Shkruan Xheladin Zeneli
Me 17 Dhjetor 2016 ndërroj jetë në moshën 94 vjeçare, miku i shqiptarëve, ish kongresisti republikan Benjamin ‘Ben’ Gilman ( 1922-2016).
Falë punës lobuese të palodhur të LQSHA me në krye Joseph DioGuardin, që ka bërë gjatë fundit të viteve ’80-ta dhe posaçërisht gjatë viteve ’90-ta të shekullit të kaluar, Ben Gilman ishte një ndër kongresistët e parë amerikan i cili e kuptoj drejtë çështjen e Kosovës dhe kauzën shqiptare dhe u angazhua në këtë drejtim bashkë me ligjëvënësit tjerë të asaj kohe siç ishin: Senatorët Bob Dole, Claiborne Pell, Larry Pressler, Alfonse D’Amato si dhe kongresistët Lantos, Porter, Broomfield etj.
Për 6 vite me radhë ( 1995-2001) z. Gilman kryesoj Komisionin për Marrëdhënie të Jashtme të Kongresit Amerikan.
Ja disa nga angazhimet e kongresistit Gilman lidhur me çështjen shqiptare:
-Në vitin 1992 LQSHA paraqet Rezulotën në Kongres ( e njohur si (H.Con.Res. 264) e bashkë-sponzuar nga Ben Gilman dhe Tom Lantos e cila bën thirrje për njohjen e pavarësisë së Kosovës;
-Në Mars të vitit 1995 kongresisti Gilman paraqet rezolutën (H.Con.Res. 1360), përmes së cilës kushtëzon heqjen e sanksioneve ndaj Sërbisë dhe Malit të Zi me realizimin e të drejtave legjitime të shqiptarëve për të vetëqeverisur me Kosovën;
-Në gusht të vitit 1995 viziton zyrtarisht Shqipërinë;
– Në Janar të vitit 1996 Gilman paraqet rezolutën e radhës ( (H. Con. Res. 103), e cila bën thirrje qeverisë së Maqedonisë që t’ju garantojë të drejtat kombëtare të popullit shqiptar ,që të njoh zyrtarisht Univerzitetin e Tetovës dhe të lirojë nga burgu themeluesit e tij;
-Në Prill të vitit 1999 kongresisti Traficant paraqet resolutën e njohur si ” The Kosovar Independence and Justice Act (H. Con. Res. 1425), e cila bën thirrje për armatimin e UÇK-së
dhe paditjen e shpalljen e Millosheviqit si kriminel të luftës si dhe pavarësimin e Kosovës.
Gjatë kësaj kohe LQSHA organizon protestën masive në Washington DC ku marrin pjesë, në mes ligjëvenësve tjerë amerikan edhe Ben Gilman, të cilët i bëjnë thirrje Departamentit të Shtetit ( pra qeverisë amerikane) për armatimin e UÇK-së dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Mirënjohje të përherëshme dhe respekt për mikun e shqiptarëve , të ndjerin Ben Gilman!
Janar 2017