Gati i padukshëm kaloi konkursi për bashkëfinancimin e klubeve sportive i Ministrisë së sportit, fondi i së cilës kapte vlerën prej afro 4 milion euro. Këtu ndoshta nuk ka asgjë kontestuese, përpos një fakti, për ne nga KK LQ URA, shumë të rëndësishëm. Asnjë klub sportiv nga Ulqini nuk fitoi asnjë euro nga ky program! Nga shuma e fondit prej 4 milion euro, asnjë euro nuk do t’i referohet klubeve sportive nga Ulqini, të cilët gjinden në një situatë tejet të vështirë financiare. Kjo për ne është një skandal i vërtet, kështu thuhet në një reagim të Këshilli komunal të Lëvizjes qytetare URA .

Në këtë mënyrë, Ministria e sportit i ka mbyllur dyert ndaj klubeve sportive të Ulqinit. E gjithë kjo në mënyrë të qartë pasqyron se si, jo vetëm ky organ, por edhe organet e tjera shtetërore, trajtojnë jetën e përditshme në këtë qytet.

Është i vërtet fakti që konkursi ishte i hapur nga ana e Ministrisë së sportit, por një pushtet lokal në krye me një kryetarë të përgjegjshëm, është i obliguar t’i trajtojë këto çështje. Është i detyruar që së paku t’i ndihmoj klubeve që të përgatiten për kësi lloj programesh, a më se paku që ata t’i informoj në lidhje me këtë thirrje publike. Derisa karvanët kalojnë e sportistët paralajmërojnë greva, pushteti lokal merret me probleme globale dhe regjionale duke filluar nga formimi i pushtetit në Maqedoni e deri tek referendumi në Turqi!? Po ashtu, janë të brengosur edhe për marrëdhëniet e NATO-së me Rusi!?, vazhdon reagimi.

Në këtë kohë ato e shfrytëzojnë çdo rast për t’i përvetësuar sukseset e sportistëve tanë, gjë që bëhet rregullisht nëpërmjet rrjeteve sociale, e e gjithë kjo si përgatitje për zgjedhjet e ardhshme lokale. Në pika të shkurta, kjo është ironia e të përditshmes tonë. Të gjithë ne e dimë se sa i rëndësishëm është sporti për një komunitet siç është ai në Ulqin, që çdo herë me emocione i kemi ndjek sukseset por edhe humbjet e klubeve dhe individëve nga Ulqini. Në mënyrë kronike sporti i Ulqinit ka pasur probleme financiare, por ai mbijetojë. Ne për këtë mburremi me sportistët tonë, edhe pse nuk është lehtë kur shohim që kanë kundërshtarë jashtë fushës por edhe në mesin e publikut të saj sportiv, përfundon reagimi i Këshilli komunal i Lëvizjes qytetare URA.

By admini