Në shkencën shqiptare dhe nga shumë autorë të huaj prejardhja ilire dhe autoktonia e shqiptarëve është e vërtetuar. Mirëpo, sikurse në kohët e kaluara edhe sot nga autorë të ndryshëm dhe qarqe antishqiptare ka orvajtje për mohimin e prejardhjes ilire të shqiptarëve për qëllime të caktuara. Për shembull, para disa ditësh, deputetja prof. dr. Jelisava Kaleziq në seancën e Kuvendit të Malit të Zi u shpreh: nuk është e vërtet teza se shqiptarët janë me prejardhje ilire. Në gazetën”Dan”, më 21. korrik 2016. Akademiku Zoran Llakiq, nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi, e botoi një artikull në të cilin mohon prejardhjen ilire të shqiptarëve dhe autoktoninë e tyre. Ndër të tjerat, thotë: Shqiptarët janë të ardhur nga Rumunia në Mat, përmbi Tiranë në shekullin X të erës tonë. Ndërsa në vitin 548 të erës tonë në Durrës kanë ardhë serbo-malazezët. Më tutje Llakiqi thotë: Shqiptarët në tërë hapësirë ku jetojnë, jo vetëm që nuk janë popull autokton, por as pakicë kombëtare. Në të vërtetë ata janë diasporë. Më pas me 24 korrik 2016. në gazetën “Dan”e botova një shkresë ku prezantova disa njohje shkencore nga autorë të huaj dhe shqiptarë mbi prejardhjen ilire dhe autoktonin shqiptare, meqenëse, kjo gazetë mjaftë lexohet në Mal të Zi.
E quaj të arsyeshme se çështja e prejardhjes ilire të shqiptarëve dhe autoktonia e tyre në vazhdimësi të aktualizohet dhe të përhapet në opinione të ndryshme publike. Për arsye se pak a shumë ndeshemi me një propagandë antishqiptare të mohimit të historisë kombëtare shqiptare, për qëllime armiqësore. Për shkak të hapësis së kufizuar, po fokusohe vetëm në disa hulumtues të njohur shkencor.
Filozofi i njohur Gotfrid Vilhelm Lajbnic(1646-1717) u muar me lidhjen e shqipes me gjuhët e tjera. Në letrën e tij të 10 dhjetorit 1709, e cituar më 1897 në revistën rumune Albania, deklarohet se në bazë të studimeve të tij është bindur se”shqipja është gjuha e ilirëve të lashtë”.
Historiani suedez, Hans Erik Tunman(1746-1778) , profesor universitetit në Gjermani, ishte një nga shkencatarët e parë, që u muar me studimin mbi origjinën e gjuhës shqipe dhe të popullit shqiptar. Ai bëri kërkime në burimet greke, latine e bizantine dhe studioi fjalorin trigjuhësh të Teododhor Kavaljotit( greqisht, sllavisht e ship) të botuar më 1770. Në veprën e tij për historinë e popujve të Evropës Lindore (1774), arriti në konkludim se shqiptarët janë vazhdues autoktonë të popullsisë së lashtë ilire.
Johan Georg Fon Han(1811-1869), teoricieni austriak është marr me studimin e gjuhës shqipe së bashku me gjuhëtarin Konstadin Kristoforidhi. Më 1854 ai botoi veprën e tij, me tre vëllime, Studimet Shqiptare, mbi kulturën, gjuhën dhe historinë shqiptare. Ai ishte, ndoshta i pari që studioi fjalorin e ilirishtes së vjetër. Ai vërtetoi se shumë emra vendesh të viseve shqiptare ishin vazhdim i drejtpërdrejtë i emërtimeve të dikurshme ilire. Në bazë të studimeve të tij, arrinti në përfundimin se gjuha shqipe ishte vazhduese e ilirishtes.
Gjuhëtari i njohur , Franc Bop (1791-1867), profesor në Universitetin e Belinit, botoi veprën e tij më 1854, duke vërtetuar përfundimisht se shqipja bën pjesë në familjen e gjuhëve indoevropiane dhe nuk rrjedh nga ndonjë gjuhë tjetër në Evropë.
Gustav Majer (1850-1900), profesor në Universitetin e Gracit dhe antar i Akademisë së Shkencave të Vjenës, botoi studimin e tij Mbi pozitën e gjuhës shqipe në rrethin e gjuhëve indoevropianen, më 1883. Ai njihet veçanarisht për hartimin e Fjalorit etimologjik të gjuhës shqipe, më 1891. Në sajë të studimeve të thella shkencore arriti në përfundimin se gjuha shqipe rridhte nga ilirishtja dhe përbënte një degë më vete në familjen e gjuhëve indoevropiane.
Maksimilian Lamberc (1882-1963), pas vizitës që bëri në Shqipëri si emisar i Akademisë së Shkencave të Vjenës, menjëherë u shqua si studiues i folklorit dhe mitologjisë shqiptare. Pastaj, në Laipcig vazhdoi studimet në fushën e albanologjisë, mbajti leksione rreth saj në universitet dhe në vitet 1954-59 hartoi dhe botoi Veprën mbi gjuhën shqipe, në tre vëllime. Në studimet e tij mbështeti tezën e prejardhjes së shqiptarëve nga ilirët dhe të gjuhës shqipe nga ilirishtja.
Shkencatari, Edwin Jacques, thekson: Nuk ka pikë dyshimi që shqiptarët e sotëm janë historikisht pasardhës të drejtpërdrejtë të ilirëve.
Shkencatari, Serge Metais, shkruan: Sipas të gjithë treguesve – pikësëpari, për shkak të vetë gjeografisë – ilirët kanë qenë praardhësit e shqiptarëve. Në prag të pushtimit romak, ata zinin të gjithë pjesën perëndimore të Ballkanit, nga Istra deri në Epir. Në brendësi të gadishullit, ata ishin vendosur, në veri, të paktën deri te rrjedha e lumit Sava dhe, në lindje, deri te Morava e Jugut dhe në rrjedhën e sipërme të Vardarit. Më tutje studiuesi Metais shton: Në shekullin II të erës sonë, ku ilirët ndodheshin nën zgjedhën romake, gjeografi Ptolemeu bënte fjalë për ekzistencën e një fisi të albanëve (Albanoi) , kryeqyteti i të cilëve qenkësh Albanopolis.
Profesor Eqrem Çabej (1908-1980), pa dyshim, është figura më e shquar në fushën e albanologjisë. Për gati gjysmë shekulli ai bëri studime, botoi vepra të shumta nga gjuha dhe letërsia shqipe, ndonëse bëri hulumtime edhe në lëmin e etnografisë, folklorit dhe etimologjisë, leksikologjisë, të origjinës së gjuhës shqipe, marrëdhëniet e saj me gjuhë tjera indoevropiane dhe njësimin e normës letrare. Në bazë të studimeve subtile shkencore arriti në përfundim se shqiptarët janë pasardhësit e ilirëve dhe të banorëve të parë indoevropianë në Ballkan. Kumtesa e tij gjuhësore në Kolokuiumin e Parë mbi Studimet Ilire (15-20 shtator 1972) dhe shkrime të tjera të shumta”vërtetuan në mënyrë bindëse origjinën ilire të gjuhës shqipe dhe autoktoninë e popullit shqiptar”.
Profesor Kostallari, ish drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë në Tiranë, arriti po të njëjtin përfundim si dhe kolegu i tij Çabej. Gjithashtu, Aleks Buda, ish-kryetari i Akademisë së Shkencave e Shqipërisë, në një konferencë që drejtoi, më 2-4 korrik 1982, theksoi”vazhdimësinë iliro-shqiptare dhe autoktoninë e shqiptarëve në trevat e tyre.”
Mbi origjinën e gjuhës shqipe dhe të popullit shqiptarë janë marr dhe profesorët e njohur: Shaban Demiraj, Mahir Domi e të tjerë.
Dhe më në fund, në Encilopedinë e Përgjithme të Entit Leksikografik të Jugosllavisë, Zagreb, 1977, fq.81 thuhet:”Shqiptarët, popull me prejardhje indoevropiane thrakase-ilire. Banorët më të vjetër në Shqipëri kanë qenë Ilirët; vetë emëri Shqiptar rrjedhë nga emëri Ilir- të fisit Albana”.
/Autori është politolog dhe kryeredaktor i revistës për kulturë, shkencë dhe çështje shoqërore “Malësia”/