Gjatë fushatës për Kongres në zonën elektorale në Florida — © Courtesy of Brian Mast

Nga Frank Shkreli

Provë e gjallë se as sistemi politik amerikan, as zgjedhësit amerikanë dhe madje as partitë politike në Amerikë nuk paragjykojnë ndaj personave me meta fizike, të cilët mund ta shikojnë të ardhmen e tyre në shërbim të Atdheut, duke marrë pjesë në politikë.  Protagonisti i këtij shkrimi të shkurtër është Brian Mast, i cili gjatë shërbimit në Afganistan, si pjestar i ushtrisë amerikane në luftën e atjeshme, kishte humbur të dy këmbët nga një eksplodim i një bombe në anë të një rruge, shtatorin e vitit 2010.

Në shërbim të atdheut, në kohë lufte dhe në kohë paqeje.  Mediat amerikane njoftojnë se pas një qëndrimi të gjatë në spitalin ushtarak amerikan Walter Reed në Washington, 6 vjet pas plagosjes së rëndë dhe humbjes së dy këmbëve në frontin e luftës, Brian Mast vendosi të bënte fushatë për në Kongresin amerikan në zgjedhjet e nëntorit të kaluar. Pas zgjedhjeve paraprake dhe të përgjtihshme, ai u zgjodh në listën republikane si anëtar i Partisë Republikane në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, si përfaqsues i zonës elektorale numër 18 të kongresit në   shtetin Florida.  Ai mundi pesë kandidatë të Partisë Republikane në zgjedhjet paraprake dhe fitoi kundër kandidatit demokrat në zgjedjet e përgjithshme. I gatëshëm për t’i shërbyer përsëri atdheut të vet, kësaj radhe jo në frontin e luftës, por në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, si përfaqësues i popullit nga shteti Florida.

Brian Mast u betua me 3 Janar, 2017 si anëtar i Kongresit të ri amerikan që sapo filloi nga detyra.  Kongresisti i ri amerikan i ka thënë gazetës Huffington Post se për t’u zgjedhur në Kongresin amerikan ishte një objektiv që ai kishte përcaktuar për veten e tij gjatë qëndrimit dhe shërimit në spitalin ushtarak Walter Reed në Washington, pas këshillimeve me bashkshorten dhe me babain e tij, të cilët e inkurajuan që të tejkalonte vështirsitë përballë të cilave gjëndej dhe të gjente mënyrën për të shkuar përpara me jetën e tij.  Por nuk ishte vetëm sistemi politik ose shoqëria dhe partia republikane që bëri të mundur që ai të merrte veten pas një plagosjeje kaq të rëndë dhe të fillonte një karierë krejtë ndryshe nga shërbimi ushtarak prej 12 vjetësh.  Nga të dhënat në media, është e qartë se ishte gjithashtu mbështetja nga familja e tij, nga bashkshortja dhe nga babai që ndihmuan në rekuperimin e tij dhe në vendimim e mëvonshëm për t’ju future politikës. Por mbi të gjitha ishte vullneti i tij i fortë, si dhe premtimi që u kishte dhënë familjes se do të bënte ç’mos, çdo ditë, që të përmirsonte gjëndjen e tij shëndetsore në të cilën e kishte hedhur fati dhe se nuk do të lejonte që realiteti i ri me të meta fizike t’a pengonte në realizimin e ëndërrave të tija.
Kongresisti Brian Mast thotë në faqen e tij të FB, se “Kur isha në ushtri, objektivi im në jetë ishte t’i shërbej dhe të mbroj Atdheun tonë.  Sot po fillojmë një kapitull të ri shërbimi ndaj Atdheut.  Le t’ia fillojmë punës.”  Ai është shprehur gjithashtu se pasi gjithmonë e kishte pasion mbrojtjen e Atdheut, ia mori mendja se tani pas plagosjes dhe pas shërimit, megjith pengesat fizike të mundshme, mbrojta më e mirë që mund t’i ofronte tani Atdheut do të ishte si anëtar i Kongresit, ka thënë kongresisti i ri, duke shtuar se, “Mbrojtjen e Atdheut e kam shumë, shumë për zemër. Kështu e kam kaluar jetën time dhe kështu gati e kam dhënë jetën dhe nuk dëshiroj që askush tjetër të jetë dëshmitar i dhunës që unë kam përjetuar.”
Në një video mesazh nga zyra e tij në Washington drejtuar zgjedhësve të zonës së tij elektorale në Florida, ai i falenderoi të gjithë ata që kishin votuar për të duke thënë se “Jam i nderuar për mundësinë që më kini dhënë për t’u shërbyer ju…Unë do të përpiqem që me punën time të përditshme në Kongres, t’u bindë të gjithë ju se unë isha zgjedhja më e mirë, për të shërbyer si përfaqsues i juaji në Kongres.”  Kongresisti i ri Brian Mast, përfundoi mesazhin e tij drejtuar votuesve të zonës së tij elektorale nga zyra e tij e re në ndërtesën e Kongresit, në ditën e parë të tij si përfaqsues i popullit duke thënë se, “Zyra në të cilën gjëndem tani nuk është zyra ime.  Kjo në të vërtetë, është zyra juaj. Kurdoherë që dëshironi të vini e të vizitoni zyrën tuaj, jeni të mirëseardhur.”
Poetesha amerikane Maya Angelou ka thënë se, “Guximi është më i rëndësishmi i të gjitha virtyteve sepse pa guxim nuk mund të praktikohet asnjë prej virtyteve të tjera, në mënyrë të besueshme dhe të vazhdueshme.”

Guximi i Kongresistit të ri amerikan Brian Mast — i cili megjithë të metat e tija fizike dhe pengesat e tjera, vendosi të përballej me një fushatë politike munduese, për të mos thënë torturuese, duke fituar më në fund garën elektorale për në Kongresin amerikan — është një virtyt që frymëzon jo vetëm amerikanët, por edhe njerzit kudo dhe u flet të gjithëve se, cilat do qofshin vështirsitë, e nesërmja do të jetë më e mirë.  Shembull guximi dhe atdhedashurie. Një frymëzim për të gjithë!

Frank Shkreli

By admini