Nënshkruhet Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet Qendrës Kulturore Ulqin dhe iACT

Ulqin, 10 janar 2017 – Sot, në ambientet e Qendrës Kulturore Ulqin, u nënshkrua Memorandumi i Bashkëpunimit midis NP “Qendra për Kulturë” dhe OJQ “Unë veproj!”(iACT), që shpreh dëshirën e palëve për të mbështetur, zhvilluar dhe forcuar bashkëpunimin, me qëllim rigjallërimin e jetës kulturore në Ulqin, nëpërmjet organizimit të aktiviteteve me karakter kulturor, edukativ dhe artistik.

Ky memorandum i nënshkruar nga drejtori i NP “Qendra për Kulturë”, Astrit Salaj, dhe drejtoreshës së OJQ “Unë veproj!”, Drita Llolla, shpreh vullnetin e përbashkët për të konkretizuar bashkëpunimin me qëllim realizimin e një kalendari të larmishëm aktivitetesh kulturore dhe edukative, gjatë gjithë vitit.
Bashkëpunimi, fillimisht propozuar nga OJQ “Unë veproj!”, përcaktohet nga disa fusha konkrete, të listuara për sa vijon:
•    Realizimin e aktiviteteve që përfshijnë shfaqje teatrale për të rritur dhe fëmijë; shfaqje të filmave me metrazh të shkurtër dhe të gjatë, për të rritur dhe fëmijë; ekspozita të veprave të arteve figurative dhe botimeve të ndryshme, si edhe aktivitete të tjera me karakter kulturor, edukativ dhe artistik;
•    Planifikimin e aktiviteteve në kuadër të një plani një (1) vjeçar i cili hartohet me bashkëpunim të palëve;
•    Bashkëpunimin me Ministrinë e Kulturës, Komunën e Ulqinit, Organizatën Turistike të Ulqinit, Komunat e tjera në Mal të Zi, qendrat homologe në rajon dhe në botë si edhe institucione të tjera të ngjashme;
•    Mbledhjen e fondeve dhe donacioneve në funksion të realizimit të programit të aktiviteteve;
•    Hartimin e një protokolli të detajuar bashkëpunimi, bazuar në dispozitat përkatëse ligjore.

Në nënshkrimin e marrëveshjes, drejtori i Qendrës Kulturore, Astrit Salaj, dhe drejtoresha e iACT, Drita Llolla, kanë folur për bashkëpunimin me insitucione të ngjashme në Shqipëri dhe Kosovë, intensifikimin e bashkëpunimit me qendra të tjera kulturore në Mal të Zi dhe me Ministrinë e Kulturës, si edhe komunikimin dhe bashkëpunimin me partnerë dhe donator ndërkombëtarë. Palët, gjatë takimit, u ndaluan edhe tek kërkesat për përmirësimin e infrastrukturës nën administrimin e Qendrës Kulturore, me qëllim shfrytëzimin e ambienteve në mënyrë sa më efikase dhe vënien e tyre në dispozicion të të gjithë grupmoshave, me theks te veçantë tek të rinjtë e qytetit.

Komuna e Ulqinit shprehu pëlqimin për bashkëpunime të kësaj natyre, duke cilësuar se ndikojnë në përmirësimin e jetës sociale të qytetarëve si edhe ofroi përkrahjen e plotë në realizimin e objektivave të kësaj marrëveshjeje.

By admini