shkolla-ne-sukubine
Ulqin – Në tetor të vitit të kaluar Ministri i Arsimit të Malit të Zi, Predrag Boshkoviq, kryetari i Komunës së Ulqinit Fatmir Gjeka dhe përfaqësuesi i diasporës në SHBA, Cafo Boga, vendosën gurëthemelin për ndërtimin e shkollës katërklasëshe në Sukubinë.

Atë ditë feste, folësit thanë se shkolla e re me sipërfaqe prej 450 metra katrorë do të përfundojë deri në vitin e ardhshëm shkollor, se vlera e këtij projekti është rreth 300 mijë euro dhe se ky është projekti i parë tripalësh që do të realizohet falë Ministrisë së Arsimit, Komunës së Ulqinit dhe diasporës.

Ishte ky një lajm i mirë dhe një ditë e gëzuar për prindërit dhe nxënësit e këtushëm. Mirëpo, kjo kënaqësi e tyre nuk zgjati më shumë se deri në fillim të këtij viti shkollor sepse nxënësit e këtushëm në vend se mësimin ta ndjekin në objektin e ri modern e të pajisur me, siç thanë atëherë, të gjitha mjetet e nevojshme dhe me sistemin e ngrohjes dhe të ftohjes, u duhet çdo ditë të udhëtojnë deri në shkollën amë në Katërkollë, pasi punimet në ndërtimin e shkollës së re në Sukubinë janë ndaluar dhe nuk dihet se kur do të fillojnë për shkak të detyrimeve të pashlyera nga ana e Komunës dhe Ministrisë së Arsimit ndaj kompanisë së ndërtimit “Artek” nga Podgorica.

Që shqetësimi të jetë edhe më i madh, prindërit nga muaji shtator i këtij viti janë të detyruar t’ua paguajnë fëmijëve të vet edhe transportin nga Sukubina deri në Katërkollë, të cilin më parë e kanë siguruar Komuna e Ulqinit, Ministria e Arsimit dhe një pjesë prindërit.

Këta të fundit kërkojnë nga Komuna dhe Ministria që të marrin masa për rregullimin e çështjes së pagesës së transportit nga Sukubina dhe fshatrat përreth deri në shkollën amë “Bedri Elezaga” në Katërkollë. Përderisa Ministria dhe Komuna të merren vesh dhe të japin sqarime për zgjidhjen e këtij problem, prindërve u mbetet ta paguajnë transportin e fëmijëve nga xhepi i tyre.

/Gj. Gjonaj-Koha Javore/

By admini