Ilustrim

 

Nga Gjekë Gjonaj
Zhvillimin e kulturës në  Ulqin  gjatë shekujve  e kanë përcjellë vështirësi të shumta dhe ajo deri më tash ka mbetur  në margjina, sa i përket interesimit të institucioneve në nivel  qendror e  vendor. Mungesa e një strategjie për kulturën ka bërë që zhvillimin e saj  ta përcjellin defekte të ndryshme, të cilat kanë reflektuar ngecje të këtij zhvillimi. Investimet në të gjitha fushat e artit  në këtë qytet të lashtë bregdetar  të trashëgimisë jo vetëm muzeale të mbijetesës historike, por edhe të trashëgimisë kulturore, të cilat i ruan me fanatizëm ,   kanë qenë të pakta. Konsideroj se nëse  është diçka e anashkaluar  këtu, ai është teatri, i cili   është plotësisht i margjinalizuar , ndër   vite të tëra  dhe tash.

Përderisa  teatri si institucion kulturor në të gjitha qytetet e mëdha shqiptare ka një histori të hershme dhe shumë shkolla të atjeshme janë  shndërruar në “ teatër”, ku fëmijët përmes lojës intepretojnë shumëçka nga jeta, në Ulqin  është e kundërta. Në këtë qytet për fat të keq  as që  ka lindur ndonjëherë teatri. Fakt i pabesueshëm për kohën e sotme të cilën e ka pushtuar teknologjia më  moderne që ka ekzistuar ndonjëherë. Por, realitet i hidhur për qytetarët e  tij. Ky qytet mbart vlera të trashëgimisë muzeale, por jo edhe edhe ato teatrale. Kjo  s’do të thotë  se  kultura e artit nuk qëndron thell në shpirtin e këtij populli.  Për njohës të fushës së tetarit arsyet e një mosinteresimi  të institucioneve shtetërore për zhvillimin e skenës tearore për fëmijë dhe të rritur janë pikërisht institucionet.

Gjithësesi Ulqinit i duhet teatri . Qytetarët e tij shpresojnë dhe ëndërrojnë   realizimin e  kësaj dëshire të munguar ndër shekuj. Sepse një popull mund të jetojë edhe pa Ministri Kulture, siç jeton populli amerikan, apo siç jeton populli austriak pa Ministri Marine, por jo pa teatër. Në të gjithë botën e qytetëruar teatri përbën  krenarinë estetike dhe arkitektonike të qendrës urbane dhe është  ndoshta guri më i çmuar në gjerdanin e qafës së qytetit. Ky institucion  mbi të gjitha  është  pjesë e krenarisë kulturore dhe qytetëruese.

Këtë nevojë shpirtërore , aq të domosdoshme   për periudhën  që po kalojmë më së miri e kanë kuptuar një grup artdashësish nga ky qytet të cilët  para pak ditësh themeluan Organizatën  Joqeveritare “ Teatri Teuta” me qëllim  të ringjalljes së jetës teatrale dhe kulturore në Ulqin.  Ky  teatër ( e theksoj shqiptar)  pritet që , krahas shprehjes artistike,   të  artikulojë  mesazhe, që referencë  do të kenë  zgjimin e ndërgjegjes kolektive, në funksion të realizimit të aspiratave të përgjithshme kombëtare. Kjo   pashmangshëm ndërlidhet me thënien e Volterit se “vetëm në teatër mund të mblidhet kombi”.

Për mua  si njeri u kulturës dhe  si  adhurues  i artit në përgjithësi dhe i teatrit në veçanti ky është një lajm i gëzuar  për Ulqinin, një surprizë, një  fitore e madhe për të gjithë.  Andaj të gjitha strukturat e shoqërisë  duhet ta përkrahin dhe ta ndihmojnë këtë nismë të  këtyre artdashësve entuzistë. Sepse  në asnjë vend ku nuk ka teatër, muze , jetë kulturore e sociale, nuk ka  qytetërim . E çdo qytetërim ka nevojë për vlera shpirtërore e kulturore. Ashtu si edhe njeriu që nuk mund të jetojë vetëm për të përmbushur  nevojat e tij fizike , ashtu edhe çdo qytetërim  nuk mund të ekzistojë pa i pasur  këto vlera . Në këtë kontekst  citojmë Frederiko Lorkan, i cili thotë : “ Një popull pa teatër ka vdekur, ose do  të vdes”.

By admini