sadik-haxhicaniShkruan: Ismet Karamanaga

Një trashëgimi, brez pas brezi, një mjeshtër virtuoz, dhe guri i cili nën tingujt e daltës dhe çekiçit fiton formën dhe frymën e këtyre mjeshtrave të palodhur. Më duket se ata flasin me gurë… Sadiku është një njeri modest, i “butë”, siç thotë populli ynë. Flet shumë pak, posaçërisht duke latuar gurin. Edhe djemtë e tij, Tahiri dhe Xhemali, e kanë marrë “xenatin” nga Sadiku. Ky “trio”, për çdo ditë, përveç xhumasë, punon, më mirë të them, tash në fillim përgatit, modelon dhe i jep frymë dhe formë gurit, të cilin më vonë do ta vendosin në mur.

Unë që prej gjashtë vjetësh me radhë e përcjell punën dhe mjeshtërinë e tyre, kurdoherë që kaloj pranë shtëpisë sonë të dikurshme, mbetem i fascinuar. Kjo shtëpi, duke iu falënderuar duarve të arta të Sadikut dhe djemve të tij, dhe natyrisht, vullnetit dhe mjeteve financiare të nipit tim Maliq Karamanaga, ngritet sot prapë si një “feniks” në Kalanë tonë shekullore.

Tërmeti katastrofal i vitit 1979 e ka rrëzuar shtëpinë fare, por gjurmët dhe ”gjenin” e familjes sonë nuk ka mundur ta zhdukë. Prandaj, edhe një falënderim i madh këtyre tre virtuozve me gurë, të cilët kanë dhënë dhe ende ditë për ditë japin kontribut, për rindërtimin e shtëpisë sonë të lindjes. Këta zotërinj të palodhur, me mjeshtërinë e vet, kanë lënë gjurmë të pashlyera në Kalanë tonë.

Shtëpia të cilën e kanë ndërtuar këta mjeshtra, do të mbetet si një përmendore e një vepre e cila i përmbushë dhe i plotëson të gjitha normat që sundojnë në mjedise, siç është Kalaja jonë. Them se puna e tyre është një mjeshtri e rrallë, e jashtëzakonshme, një artizanat i cili duhet të stimulohet dhe kultivohet. Këtë e them me qëllim, sepse Sadiku, pavarësisht se punon mbi 40vjet, nuk ka pension dhe asnjëfarë stimulimi nga shoqëria.

Sa dhe si e vlerëson “shoqëria” jonë punën e të gjithë atyre që i kultivojnë zanatet e vjetra, është e tepërt të komentohet, duke qenë dëshmitar se sa pak kanë mbetur te ne. Mjafton të kalojmë përgjatë “pazarit” tonë, për të cilin dikur kanë ardhur mijëra mysafirë nga vendi dhe bota, dhe të shohim se secilën pëllëmbë e ka mbuluar hamburgeri dhe kiçi.

Në qytetin tonë, në pazarin tonë deri në vitet ‘90, përveç veshjes origjinale kombëtare dhe artizanateve të ndryshme, është gërshetuar Orienti dhe Perëndimi në një hapësirë kaq të vogël, në mes të Evropës. Një turizëm i lartë, me mysafirë nga vendi dhe bota, ka sjellë edhe një standart jetësor më të mirë. Prandaj, ne flasim me nostalgji për ato kohëra të arta të turizmit tonë. Mendoj se shoqëria duhet të stimulojë zanatet e vjetra, dhe në këtë mënyrë të mundohemi sadopak t’ia kthejmë Ulqinit tonë shkëlqimin të cilin e ka pasur deri në vitet ‘90 të shekullit të kaluar. Një stimulim i zanateve të vjetra do të kontribuonte që edhe njerëzit të kenë siguri dhe në asnjë mënyrë, mos të lihen pas dore.

Sadiku me krenari thotë se ai dhe djemtë e tij e kanë në gjak gurin.

„Unë e kam trashëguar nga babai im, kurse djemtë nga unë“, thotë ai dhe e pranon se tashmë djemtë janë mjeshtra më të mirë se ai, sepse ata janë adaptuar kohës së re në ndërtimtari. Sipas tij, guri është dhe do të mbesë elementi kryesor te ne. „Unë e dua gurin dhe pavarësisht se savështirë duket puna me gur dhe përpunimi  i tij, unë e punoj me qejf dhe me vullnet“, shprehet ai.

Sadiku kujton se ka filluar të punojë si murator i ri me vëllain e tij.

“Më kujtohet fillimi i punës sime. Me vëllain tim kemi punuar për një ‘firmë’ nga Cetina. Emrin e saj e kam harruar, një firmë ushtarake në Llovqen, kur është ndërtuar objekti i telekomunikimit të parë në Mal të Zi, në Shtirovnik. (Shtirovniku është maja më e lartë e Llovqenit me 1749 metra, kurse maja e dytë është “Jezerski vrh” ku gjendet mauzoleu i Njegoshit”) Tri vjet kemi punuar në kushte të vështira, në verë dhe në dimër. Është dashur me punuar, me ‘majt’ familjen”, kujton ai.

Sadiku thotë se edhe pse ka kaluar shumë kohë, Shtirovnikun nganjëherë e sheh edhe në ëndërr. Më vonë, ai ka punuar edhe në vende të tjera nëpër Mal të Zi, por më së shumti në Ulqin dhe rrethinat e tij. “Kalanë e dua shumë. Më duket se me secilin gur të cilin e ‘latoj’ dhe e vendosi në mur vazhdoi atë punën e shumë mjeshtrave të cilët e kanë ndërtuar Kalanë. Bedenet mbi të cilët rrimë ne tash, i kanë punuar mjeshtra më të mirë se ne dhe në kushte shumë më të vështira. Shpesh më shkon mendja dhe më duket sikur i dëgjoj zërat e tingujt”, shprehet ai.

Sadiku tashmë punon më rrallë, por ky virtuoz i cili, po e përsëris “flet me gurë”, thotë se pa punë nuk mund të rrijë. “Punoj në shtëpi. Të gjithë muret në kopshtin tim i kam bërë me gurë”, thotë ai, kurse unë do të thoja se i ka qëndisur me duart e tij të arta. Në fund, nuk më mbetet gjë tjetër vetëm t’i dëshiroj këtij mjeshtri të palodhur shëndet dhe jetë të gjatë, kurse djemve Tahirit dhe Xhemalit ta vazhdojnë mjeshtërinë e babait të tyre. /Koha Javore/

By admini