Doli nga shtypi libri më i ri me poezi me titull BOTË MASHTRIMI e autorit Ali Gjeçbritaj. Ky libër nën redaktimin e Jaho Kollarit ndahet në katër tërësi të cilat në vete përmbajnë gjithsejt 60 poezi, në kopertinë gjendet piktura e piktorit akademik nga Ulqini Bilal Nikeziqi si dhe u botua nën siglën ULQINI që e përfaqëson botuesi Gazmend Çitaku.
Poeti Ali Gjeçbritaj në këtë tufë poezish shkyç një derë tjetër, derë që hap pamje, e cila synon lartësi dhe thellësi të meditimit, një meditim poetik ky që nuk njeh rrafshirë, në mos më tepër maje bjeshkësh dhe funde detesh! Në këtë rrafsh, mprehtësia e vargut zapton hapësira të tjera, përmasa këto që qëndrojnë në lartësi-thellësinë e shpirtit të tij poetik.- thotë Kollari.
Mësues, poet, gazetar dhe publicist, Ali Gjeçbritaj ka lindur në Arbnesh, Krajë më 1953. Krahas punës në arsimimin dhe edukimin e brezit të ri merret dhe me krijimtari letrare dhe publicistikë. Shkruan dhe krijon kryesisht poezi , tregime, vështrime dhe shkrime publicistike. Bashkëpunon me të gjitha mjetet e informimit pubilk në gjuhën shqipe në Mal të Zi. Shkrimet e tij i hasim edhe në revista e gazeta edhe jashtë Malit të Zi. Deri tash ka botuar: “Motet”, përmbledhje me poezi: “Gjurmët e moteve” publicistikë, “Informatori”, publicistikë, “Shkolla në Krajë 1929-2009”, monografi, “Nata me hënë”, poezi. Vëllimi poetik “Botë mashtrimi” është libri i gjashtë i tij. (Kohapress)