Podgoricë, 16 janar – Marrëdhëniet midis Kosovës e Malit të Zi vlerësohen pa probleme të hapura, kurse demarkacioni kufitar është kryer në 90 për qind të gjatësisë së tij dhe ai do të kryhet gjatë pranverës.
Po ashtu theksohet interesi i përbashkët për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, si një interes rajonal. Zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi ka nisur takimet me zyrtarë të lartë shtetërorë të Malit të Zi. Ai është takuar me ministrin e Jashtëm dhe Integrimeve Evropiane të këtij shteti, shkruan Koha Net.
Igor Lukshiq. Thaçi ka takuar edhe kryeministrin, Milo Gjukanoviq. Në këto takime është diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve, shkëmbimin ekonomik, kulturor, për projekte të përbashkëta infrastrukturore, për bashkëpunimin rajonal dhe ndërtimin e marrëdhënieve ndër-fqinjësore.
Gjatë qëndrimit në Podgoricë, Thaçi është takuar edhe me presidentin Filip Vujanoviq, si dhe me kryetarin e parlamentit, Ranko Krivokopiq. Qeveria e Malit të Zi për të siguruar aktivitetet e kryediplomatit kosovar, ka angazhuar 1.200 policë për ruajtjen e rendit dhe qetësisë.
Pas takimit me homologun malazias, Igor Llukshiqin, ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi tha se është fat i mirë që midis Malit të Zi e Kosovës nuk ka çështje të hapura.
“Këtu ndodhem për të punuar në përparimin e marrëdhënieve në niveol politik e ekonomik. Kemi qëllime identike dhe këto janë: hyrja në BE dhe në NATO. Kosova mbështet plotësisht Malin e Zi për hyrje në NATO, meqë ky është interes strategjik i gjithë rajonit”, ka thënë Thaçi.
Sa i përket demarkacionit të kufirit, procesi është kryer në 90 për qind të tij dhe deri në pranverë do të kryhet plotësisht, citojnë mediet deklaratën e Thaçit.
Sipas fjalëve të tij, Kosova pranon plotësisht pakicën malazeze dhe së shpejti komunitetet malaziase e kroate do të përfshihen në Kushtetutë.
“Personave të shpërngulur ua bëjmë me dije se jemi të gatshëm t’u ndihmojmë të kthehen dhe premtojmë edhe ndihmë financiare”, tha Thaçi, duke shtuar se sot do të kontaktojë me ndonjë nga këto familje për të inkurajuar kthimin në Kosovë, transmeton Koha Net.
Thaçi ka vlerësuar se në planin e marrëdhënieve ekonomike midis Kosovës e Malit të Zi duhet zgjeruar bashkëpunimin sidomos në ngritjen e rrugëve rajonale.
Edhe ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Igor Llukshiq ka thënë se marrëdhëniet midis Malit të Zi e Kosovës janë përmbajtësore.
“Me iniciativën e Qeverisë së Kosovës do të vazhdojmë bisedimet rreth bashkëpunimit për përmirësimin e infrastrukturës rajonale”, ka thënë Llukshiq, i cili i ka shfaqur Thaçit falënderimet për angazhimet që pakica malazeze të njihet me Kushtetutë.
Llukshiq paralajmëroi se shumë shpejt marrëdhëniet midis Malit të Zi e Kosovës do të ngrihen në nivel ambasadash.
Vizita në Mal të Zi e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të Kosovës, Hashim Thaçi, është pritur me protesta në Podgoricë. Mediat malazeze raportojnë se ato kanë përfunduar pa incidente të mëdha. Një nga parullat që u brohoritën nga pjesëmarrësit para Vila “Gorica” ishte “Thaçi nuk e ka vendin në Mal të Zi, por në Hagë”.
Një nga incidentet ndodhi kur policia u përplas me protestuesit, kryesisht proserbë, por raportohet se kanë qenë edhe tri familje shqiptare anti Thaç, të cilët po brohoritnin “Kosova është zemra e Serbisë”.
Protestuesit brohoriten edhe thirrjet e njohura shoviniste e nacionaliste serbe “Vrite, vrite shqiptarin!”
Sipas medieve malazeze protesta nuk ka zgjatur më shumë se një gjysmë ore.