Ansambli “Tradita” nga Ana e Malit mori pjesë në edicionin e 22-të të Festivalit “Oda Dibrane”, i cili u mbajt në Peshkopi nga data 17-19 nëntor, ku prezantohen vlerat e trashëgimisë kulturore mbarëshqiptare të këngëve e valleve humoristike, lojërave popullore, riteve dhe alegorisë.
Për tri ditë me radhë, me programet e tyre të traditës nga vendet prej nga ata vijnë, në Festivalin mbarëkombëtar “Oda Dibrane 2016 ”u prezantuan 18 grupe dhe ansamble nga të gjitha trevat shqiptare.
Ansambli “Tradita” shfaqi programin e tij në natën e tretë të këtij festivali, të përbërë nga pjesë folklorike, kënga rituale të bletës, kënga e kënduar në za, vallja e kënduar në rreth, e mirënjohura Vallja Labeate, ritet e dasmës anamalase, vallja e burrave me lodër e trevës së Ulqinit dhe loja popullore e kitrrës.
Sipas drejtuesve të këtij ansambli, programi me të cilin u prezantua “Tradita” u konceptua në një nivel të lartë, duke arritur që të plotësonte kriteret e Festivalit dhe të mirëpritej nga publiku.
Juria profesionale e përbërë nga njohësit e fushës, Edmond Zhulali, kryetar jurie, Ermir Dizdari dhe Haki Fazliu anëtarë, vlerësuan Ansamblin “Tradita” me Çmimin e “Odës Dibrane” për lojën popullore të kitrrës, që është ndër lojërat më të njohura të trevës së Anës së Malit. Ky çmim tregon për vlerën e lartë të folklorit në trevën e Anës së Malit dhe Ulqinit, duke ditur që në Festivalin “Oda Dibrane” morën pjesë ansamble dhe shoqëri kulturore nga Gjirokastra, Tirana, Gostivari, Tetova, Obiliqi, Drenasi, Prizreni, Kishnica, Kumanova, Berati, Bulqiza, Mati, Peshkopia dhe Vlora.
Përndryshe Çmimin e Parë të Festivalit Mbarëkombëtar “Oda Dibrane 2016” e fitoi Ansambli “Lidhja e Prizrenit” nga Prizreni.
Ky festival organizohet nga Shoqata Kulturore Artistike “Oda Dibrane”. E veçanta e tij është sepse ai zhvillohet në Dibër të Madhe dhe Peshkopi, dhe pavarësisht nga kufiri, të dy Dibrat vazhdojnë të mendojnë, të jetojnë dhe të gëzojnë së bashku. (Kohapress)