mbledhjen e muajit maj. Do të nisesha pas 6 ditësh dhe takimin ne të dy duhej ta bënim në Tivar poshtë, para një ndërtese që quhej Monopol. Pikërisht në këtë vend qenë vrarë e masakruar një pjesë e rinisë shqiptare. Është dëgjuar e folur gjithandej për këtë masakër, por zyrtarisht nuk është bërë asgjë. Përkundrazi, njerëzit që është dashur të merren me këtë punë, të kërkonin përgjegjësit dhe t’ua dorëzonin gjyqeve, e patën lënë çdo gjë në harresë e në mjegull.

Pse ja komunikuat atë natë të vonë shokut tuaj të ngushtë misionin për arratisjen në Shqipëri?

-Për shkakun që u thashë pak më parë, se ai ishte caktuar që të më përcillte dhe se data e caktuar për kalimin tim në Shqipëri po afronte. Në fakt, unë u befasova shumë nga ky lajm, por e kuptova se ishte detyrë që duhej kryer dhe thashë: “U tha, u ba!”… Kështu unë atë natë bisedova gjatë e për çdo hollësi me Fadilin…

Çfarë biseduat konkretisht?

-Shumë gjera. Biseduam bie fjala çfarë të vishja unë. Problem ishin sidomos këpucët, të cilat duhej të ishin të atilla që të mos kërcisnin rrugës. Ishte me rëndësi të kuptohej që misioni i këtij udhëtimi nuk kish qëllim vetëm sa me kaluar kufirin, por duhej 100% të mos diktoheshim, as unë, as Fadili që do të më përcillte. Duheshin analizuar e parashikuar që të gjitha hollësitë. Do të merrnim gjithashtu edhe fletë nailoni (plasmasi) në mënyrë që, po të na zinte shiu, të kishim me se të mbuloheshim dhe në na u dashtë të flemë diku natën, të mos merrnim ftohje. Detyra niste që të nesërmen…

Çfarë masash përgatitore morët?

-Të nesërmen të katër shokët e tjerë janë nisur për në Ulqin, se andej e kishin rrugën, kurse unë përcolla më tej Fadilin deri në rrugën automobilistike, në vendin që quhet “Gjura”. Gjatë rrugës kemi biseduar mbi të gjitha hollësitë, me të cilat do të mund të përballeshim.

Më datën 6 korrik paradite arrita në Tivar Poshtë dhe përballë një parulle të madhe afër Monopolit, u takova me Fadilin. Fadilit i thashë që rastësisht isha takuar me Ismail Dodën, një shok i yni prej Kranje, dhe se duhej t’i shmangeshim për të mos na parë bashkë. Kemi shkuar te një park në afërsi të detit. Aty jemi takuar, prapë rastësisht, me dy priftërinj. Njëri prej tyre i ka thënë tjetrit: “Hajde të të njoftoj me një shqiptar të vërtetë.” Tjetri ia ka pritur: “E njoh përpara teje.” Kemi biseduar një copë herë. Njëri prej priftërinjve fliste me pasion për Gjergj Fishtën, ndërsa tjetri anonte më shumë nga Ndre Mjeda. Ata janë larguar, ndërsa ne në park kemi folur për disa hollësira që lidheshin me udhëtimin tonë. Tashmë kishim hartuar plotësisht skenarin e arrestimit tim dhe po nisnim vënien në jetë. Detyrat ishin konkrete…

Çfarë përmbante skenari i arratisjes?

Detyra e pare ka qenë: Kur unë të kaloja kufirin, Fadili do t’i bënte telegram Bedrushit me këtë përmbajtje: “Mbërrita shëndosh e mirë në Ulqin.” Detyra e dytë: Pas një jave Fadili do të shkonte në Ulqin dhe të ulej tek pishat pranë Ujit Sulfurik (llixha)… Sipër atij burimi, në sipërfaqen e asfaltit, dikush kishte stampuar gërmën ‘D’. Në rast se deri më 12 korrik unë nuk do të kthehesha, Fadili duhej të priste në vendin që thashë, sepse aty mund të vinte dikush tjetër për t’i dhënë atij detyra të tjera. Ai që do të vinte, duhej ta rrethonte shkronjën “D” me shkumës dhe Fadili do ta kuptonte që ky ishte ndërlidhësi. Në këtë vend, Fadili duhej të rrinte 3 orë, përkatësisht nga ora 09:00 deri më 12:00. Ndërsa në shëtitoren “Plazha e Vogël” Fadili do dilte nga ora 20:00 deri më 22:00 me një veshje të caktuar. Edhe aty mund të vinte ndërlidhësi në fjalë. Të gjithë këta ishin stërhollime të panevojshëm. Fadili bleu disa gazeta dhe disa çokollata të mëdha nga 500-gramëshe, për t’i pasur për rrugë. Këtu shihet që prapë se prapë nuk e kishim prakticitetin e nevojshëm, sepse nuk siguruam pikërisht atë që do të na duhej më së shumti, ujin e pijshëm. Jemi nisur drejt stacionit të trenit, në mënyrë që nëse dikush do të na gjurmonte, të mendonte se ne do të shkonim për Podgoricë. Kemi pritur sa është nisur treni (për Podgoricë), pastaj kemi dalë në rrugën automobilistike. Për fat, aty ka ardhur një autobus turistik i Lubjanës, i cili ishte fare bosh dhe me sa duket, shkonte për të marrë turistë në Ulqin. Ai është ndalur dhe ne hipëm… Kur kemi arritur në Krythë të Anës së Malit, kemi zbritur dhe jemi nisur me hap normal drejt fshatit Bojk. Unë gjithmonë kam dyshuar: Si rastisi që, sapo dolëm në xhade, të vijë një autobus pa pasagjerë dhe të na marrë vetëm ne të dy? Nuk e di, ndoshta të tjerë ishin përkujdesur dhe për detaje të tjera të arratisjes sonë…

Si vazhdoi aventura më tej?

-Kishim pamjen e zakonshme të udhëtarëve. Gjatë gjithë rrugës nuk takuam asnjë njeri. Në pjesën sipër Bojkut ish një faqe mali shumë e pjerrët, me këndin 75 gradë. Ishte shumë vështirë me u ngjit. Duhej me u kap nëpër degë të holla dhe nëpër ferra. Në një vend, Fadili u shpua në një ferrë dhe i rrodhi gjaku në dorë. Në moment, kujtoj se i thashë: “Gjaku i parë për lirinë.” Qeshëm të dy dhe vazhduam rrugën. I jemi ngjitur asaj faqeje, kemi dalë në Qafë të Shën Mërisë para se të errej. Prej andej kemi zbritur nëpër shpatet përmbi fshatra të Kranjës. Kur i jemi afruar kufirit, ishte errur plotësisht. Krejt këtë mund prej katër orësh e kemi bërë për me humb gjurmët, sepse kishim mundur me qëndruar në Ostros në shtëpinë dhe natën me mbërritëm në kufi për 20 minuta. Për më tepër, meqë kishim harruar të marrim ujë me vete, ato 4 orë na u dyfishuan. Ju afruam kufirit. Ishim tue ecë nëpër gjeth të gështenjave. Meqenëse ishte natë edhe shushurima e tyre ndihej shumë, gjë që ty po të nervozonte, unë i hoqa këpucët dhe eca me çorape. E dija që aty diku ishte një saranxhë dhe pranë saj mund të kishte një kovë natyrale. Kërkuam nëpër terr, por kovën nuk e gjetëm. Gjetëm vetëm një lug ku pinin ujë bagëtitë. Pimë ujë, ndonëse buzët më hasnin në baltë. Vazhduam t’i afrohemi kufirit, të kërrusur nga pak dhe me shumë kujdes. Dritat e Shkodrës dukeshin shumë qartë dhe ne e përjetuam atë natë më konkretisht se kurrë afërsinë e Shkodrës. Në një moment krisi një gur që u rrëzua prej një muri. Sigurisht ka qenë ndonjë shtazë e egër. Por ne në çast jemi shtrirë përtokë dhe i ngulëm sytë vetëm andej nga pat ardhur krisma. Kam ndenjur shtrirë nja 2 minuta. Kur shoh, nja 20 metra më tutje, një njeri më këmbë. Na ndodhi e papritura, e thamë se misioni dështoi e ne do na arrestonin ushtarët jugosllavë… Kaluam murin e një prozhmeje. Aty kish kaçube të vogla të frashërit. Unë isha shumë i lodhur, i rraskapitur prej udhëtimit. Propozova që të flinim pak… Vendosëm të kalonin atë natë të fshehur…

Si e kaluat natën në afërsi të kufirit Jugosllavi-Shqipëri?

Qëllimi ishte që, të nesërmen gjatë ditës, të fshehur diku në ndonjë shkurre të dendur, të vëzhgonim dhe në mbrëmje të kalohej kufiri. U futëm në thes plasmasi dhe sa u mbështeta, më mori gjumi. Nuk e di sa kemi fjetur, por kur ka nisë me zbardhë, preka Fadilin dhe i thashë: “Çohu të nisemi!” Jemi çuar. Ishte shumë herët. Jemi nisur dhe kemi zënë vend nën një murë nja 2 metra të lartë, brenda një shkurrishtje të dendur. Kemi ndenjur të maskuar… I dëgjonim kufitarët që kalonin për të zëvendësuar shokët. Madje dhe i shikonim prej biravet të murit. Ishim në pozitë vërtet të keqe, por tani nuk mund të lëviznim. Ndodheshim në një prozhmë, të cilën katundarët që jetonin afër kufìrit, kishin të drejtën me e shfrytëzue. Ashtu si mendonim edhe na doli. Një katundar i kish lëshuar dhentë dhe do lopë në atë prozhme. Në orët e zhegut delet dhe qengjat na erdhën afër dhe po prisnin të zotin me kokët ngulur njëra në tjetrën. U dekonspiruam…

Çfarë ndodhi pas dekonspirimit?

-Ai erdhi vërtet dhe na u avit nja 15 a 20 metra. Fadili më tha: “Shikoje drejt e në sy! Në qoftë se na përpiqen sytë, do të thotë se na ka pa.” Ish një djalë i gjatë, pa i mbushur të 20-at. Ishte bjond. Ja bëra me gisht, që të na afrohej. Ai u afrua. Na përshëndeti. I thashë: “E shoh se je djalë i mirë dhe e di që s’ke me na paditë.” Ai bëri be që s’do t’i thoshte askujt dhe shtoi: “U kjoftë rruga e mbarë!” Unë shtova edhe këtë: “Na ta dimë shtëpinë.”

Si reagoi çobani?

-Ai vuri bagëtitë përpara dhe u largua. Është e vërtetë që s’ka lajmëruar as atëherë as më vonë, ndonëse banorët pranë kufìrit ishin të detyruar të njoftonin policinë për çdo lëvizje. Madje dënoheshin nëse merrej vesh që nuk kanë lajmëruar. Sidoqoftë, ne na u krijua ashtu një problem i ri. Nuk ishim të sigurt që djali nuk do të fliste. U bëmë pak nervozë se nuk na doli krejt ashtu si e patëm menduar. Pas pak, unë vendosa të nisesha menjëherë.

Kur dhe si e kaluat kufirin?

-E mbaj mend si tani, çdo detaj… Ishte 7 korrik, ora 12:00, domethënë, koha më e nxehtë e njërës nga ditët më të nxehta të vitit. U mendua që në atë zheg, edhe ata që e ruanin kufirin do të futeshin diku nën hije. Unë kisha një trastë që e shtrëngoja fort në krah. Kisha materialet që do çoja në shtetin amë… Si ushtarë të vërtetë dhe të stërvitur, ecëm me zvarritje midis kaçubeve. Në një farë vendi i thashë Fadilit: “Në qoftë se më kapin ushtarët jugosllavë, unë do të përpiqem me ia marrë kangës. Në atë mënyrë ti do të kuptosh se më kanë kapë dhe nesër do të shkosh te anija për të parë a është e vërtetë apo jo.” Vazhduam edhe pak. Tashmë dukej pjesa matanë kufirit. Erdhi koha e ndarjes…

Diçka për momentin e ndarjes para se të kaloje kufirin e të futeshe në Shqipëri ?

-U përshëndetëm. Lot, dhimbje, por isha dhe krenar. Unë u largova, pa e ditur, as unë as shoku im i mirë Fadili, se nuk do të shiheshim më për më shumë se 30 vjet. Teksa unë fshehtas po kaloja kufirin, Fadili kishte për detyrë me qëndru aty edhe 20 minuta, me pa çfarë po bëhet. Unë kalova në tokën e shtetit amë, ndërsa merak kisha dhe për Fadilin…

Çfarë ndodhi me Fadilin?

-Këtë e mora vesh pas tri dekadash… Pas 20 minutash, mbasi nuk ndodhi asgjë e jashtëzakonshme, Fadili ishte kthyer ngadalë, po ashtu me zvarritje. Kishte shkuar tek një mur afër rrugës, kishte kapërcyer murin me shpejtësi, kishte vënë një palë syze dielli dhe me hap normal, si katundar i atij vendi, i ishte drejtuar Ostrosit e kishte vajtur në shtëpi. Kur kishte në shtëpi, kishte gjetur një letërthirrje ku thuhej se duhej të shkonte në Vir për t’u rekrutuar në ushtri. U përputh shumë mirë shkuarja e tij me anije, për të parë se mos mua më kishin kapur jugosllavët. Të nesërmen Fadili kishte shkuar tek anija dhe udhëtoi për në Vir me disa kranjanë të tjerë. Kur kapej dikush në kufi, atë e shoqëronin ushtarët në anijen e linjës deri në Vir e prej andej e çonin me tren në Tivar. Atë ditë s’kish kurrfarë shoqërimi. Pra, Fadili verifikoi se jugosllavët nuk më kishin kapur mua. Unë tashmë, kisha mbërritur në Shkodër dhe shokëve të “Liria” u mbetej të prisnim rezultatet e shkuarjes time në “zonën tonë të çliruar”, në shtetin amë. Pa e ditur se kalvari im do të vazhdonte…

/Gazeta Dita/

By admini